Policia e Shtetit ka vendosur një shpërblim prej 20 mijë dollarësh për kë do të ndihmojë në arrestimin e vrasësit te shtetasit Aristotel Guma, dy ditë më parë në Himarë.
Lajmin e bëjnë të ditur burime policore zyrtare, sipas të cilave për arrestimin e vrasësit, shtetasit Ilir Muka, është shpallur një urdhërarrest ndërkombëtar.
Muka goditi qëllimisht me automjetin e tij 35 vjecarin Guma, pasi ky i fundit foli në gjuhën greke, duke shkaktuar vdekjen e tij.
Kjo vrasje shkaktoi reagimin e ashpër të Athinës zyrtare, e cila tha se ngjarja mund të cënojë marrëdhëniet mes dy vendeve, si dhe atë të kryepeshkopit Janullatos, i cili vlerësoi se incidente të tilla mund të cënojnë bashkëjetesën mes popujve.