Emra nga më të çuditshmit popullojnë listat e zyrave të Gjendjes Civile. Si kanë ndryshuar shijet e shqiptarëve në vënien e emrave të fëmijëve të tyre? Ja lista e 64 emrave të ndaluar për t’ia vënë një bebeje shqiptar
Daimler-Benz-i, siç nuk mund t’ju shkojë nëpër mend si fillim, është një djalë 13 vjeçar me një mendje prej gjeniu. Ndryshe nga i ati i tij që është një i çmendur pas makinave, ai është i apasionuar pas matematikës dhe elektronikës. Nëse ka një gjë që i ngre nervat shumë, është lënda e historisë dhe habia e njerëzve kur i mësojnë emrin. Nuk është faji i tij natyrisht. Nëse do mund ta zgjidhte vetë këtë të fundit, ai do preferonte të quhej Noel, si shoku i tij i ngushtë. Madje nuk do i vinte fare keq të mbante dhe emrin e të gjyshit, por kurrsesi nuk do preferonte ta ndërronte me emrin e të vëllait (të paktën atë e thërrasin Daimler dhe emri i tij shqiptohet ashtu siç shkruhet…). Sepse tragjikomedia që pasoi pasionin e pakufishëm të të atit për makinat, nuk kurseu 4 vjet më vonë as emrin që do t’i vendosej djalit të dytë të familjes, Chrysler.
Shembuj të tillë ka pafund (nëse nuk na besoni, gjeni mundësinë t’iu hidhni një sy listave të fundit të dala nga CENSUS-i), madje edhe më keq se dy vogëlushët, dhe kjo nuk është një histori e re, ka më shumë se njëzet vjet që lulëzon. Të ndrydhur prej regjimit komunist që, mes shumë e shumë lirive të tjera të privuara, iu diktonte shqiptarëve edhe një listë prej 6000 emrash dhe midis tyre mund të zgjidhnin atë që donin për fëmijën e tyre, me të mbyllur këtë kapitull, prindërit e rinj nuk u kursen fare kur menduan se, më në fund,kishte ardhur dita e të qënit “modernë”. Ja, në një nga këto ditë, bashkë me makinat e tipit të fundit që filluan të mbushnin rrugët, erdhën në jetë Daimler-Benz-i, vëllai i tij Chrysler e shumë të tjerë të ngjashëm me ta në këtë zanafillë emërore.
Qytetarët e parë të botës
Nga ilirët e lashtë, tek turqizmat që hodhën rrënjë e u përvetësuan edhe në pothuaj gjithë emrat e njerëzve – e kuptueshme pas një pushtimi 500 vjeçar – ; pastaj sovjetizmat e moderuar në kohën e miqësisë me Rusinë (Maringlen, Melsi, Josvinta); sajesat e indoktrinimit të thellë të sistemit komunist (Kongres, Aksion, Proletar, Vigjilenca), lista e paracaktuar me 6000 emrat e lejuar nga sistemi (askush nuk guxonte të zgjidhte t’i vendoste fëmijës një emër “të huaj”, apo “modern” perëndimor); dhe në fund, emrat që filluan të vendosen pas viteve ’90, ku gjen absolutisht nga të gjithë. Kriza e Shqipërisë post-totalitare i shtyu shumë prindër të rinj t’u uronin fëmijëve një të ardhme si joshqiptarë, por si qytetarë “të botës”. Ata nuk donin më që dëshirat e tyre, duke përfshirë aty emrat e fëmijëve, t’iu diktoheshin nga të tjerët. “Moda” e emrave filloi të lëvizte shpejt, dhe nuk ishte e vështirë të vije re se drejtohej kryesisht sipas zhvillimit të eventeve më të rëndësishme sportive, që nga kampionatet futbollistike e deri tek garat e famshme të Formula1. Prej këtu frymëzoheshin emrat e djemve, ndërsa për vajzat e sapolindura mendonin telenovelat. Heroinat e këtyre melodramave që mbanin, dhe mbajnë, të gozhduara para ekranit nënat e reja, do të mishëroheshin shumë shpejt në emrat e vogëlusheve të sapolindura. Paralelisht me Ronaldot, Ronaldinjot, Zidanët, Shumakerat dhe Hamiltonët, nuk do të mungonin Çelestet, Palomat, Stellinat, Ana-Maritë, Rubyt dhe ato më të fundit, Gymyshet.
