Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka akuzuar Serbinë se po kërkon të shfrytëzojë rritjen e tensioneve në Kosovë, për të ndjekur ëndrrën e saj të gjatë të ndarjes së rajonit, njofton Kosovapress duke iu referuar një intervistë të Hoxhajt për agjencinë e lajmeve Reuters.
Sipas ministrit Hoxhaj, rreziku është i vërtetë dhe nëse nuk ka presion ndarja është një realitet.
“Kjo, para së gjithash, varet se si do të reagojnë shtetet e fuqishme ndaj situatës në veri, varet se si vendet e NATO-s do ta mbështesin praninë dhe punën e KFOR-it në këtë pjesë të territorit dhe varet se sa do të bëjë presion diplomacia ndërkombëtare ndaj Beogradit”, ka thënë Hoxhaj për agjencinë “Reuters”.
Që kur Serbia ka hequr pengesën e saj kryesore në rrugën drejt Bashkimit Evropian, me arrestimin e të akuzuarit për krime lufte, Ratko Mlladiç, udhëheqësit e saj kanë folur hapur për idenë e mundshme të ndarjes paqësore të veriut të Kosovës.
Sipa këtij skenari, Serbia do të merrte 11 për qind të territorit të Kosovës, në këmbim të normalizimit të marrëdhënieve me Prishtinën.
“Ndarja do të hapë Kutinë e Pandorës, ku pasiguria, jostabiliteti dhe dhuna mund të përhapen brenda rajonit në një shkallë të paimagjinueshme”, ka thënë Hoxhaj.