Një provokim i shëmtuar ndodhi mbrëmjen e djeshme, kur Flamurtari pa të zhgarravitur flamurin serb mbi autobuzin e tij, pas përfundimit të seancës stërvitore të mbrëmjes. Rreth orës 21:30, në daljen nga stadiumi “Pod Goricom”, u konstatua se mbi portën e shoferit të mjetit ishte spërkatur me bojë flamuri dhe simbole serbe. Trajneri Magani, i cili ishte i pari që pa dhunimin e kryer ndaj mjetit, kontaktoi menjëherë kryebashkiakun dhe presidentin Shpëtim Gjika, i cili urdhëroi bllokimin e autobuzit, deri në fshirjen e simboleve fyese. Të informuar për incidentin, drejtuesit e Buduçnostit pritës zgjidhën situatën duke ngjitur letër të bardhë mbi derë, ndërsa pastrimi i plotë do të kryhet prej tyre mëngjesin e sotëm. Skuadra u largua drejt hotelit vetëm kur simbolet serbe ishin mbuluar. i kontaktuar në linjë telefonike, Gjika theksoi se “nuk ka ndërmend të tolerojë asnjë provokim të këtij lloji”. Bie në sy fakti se Flamurtari kreu stërvitjen e tij të fundit përpara përballjes së sotme i rrethuar nga forcat e rendit, të cilat ishin të pranishme në hyrje të stadiumit, ku ishte parkuar edhe autobuzi.