Lista “e zezë”
E ndërsa historia vazhdon, diku rreth vitit 2006, andej nga ministria e Brendshme u pa e arsyeshme që kishte ardhur koha të ndërhyhej në procesin e regjistrimit të të sapolindurve për sa i takonte vendosjes së emrit. Nuk dihet saktë se nga kush përbëhej grupi i punës që u mor me “listën e emrave të ndaluar”, por gjithë sa ju përmendëm më lart, nuk ishin emra që hynin në të, përkundrazi. Askush nuk është kapur me emrat “bashkëkohorë”, emrat e huaj e akoma më pak me markat e personalizuara. Lista e përbërë nga 64 emra të cilësuar të papërshtatshëm (antroponime) për tu përdorur në regjistrimin e fëmijëve, qëndron e varur në çdo zyrë regjistrime të Gjendjeve Civile në vend. “Në bazë të ligjit për gjendjen civile, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ka përcaktuar listën me emrat e papërshtatshëm për shtetasit shqiptarë. Janë të lutur të gjithë banorët që të mos kërkojnë vendosjen e këtyre emrave që janë konsideruar si të papërshtatshëm”, thotë urdhëresa e afishuar tashmë nëpër zyrat e gjendjeve civile në të gjithë vendin. Në këtë listë ka emra që përfaqësojnë ushqime, që nisin nga Arançata, Ballokume, Groshe, Meze apo Spece; pyetjet Çbane apo Pseerdhe, e deri te përcaktimi i fatkeqësive e i dëshpërimeve, si: Burgim, Jermësinë, Keqan, Pikëllime, Xhenaze e Zehere. Nën një emrërues të përbashkët ata quhen “të vjetër dhe moralcenues”. Deri këtu, besoj se jemi të gjithë dakord.
Po me Eros-in ç’patën…?!
Mes 64 vjetërsirave e çudirave që janë përjashtuar nga lista emërore e Gjendjeve Civile, është edhe emri Eros. Asnjë djalë i lindur në ditët e sotme nuk mund të quhet Eros. Erosi është në “listën e zezë”. Duke e shpërfillur tërësisht kuptimin që e lidh këtë emër me mitologjinë, por duke e parë vetëm në definicionin erotik, asnjë shqiptar nuk mund ta quaj trashëgimtarin e tij Eros, ndërkohë që do vazhdojnë të regjistrohen plot Afërdita, perëndesha dashurie.
Në kujtim të ilirëve
Megjithëse nuk do ta zhbënin dot diferencën, duhet thënë se vitet e fundit prindërit e rinj, kryesisht ata të arsimuar e të lexuar, zgjedhin t’i quajnë trashëgimtarët e tyre me emrat e ilirëve të lashtë, si Ilir, Arbër, Teuta, Dea, Desareta, por edhe të tjerë, që sjellin figurat e heronjve të antikitetit, definicionet e bukurive natyrore dhe jetës së përditshme të shprehura sipas shqipes, si Amla, Vesa, Hana, Drini, Era…
Këtë e konfirmojnë edhe nga zyrat e disa prej gjendjeve civile në Tiranë që arritëm të kontaktonim. Megjithatë, “ka dhe plot përjashtime…”. Dhe kur këtë e thonë nga zyra e regjistrimeve në Njësinë Bashkiake Nr.5, që është në zemër të kryeqytetit mund të merrni me mend se ç’bëhet më tej.
Me “disa” përjashtime?!
Ndoshta. Por kush do kishte guximin nesër t’ia shpjegonte “përjashtimin” në fjalë, dhe zgjedhjen bizare të emrit të tyre, vëllezërve Daimler-Benz dhe Chrysler, që quhen kështu se i ati është një i apasionuar i çmendur pas makinave; një Hitleri, sepse në rini baba na ishte i forti i lagjes dhe donte që djali të bëhej “i pamëshirshëm”; një Unejs-i, që një Zot e di kush shpiku një formulë që bashkonte ca shkronja, që diku, dikur, na kishin një kuptim; një Chanel-i, sepse mami na çmendej pas markës së famshme; një Xhordani dhe vëllait të tij Xhonatan (për të mos folur se me ç’mbiemër kombinohen) se familja ka një jetë që aplikon për llotarinë amerikane… E nëse shumë nëna do të arrijnë t’ju shpjegojnë gjithë Çelesteve, Stellinave, Palomave, Ana-Marive, Ruby-ve, dhe Gymysheve të reja se ato quhen kështu për nder të heroinës së radhës në telenovelën që shoqëroi nëntë muajt e shtatzënisë së tyre, çfarë justifikimi do mund të gjenin prindërit e Klitorit dhe Sidës, që as që e kishin idenë e kuptimit të parë të emrit që me aq dëshirë e patën zgjedh për trashëgimtarin/en e tyre të dashur…?!
Në fund të fundit, zgjedhja i takon prindërve
Edhe pse me rezervim, edhe pse të keqardhur, kështu e mendojnë edhe specialistët. Për të pasur një opinion më specifik, ftuam rreth këtij argumenti publicistin Edmond Tupe dhe antropologun Nebi Bardhoshi.
