Home Kuriozitete INSTAT, pse janë shqiptarët “dembelë”

INSTAT, pse janë shqiptarët “dembelë”

359
0

Ndërsa në fund të vitit 2009 rezultoi se rreth 75 mijë shqiptarë nuk figuronin më të punësuar, krahasuar me një vit më parë, vetë analiza e statistikave të punësimit të INSTAT , krahasuar me ato të vendeve fqinje, tregojnë një histori po aq shqetësuese. Duke analizuar fillimisht gjëmën në numrat e të punësuarve shqiptarë në tremujorin e katër të vitit 2009 – kohë kur kriza ekonomike në vend ishte theksuar – duhet theksuar se shumica e të larguarve nga tregu i punës i përkiste sektorit bujqësor, ku një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve konsiderohen të vetëpunësuar nga institucionet shqiptare.
Pikërisht në këtë sektor u llogaritën mbi 72 mijë individë të larguar. Në fakt, përcaktimi i vetëpunësimit në sektorin privat bujqësor është bërë me kohë objekt kritikash a dyshimesh të ngritura. Dhe aktualisht, është pikërisht ky sektor, ku rezultoi se kishte ndodhur pothuaj gjithë eksodi i forcave të punës në fund të vitit 2009.
Diçka para zgjedhjeve parlamentare, sipas statistikave shqiptare, papunësia rezultoi të ishte ulur për shkak të riklasifikimit të disa mijëra fshatarëve si të vetëpunësuar. Një marifet ky i shpikur dhe i zbatuar me sukses relativ nga qeveria Nano dhe që u ndoq në mënyrë të përshkallëzuar nga qeveria Berisha. Sipas këtij vlerësimi, çdo fshatar i aftë për punë konsiderohet i vetëpunësuar në bujqësi, ndonëse ende sot nuk kemi një raport të besueshëm që ta vërtetojë këtë skenar.
Ndërsa sot, po rezulton që për shkak të goditjeve në ekonominë reale nga kriza apo në rastin më të mirë, nga ndonjë masakër statistikash të INSTAT, ky sektor është përballur me humbjen e mbi 72 mijë individëve në radhët e të punësuarve të tij.
Por, një krahasim i kryer nga drejtues të Institutit AGENDA mes shifrave të punësimit të raportuara nga Instituti i Statistikës në Shqipëri, me ato të institucionit homolog në Maqedoni, tregojnë një histori po aq turbulluese, lidhur me dyshimet që ngrihen mbi krejt vërtetësinë e statistikave të punësimit “Made in Albania”.
Shqipëria ka një popullsi totale prej diçka më pak se 3.2 milionë, ndërsa popullsia në Maqedoni llogaritet në diçka më shumë se 2 milionë, çka përkthehet në një diferencë prej 55% më shumë në favor të Shqipërisë. Nga ana tjetër, forcat e punës në Shqipëri llogariten në pak më shumë se 1 milion, ndërsa në Maqedoni kjo shifër rezulton në rreth 921 mijë, me një diferencë minimale prej vetëm 13%. Ndërsa për sa i përket normës së pjesëmarrjes në tregun e punës – duke marrë parasysh popullsinë në moshë për të punuar – kjo normë në Maqedoni rezulton në nivelin 56%-57%, ndërsa në Shqipëri, vetëm në nivelin 43%. Të gjitha këto diferenca absurde mes vendeve me karakteristika të ngjashme, sociale, ekonomike, territoriale e kulturore, rezultojnë thellësisht absurde.
Sipas Gjergj Filipit, Drejtor i Kërkimeve pranë Institutit AGENDA, lidhur me deklarimin e shifrave të punësimit nga ana e INSTAT për vitin 2009, çka është evidentuar sakaq është një rënie në numrin e të punësuarve nga tremujori i katërt i 2009-ës në tremujorin e katërt të 2008-es prej rreth 75 mijë personash. “Që do të thotë se sipas kësaj shifre, nuk figurojnë më të punësuar, 75 mijë shqiptarë. Pjesa më e madhe e tyre nuk figurojnë më të punësuar nga sektori privat bujqësor, të tjerët nga sektori privat jobujqësor dhe sektori shtetëror”, thekson Filipi.
Eksperti i Ekonomisë vëren se rënia e punësimit në sektorin joprivat bujqësor është tregues i ndikimit të krizës në ekonominë reale shqiptare. Këto efekte pritet të përshkallëzohen gjashtë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2010, për sa kohë që kriza po kalon nga niveli i ndikimit financiar, në nivelin e ekonomisë reale. Nga ana tjetër, vihet re se megjithëse rezultojnë 75 mijë persona më pak të punësuar harkun e një viti, ne vëmë re që rritja e të papunëve të regjistruar është rritur me vetëm 1845 mijë. “Këto dy shifra janë tërësisht konfliktuale sepse do të thotë se kush ka qenë i punësuar para një viti, sot nuk dëshiron më të punësohet, çka sipas INSTAT, përkthehet në 73150 shqiptarë, të cilët në fakt nuk mund të jenë bërë pasivë ndaj tregut të punës në harkun e një viti. Kjo do të thotë që ose sistemi i raportimit të shifrave është tërësisht deficitar, ose shifrat nuk janë reale”, thekson Filipi.
