Home Lajme Sport Horner: Fetel të mendojë për garat, skuadrën e menaxhoj unë!

Horner: Fetel të mendojë për garat, skuadrën e menaxhoj unë!

272
0

Shefi i skuadrës Red Bull, Kristian Horner, i është rikthyer një analize të sezonit për skuadrën e tij dhe disa deklaratave të kampionit të botës

 

Nga Ermal Godenca

 

Shefi i skuadrës Red Bull, Kristian Horner, ka përgënjeshtruar fjalët që qarkullojnë, sipas të cilave, Sebastian Fetel, ka kërkuar që t’i jepet urdhër shokut të tij të skuadrës në mënyrë që të jetë vetëm ai fitues. Sipas Horner, piloti gjerman është më shumë i përqendruar te fitimi i kampionatit, se te puna e të tjerëve.

Fetel kryeson që nga fillimi i këtij sezoni kampionatin, duke pasur një diferencë të konsiderueshme me ndjekësit, kjo falë 6 fitoreve në 8 garat e para të këtij sezoni. Gjithsesi, skuadra me qendër në Milton Kejnes nuk ka asnjë fitore në tri garat e fundit, ku dy prej tyre u fituan nga pilotët e McLaren-it dhe një tjetër nga skuadra Ferrari, dy rivalët e saj më të forte, që kanë rikuperuar ndjeshëm disavantazhin që kishin.

Piloti i Ferrarit, Fernando Alonso, arriti të kalojë i pari në finishin e garës së Silverstonit, ndërkohë që Ljuis Hamilton fitoi në Gjermani dhe Xhenson Baton në Hungari. Në këto gara që vijnë radhazi, skuadra Red Bull, nuk është paraqitur mirë as në sezonin e shkuar në Belgjikë, Itali dhe Singapor. “Ne punojmë si skuadër dhe nuk është e nevojshme, që pilotët të na thonë se çfarë mund të bëjmë,” – thotë Kristian Horner.

Aktualisht Sebastian Fetel ka një avantazh prej 85 pikësh me shokun e tij të skuadrës Mark Veber, që ndodhet në vendin e dytë në klasifikimin e përgjithshëm për pilotë. Piloti gjerman u rendit në vendin e dytë në Çmimin e Madh të Hungarisë, pasi e nisi garën nga “poli”.

“Eshtë e drejtë dhe duhet pranuar se Ferrari dhe McLaren-i kanë bërë hapa përpara në garat e fundit. Për këtë ne duhet të kuptojmë se çfarë po ndodh. Gjithashtu, na duhet të shohim makinën tonë dhe të kuptojmë se ku mund ta përmirësojmë. Kanë mbetur ende shumë gara për t’u zhvilluar dhe nuk duam të befasohemi në ndonjërën prej tyre, ku mund të kemi edhe vështirësi. Gjithsesi, objektivi është që të shtyjmë sa më shumë dhe të futemi në çdo pistë për të fituar,” – shton Horner.

Gjithsesi, shefi i skuadrës Red Bull përgënjeshtron zërat, sipas të cilave, ata si drejtues do të ndryshojnë taktikë dhe do të urdhërojnë që të fitojë vetëm Sebastian Fetel. Për këtë arsye, ai i këshillon pilotit gjerman, që të qëndrojë i fokusuar te garat më shumë se sa t’i kërkojë skuadrës se si ta bëjë punën e saj. “Ne punojmë si skuadër dhe pilotët nuk mund të na tregojnë se si duhet të punohet. Ferrari dhe McLaren po kalojnë një fazë kompetitive, por ne jemi aty,” – thotë Horner.

Ai përgënjeshtron gjithashtu faktin, që skuadra Red Bull e ka mbyllur ciklin e saj, duke i kujtuar edhe një herë të gjithëve, se kanë fituar disa gara në këtë kampionat dhe një pjesë e tyre me diferencë të madhe.

“Gjithsesi nuk mund të qëndrojmë me rezultatet që kemi bërë deri tani, na duhet të vazhdojmë të punojmë sa më shumë dhe të përmirësojmë makinën. Nëse do të shihni të gjitha garat në këtë sezon nuk mund të gjendet ndonjë garë, që ne të jemi paraqitur dobët. Nëse ju kujtohet gara e Melburnit, Hamiltoni ishte shumë pranë edhe pse prapa Fetelit. Edhe në Barcelonë dhe në Valencia rivalët tanë kanë qenë pranë nesh, jo aq larg. Ne thjesht jemi treguar në kufijtë e perfeksionit, duke mos bërë hapa gabim. Gomat në këtë sezon i kanë komplikuar shpesh garat, megjithatë Red Bull-i mbetet skuadra për t’u mundur,” – përfundon Kristian Horner.

 

 

Renault tregon shkaqet e zjarrit në makinën e Hajdfeldit

 

Skuadra franceze Renault ka treguar, nëpërmjet një komunikate të publikuar, se një skapamento e dëmtuar ka sjellë zjarrin në makinën e Nik Hajdfeldit, gjë që e detyroi pilotin gjerman të tërhiqej nga gara e Çmimit të Madh të Hungarisë.

Gjithashtu, ai shpërthim i vogël që u vu re gjatë momentit të daljes së pilotit nga makina, ka ardhur për shkak të një “shisheje me ajër”. Makina Renault e Nik Hajdfeld shpërtheu në flakë në xhiron e 23-të të garës, në momentin që po dilte nga “pit-stop”-i i radhës.

“Skapamento ishte nxehur shumë dhe për këtë gjë ne kemi kërkuar një zgjidhje të ndryshme teknike nga FIA. Gjatë kohës së “pit-stop”-it të Hajdfeldit, makina ka qëndruar për 6.3 sekonda me xhiro të larta, pasi piloti e mban makinën me gaz në ato momente që ndryshohen gomat, ndërkohë që temperatura e skapamentove rritet në ato regjime me 100 gradë Celsius për sekondë. Për mendimin tonë, shkaku kryesor ka qenë “shishja e ajrit”, që ndodhet në motor për të ndihmuar qarkullimin e ajrit nëpër valvula,” – shkruhet në një komunikatë, të publikuar nga skuadra franceze.

 

Sporti Shqiptar Online