Trajneri katalanas i Barçës, kampione e Spanjës dhe Europës, beson se ekipi do të jetë gati për Superkupën ndaj Realit
Përgatiti: JOSIF GJOSHE
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola ka pranuar se faza parapërgatitore e katalanasve nuk po shkon sipas planit, sidomos pas humbjes në miqësoren me Çivas Guadalaharën, por ai ka besimin se lojtarët e tij do të dijnë të reagojnë në momentin e duhur. Kampionët spanjollë, para një jave u mundën nga Mançester Junajtid, ndërkohë që mbrëmjen e së mërkurës janë mposhtur me rezultatin 4-1 nga Çivas.
“Kemi devijuar disi nga plani dhe për këtë kemi arsye. Gjithsesi unë kam besim të plotë tek këta lojtarë dhe jam i sigurt që do luajmë më mirë në kampionat dhe kompeticionet e tjera”, ka thënë Guardiola në konferencën për shtyp pas ndeshjes.
“Po afron Superkupa e Spanjës dhe ajo europiane, prandaj kam besim që në javët e ardhshme do përmirësohemi. Mentaliteti i lojtarëve do jetë ai që do bëjë diferencën. Kemi nevojë për më shumë kohë. E di që s’mbetet dhe shumë kohë, gjithsesi do jemi gati. Le t’i harrojmë këto dy rezultate negative dhe të përqëndrohemi në ndeshjet e radhës. Humbja e fundit nuk është se ndryshon gjë për ne”.
Barcelona do të ndeshet me Realin e Madridit më 14 gusht, në “Santiago Bernabeu” për ndeshjen e Superkupës së Spanjës. Tre ditë më vonë do jetë dhe ndeshja e kthimit në “Camp Nou”. Ndërkohë katalanasit do të përballen edhe me Porton në finalen e Superkupës Europiane, e cila do luhet më 26 gusht në Monako.
Miqësorja – Barcelona ka pësuar një humbje të papritur në miqësoren e zhvilluar kundër Çivasit në Majemi, me rezultatinr 4-1. Katalanasit do të kalonin të parët në avantazh që në minutën e 4’ me anë të David Vilës.
Gjithçka do të ndryshonte në pjesën e dytë. Vendasit do të përmbysnin rezultatin me anë të dopietës së Fabian në minutat 60’ dhe 63’, ndërkohë që më pas kanë shënuar Di Kasijas (72’) dhe Verduzko (90’), të cilët i kanë çuar shifrat në 4-1.
Guardiola ka pranuar duke thënë: “Kjo disfatë është një zile alarmi për ne, jemi me vonesë në disa gjëra, duhet ta ndryshojmë mentalitetin sa më shpejt të jetë e mundur edhe pse nuk është se kjo humbje ka për ta ndryshuar skuadrën”.
Afelai, qëndron me siguri te Barça
Ka ardhur dhe “jo”-ja e parë për Juven, e cila ka nevojë për një mesfushor krahu. Ka qenë lojtari i kombëtares holandeze dhe Barcelonës, Ibrahim Afelai ai që ka refuzuar ofertën e Marotës.
“Lojtari që unë përfaqësoj do të qëndrojë me siguri në Spanjë. Ai është i lumtur tek Barcelona. A më ka kontaktuar klubi bardhezi? Nuk ia vlen t’i përgjigjem kësaj pyetjeje pasi s’ka dyshime mbi të ardhmen e Ibrahimit,” ka thënë agjenti i lojtarit holandez, Robert Jansen.
Karles Pyjol
Do të mungojë në Superkupë ndaj Realit
Fituesit e kampionatit spanjoll, katalanasit e Barcelonës, nuk do të kenë në dispozicion shërbimet e Karles Pyjol, në ndeshjen e Superkupës së Spanjës, që ata do të zhvillojnë kundër fituesve të Kupës së Mbretit, Realit të Madridit.
Akti i parë i këtij trofeu do të luhet më 14 gusht në “Santiago Bernabeu” ndërkohë që, ndeshja e kthimit do jetë tri ditë më vonë në “Camp Nou”. Pyjol nuk do të ketë mundësi të luajë për shkak të një dëmtimi.
Mbrojtësi i kombëtares spanjolle u dëmtua në gju gjatë janarit, duke munguar për tre muaj rresht ndërkohë që, pavarësisht mjekimeve të marra, shqetësimet filluan t’i rikthehen gjatë qershorit.
Muajin e kaluar ai zhvilloi trajnim individual dhe shpresat e tij për rikuperim u rritën, gjithsesi lojtari nuk është rikuperuar plotësisht, madje ai pritet të mungojë edhe në ndeshjen e 26 gushtit ndaj Portos.
Ndërkaq, kombëtarja spanjolle do të zhvillojë një miqësore në datën 10 gusht kundër Italisë, por trajneri Del Boske nuk kërkon të rrezikojë me mbrojtësin.