Ai shton se pjesa më e madhe rënies i referohet sektorit privat bujqësor, ku nuk ka lëvizje të shifrave për 3 katërmujorë radhazi, por vihet re një ndryshim shumë të fortë në tremujorin e fundit të 2009-ës. Sipas ekspertit të AGENDA-s, kjo do të thotë që më së paku INSTAT nuk ka mundësi që t’i masë të dhënat e punësimit të në sektori privat bujqësor në kohë reale, ose do të thotë se ky institucion nuk ka bërë sa duhet për të rishikuar metodologjinë e matjes.
“Është një e dhënë dinamike, në fakt, e cila kërkon matje të vazhdueshme, por nuk e kuptoj sepse Instituti i Statistikave në Maqedoni, ka mundësi ta realizojë një matje të tillë, ndërsa ne nuk mundemi”, sqaron Filipi. “Ndërkohë, duhet të kemi parasysh që shteti maqedonas është shumë më i ri në traditën e administratës publike nga sa është shteti shqiptar, i cili duhet t’i kishte këto shifra, tashmë të konsoliduara. Dhe duke krahasuar shifrat me fqinjin maqedonas, shfaqen disa paradokse në të dhënat zyrtare mbi punësimin”, shton ai.
Sipas Filipit, duhet marrë parasysh se numri total i popullsisë shqiptare është 55% më i madh se numri i popullsisë maqedonase, normë e cila duhet të ndiqej me përafërsi edhe në treguesit e tregut të punës. Por, kur kalohet nga raporti i popullsisë në atë të forcave të punës, diferenca është shumë e madhe në favor të Maqedonisë dhe shqiptarët rezultojnë vetëm 13% më shumë në kategorinë e forcave të punës, “çka do të thotë se kemi të bëjmë ose me dembellëk, ose të paktën me administratë dembele, ose me institucione që gënjejnë”. “Bëhet fjalë për dy vende me karakteristika të ngjashme ne shumë drejtime, me popullsi rurale dhe urbane në norma të ngjashme me tonat, në raportin meshkuj-femra në norma të ngjashme me tonat, por sërish ne vëmë re një pamundësi për të përfshirë në tregun e forcave të punës, popullsinë në Shqipëri që quhet ndryshe shkalla e pjesëmarrjes”, thotë ai. Kjo e fundit raporton totalin e forcave të punës me totalin e popullsisë në moshë pune.
Filipi vëren se në qoftë se kryhen korrektimet e duhura të grupmoshave, duke qenë se Maqedonia e llogarit popullsisë në moshë pune nga 15 deri në 79 vjeç, ndërkohë që në Shqipëri zyrtarisht matet nga 15 në 64 vjeç, kuptohet se norma e pjesëmarrjes në Maqedoni rezulton 56-57% për vitin 2009, ndërsa në Shqipëri rezulton se norma e pjesëmarrjes rezulton në vetëm 43%, çka me fjalë të tjera se nga 100% e shqiptarëve të aftë në punë, 43% prej tyre rezultojnë që ose janë të punësuar ose duke kërkuar punë. “Sërish kjo është një shifër joreale, sepse Shqipëria ka një popullsi vitale dhe jo keq të përgatitur nga ana profesionale, çka do të thotë që më së paku të gjithë këta individë duhet të kërkonin punë. I vetmi shpjegim është ose që informaliteti është në përmasa të tilla sa që influencon fort këto të dhëna ose kemi problem në matjen e shifrave. Kjo, sepse është e papranueshme që në raport me fqinjët tanë, ndaj të cilëve ne kemi disa avantazhe në burime ekonomike ku mund të punësohen shumë individë, Shqipëria të ketë një normë pjesëmarrjeje të forcave t ëpunës në nivelin 43%”, thekson ai. Gjithashtu, sipas Filipit, të bën përshtypje në krahasimin e shifrave mes vendeve duke krahasuar normën e papunësisë, ku në Shqipëri deklarohet se papunësia është në nivelin e vetëm 13.75%, sipas të dhënave të INSTAT të tremujorit të fundit të 2009-ës, Kjo do të thotë se Maqedonia jep shifra më realiste, duke e raportuar papunësinë në nivelin 32.4%.
Në fakt, për sa kohë mes këtyre dy vendeve, nuk ka kufizime për lëvizjen e lirë të njerëzve, pra nuk ka një sistem vizash, në kushtet kur do të ekzistonin realitete të ndryshme ekonomike, ku një shtet ka papunësi në nivelin dhe 13% ndërsa fqinji i tij ka papunësi në nivelin mbi 32%, duhet të ishin vërejtur flukse të mëdha lëvizëse nga Maqedonia për në Shqipëri.
Duke theksuar pikërisht këtë raport, Filipi thotë se këta qytetarë maqedonas do të kërkonin ta gjenin të ardhmen e punësimit të tyre në tregun shqiptar, por diçka e tillë nuk rezulton, madje të dhënat reale tregojnë të kundërtën. Ai ilustron me faktin se shumica e bujqve shqiptarë që jetojnë me zonën kufitare me Maqedoninë, vazhdojnë të angazhohen në punësim sezonal në palën maqedonase. “Shifra e papunësisë në Maqedoni duhet të jetë orientuese edhe në rastin e Shqipërisë, e cila duhet të rezultojë gjithashtu, mbi nivelin e 30%”, përfundon ai.

/Mapo/