Investitorët gjermanë janë tërhequr nga televizioni “Vizion Plus”. Sipas burimeve jo zyrtare, dy kompanitë kontrolluese gjermane i kanë shitur sërish aksionet e tyre në kompaninë televizive te familja Dulaku.
Kompanitë gjermane “OST Holding Gmbh Media” dhe “Beteiligungs” AG kishin blerë 67% të njërit prej televizioneve më të rëndësishme në Shqipëri katër vjet më parë. Por, me sa duket, eksperienca shqiptare ka rezultuar e hidhur për gjermanët, që kanë hequr dorë nga aksionet e tyre dhe jua kanë shitur ortakëve Artan, Ardian dhe Genc Dulaku, njëkohësisht themelues dhe aksionerë pakicë të shoqërisë “Media Vizion”, që ka në pronësi televizionin “Vizion Plus”.
Sipas burimeve të CIO Albanian, investiorët gjermanë janë zhgënjyer nga tregu mediatik shqiptar. Duket se tregu i reklamës nuk e ka justifikuar investimin në blerjen e paketës kontrolluese të aksioneve, por kjo është vetëm njëra anë e medaljes.
Ajo që i ka zhgënjyer më shumë gjermanët është fakti se media në Shqipëri nuk mund të rezistojë pa u pozicionuar politikisht. Siç dihet, prej vitesh televizioni “Vizion Plus” ka qënë një ndër mediat e rreshtuara në opozitë me qeverisjen e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj. Por, pas blerjes nga kompanitë gjermane, politika editoriale u zbut disi, në tentativë për një qëndrim më të ekuilibruar, por edhe për t’u ruajtur nga konflikti me qeverinë.
Por, përpjekja për të ndërtuar një televizion jashtë interesave klienteliste të politikës duket se ka dështuar, aq sa gjermanët kanë vendosur të largohen. Duket se ata kanë arritur në përfundimin se tregu shqiptar është i papjekur për investime të mirëfillta komerciale. Ngritja e një televizioni që mund të financohet nga audienca dhe t’i shërbejë thjeshtë interesave të publikut është mision i vështirë. Lamtumira e gjermanëve e shpjegon më së miri pse investitorët e huaj qëndrojnë larg tregut mediatik shqiptar. (CIO Albanian)