Rastet e dhunës në stadiumet shqiptare nga personat VIP, nga Dash Sula te Elvis Roshi
Futbolli shqiptar është i mbushur plot me raste dhune, e pothuajse në të gjitha rastet dhunuesit nuk kanë pësuar asgjë, duke vazhduar në këtë mënyrë të njollosin futbollin shqiptar. Por në të shumtën e rasteve dhuna ka ardhur nga personat e ashtuquajtur VIP, si nga tifozët politikanë apo nga presidentët e klubeve.
Elvis Roshi. Rasti më i fundit ishte ai kryetarit të bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, i cili goditi trajnerin e Tiranës, Nevil Dede. Ndërkohë që vetë Roshi e mohon dhunën, dhe duke qenë se ngjarja tashmë është politizuar tërësisht, vështirë se do të zbardhë e vërteta.
Kryebashkiaku i Gramshit Ndërkohë para dhunës në Kavajë, kryebashkiaku i Gramshit hyri në fushë me makinë të shtunën e kaluar, pasi ishte i pakënaqur me gjykimin.
Dhuna ndaj gjyqtarëve Në dhjetor të 2011, dy herë u sulmuan gjyqtarët, së pari në Laç me përfshirje të presidentit Pashk Laska ku objekt ishte arbitri Jemini. Më pas, në Pogradec, në ndeshjen ndaj Teutës u sulmua gjyqtari Jorgji gjithashtu nga zyrtarë. Në shkurt të 2008-ës, Tepelena u përjashtua nga kampionati për dhunë ndaj gjyqtarëve në ndeshjen ndaj Pogradecit, po ashtu Butrinti e Tërbuni u përjashtuan nga edicioni dhe u ulën një kategori sezonin pasardhës. Në Librazhd, gjyqtari Arben Pregja u godit me sende të forta dhe rrezikoi jetën në ndeshjen Sopoti-Naftëtari, ndërsa në 2006-ën pati 3 episode të rënda. Në Burrel, në nëntor, zyrtari i Federatës, Sulejman Mema, thuajse humbi jetën i sulmuar në ndeshjen ndaj Erzenit. Po atë muaj, ish-kryebashkiaku Zotka u akuzua që ushtroi dhunë në ndeshjen ndaj Bylisit, ndërsa ngjarje të rënda pati edhe në fushën e Gramozit, madje edhe në Flamurtari-Teuta.
Dashmor Sula
Më maj 2012, deputeti peninas Dash Sula u akuzua që shtiu me armë në mjediset e stadiumit të Peqinit, diçka që ai e kundërshtoi, por Federata dënoi me -6 pikë Shkumbinin dhe me humbje të ndeshjes ndaj Flamurtarit. Por Sula ëhstë ndoshta politikani që më shumë ka pushtuar faqet e para të shtypit për ngjarjet në stadiume, sesa për ngjarjet në politikë.
Shpëtim Duro goditet nga kryebashkiaku i Peqinit
Në vitin 2010 Shpëtim Duro që ishte trajner i Besës, është goditur me grusht nga kryetari i Bashkisë së Peqinit, Ilir Rrusha, ndërkohë që në incidentin e rëndë u përfshi edhe zëvendëstrajneri i Shkumbinit, Klodian Dervishi. Ngjarja e rëndë ndodhi menjëherë pas eliminimit të Shkumbinit nga kavajasit në gjysmëfinalet e edicionit të 58-të të Kupës së Shqipërisë, ku Besa fitoi 1-0 në Peqin pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë në Kavajë. Sipas mediave, ish-trajneri i Partizanit, Duro, u godit në sy në korridorin e dhomave të zhveshjes të fushës së Peqinit, duke rënë për disa minuta pa ndjenja.
Dhuna ndaj gjyqtarëve italiane
Në vitin 2009 kur Shkumbini u eliminua në gjysmëfinale nga Flamurtari, ultrasit bardhekaltër goditën gjyqtarët italianë dhe lajmi bëri xhiron e botës.
Disa nga rastet e dhunës mbi gjyqtarët
Mentor Sopjani
Gjyqtari kryesor Sopjani dhe anësori Fatmir Limaj u dhunuan në ndeshjen Tërbuni-Kastrioti (1-1, java 19, Kategoria e Parë 01.03.2009). Ndeshja u ndërpre, Sopjani mori mjekim urgjent ne spitalin e Pukës.
Mane, Qiriazi, Maze
Lojtarët e Vlorës zunë me shkelma dhe grushte gjyqtarin nga Erseka, Mane dhe ndihmësit e tij, Qiriazi dhe Maze, të cilët i konsideruan fajtor në humbjen 1-0 me Domosdovën të zhvilluar në Përrenjas (sezoni 2009-2010).
Edvaldo Dyrmishi
Në takimin Këlcyra-Tomori 0-1 (06.12.2009, java 11 e Kategorisë së Dytë, Grupi i Jugut), anësori Edvaldo Dyrmishi u godit me gur. Gjyqtari kryesor ndërpreu ndeshjen disa herë gjatë atij takimi.
Denis Agaraj
Zyrtari i Gramozit, Altin Hodo, goditi me grusht anësorin Denis Agaraj gjatë takimit Gramozi-Vllaznia 1-1 (sezoni 2009-2010, java 22, 20.02.2010). Hodo u ndëshkua me përjashtim të përjetshëm nga futbolli nga Komisioni i Disiplinës.
Astrit Mahmutaj
Anësori u godit me grushte nga mjeku i Leshnjes, Caka dhe sulmuesi Bubeqi, gjatë ndeshjes Lushnja-Pogradeci 1-2 (java 20 Kategorisë së Parë, sezoni 2010-2011, 01.03.2011).
Lorenc Jemini
Gjyqtari u godit në ndeshjen Laçi-Kastrioti (sezoni 2011-2012, java 11, 04.12.2011). Jemini u rrah nga presidenti i Laçit, Pashk Laskaj dhe disa drejtues të tjerë të klubit laçjan. Laskaj u ndëshkua me dy vjet për të mos ndjekur ndeshjet ekipit të tij, ndërkohë që Laçit iu zbritën 6 pikë në renditje dhe ndeshjet si organizator do t’i zhvillojë jashtë shtëpisë.
Enea Jorgji
Gjyqtari u godit në ndeshjen Pogradeci-Teuta (sezoni 2011-2012, java 12, 17.12.2011). Pogradecit iu hoqën tri pikë nga renditja.