Edmond Tupja: Të ndalohen emrat marka
“Në parim, e drejta për t’i dhënë emrin fëmijës është vetëm e prindit dhe shtetit nuk i takon të dalë me ligje e urdhëresa që sugjerojnë apo ndalojnë emra të caktuar. Megjithatë, argumenti që ju shtroni qëndron dhe është i drejtë. Në këtë pikë, unë mendoj se nëpunësit e Gjendjeve civile duhet të mirë trajnohen për të sqaruar të gjithë prindërit për kuptimin jo të hijshëm që mund të përcjellin emrat që ata kanë zgjedhur t’ua vendosin fëmijëve të tyre. Mendoj se ata e kanë për detyrë t’i sqarojnë. Pas kësaj, nëse prindi është i vendosur në zgjedhjen e tij, atëherë…, të gjithë Mahmutët, Hitlerët dhe Sidat, i paçin më qafë prindërit! Për të mos e lënë me kaq, gjithsesi, mendoj se, nëse ligji dhe shteti duhet të ndërhyjë në kontrollimin e emrave që vendosen, atëherë, përpara se të merret me Erosin dhe emrat e demode të listës që thoni, duhet të bëjë një listë të re, e të gjatë madje, ku të ndalojë të përdoren për njerëzit emrat e markave të makinave e çfarëdo qoftë tjetër, qyteteve, shpikjeve të teknologjisë etj., etj.”
Nebi Bardhoshi: Duhen promovuar modele të reja
“Vendosja e emrave në çdo kohë ka qenë e lidhur ngushtësisht me ideologjinë mbizotëruese të kohës. Shpeshherë ideologjitë mbivendosen dhe kështu ndodh dhe me “listat e emrave që lejohen apo nuk lejohen”. Fjala vjen, lista e emrave ilir vjen si produkt i ideologjisë nacionaliste, dhe shumë pak apo asnjë prej tyre, nuk ishte ruajtur në kujtesën popullore. Arsyeja se përse sot ka një larushi emrash, përveç krizë së identiteteve kolektive (nacionale, fisnore, familjare) është prodhuar dhe për shkak të vetë ideologjisë neoliberale e cila mundohet që të justifikojë ekzistencën e vet në mosndërhyrjen në sferën private etj. Prandaj shteti nuk merr përsipër të promovoj një ideologji e cila prodhon një listë emrash “per se”… Por siç e tregon dhe lista e 64 emrave, sërishmi shteti nuk i reziston dot tundimit për të ndërhyrë. Por vini re, tani ka një listë ndaluese e jo një listë përcaktuese, siç ndodhte gjatë regjimit komunist. Kjo listë është hartuar duke dekonstualizuar emrin. Pra është hequr një emër duke marrë si kuptim të parë të saj vetëm atë që jep nacionaliteti banal në ditët tona. Po në të njëjtën kohë është mbajtur parasysh dhe fakti se ky emërtim ka marrë konotacione negative në ditët e sotme. E gjithë kjo nga legjislatori argumentohet si një mbrojtje e tërthortë ndaj dinjitetit të fëmijës. Unë mendoj se çdo ndërhyrje shtetërore në raporte kaq imtime duhet parë me shumë kriticizëm. Por, ajo që është me interes është fakti se shumë prej emrave që janë ndaluar as që është kuptuar domethënia e tyre, qofshin këta dhe në shqip. Fjala vjen emrat Keqe, Keqan, janë përdorur për të mbrojtur fëmijën nga syri i keq dhe jo se prindërit kanë menduar se fëmija i tyre është i keq apo e keqe. Emrat si Mjafte, Mjaftore, Mjaftoni, Mjaftime, Mbarime, Ndalime, Sose, kanë si bazë besimin se nëse vendoset ky emër atëherë mund të marri fund një fatkeqësi që ka lidhje me lindjen e fëmijëve. Ju keni të drejtë kur thoni se nëse ishte thënë të kishte një listë emrash të ndaluar, kjo duhet të ishte shumë më e gjatë, e të radhiste edhe rastet që keni përmendur, por ama mbetet gjithmonë ajo që prindërit kanë të drejtë që ta vendosin si të duan emrin e fëmijës së tyre. Sigurisht që kushdo mund të irritohej nga një qëndrim kaq pasiv i shoqërisë dhe shtetit që unë kërkoj, por jam i mendimit se mosndërhyrja është një parim me bazë lirinë. Nuk janë në krahë të shteteve dhe politikave patrimonaliste. E vetmja gjë që mund të bëhet përballë realitetit të emrave që vendosen sot, është promovimi i modeleve të tjera dhe vetëm kaq. Zgjedhja sërish mendoj se do t’iu ngelet prindërve.”.
Çfarë emri s’mund t’i vini fëmijës tuaj
Ankim
Arançata
Avash
Bretk
Berr
Burgim
Ballokume
Car
Cub
Curranë
Currelë
Careva
Carina
Çbane
Dert
Derman
Dovlet
Durak
Ekran
Eros
Ferman
Federatë
Fodulle
Gazep
Gallata
Garip
Gabime
Groshe
Gjezap
Hyzmet
Hiçe
Hafije
Helme
Ironi
Jermësinë
Keqan
Keqe
Kralicë
Lëvere
Meze
Mëshirë
Mjafte
Mjaftime
Mjaftoni
Mbarime
Mbete
Mbylle
Marrëzi
Ndalime
Pikëllime
Pafate
Pseerdhe
Rikë
Rakita
Spece
Sose
Stenatë
Sulltane
Sherre
Shkurte
Shkurtime
Vajtime
Xhenaze
Zehere
/JAVA/peqini.com
ha ha ha
Comments are closed.