Kampioni i Evropës, Interi, ka fituar dhe titullin e katërt në vitin 2010, pasi përmbysi dizavantazhin ndaj Romës në ndeshjen që u zhvillua në Giuseppe Meazza.
Ndeshja që nga minuta e parë ishte fantastike. Interi shtriu dominimin nëpërmjet Wsley Sneijder i cili është në formën e tij jetësore, ndërsa Roma pati rastet më të mira.
Roma arriti të befasojë vendasit, kur pas një pasimi maestral të Francesco Tottit, në zonë u gjend mirë John Arne Riise (21’) që shfrytëzoi hutinë e mbrojtjes së Interit për të shënuar për 1-0 dhe gëzimin e 16 mijë romakëve në Meazza.
Interi vazhdoi ndeshjen me raste të panumërta, por edhe Roma nuk qëndroi prapa. Megjithatë, Nerazzurët u treguan efikasë kur pas një gabimi të Juan fare pranë portës, mirë ishte pozicionuar Goran Pandev (42’), që nuk e pati problem ta fuste topin në rrjetë për 1-1.
Fraksioni i dytë ishte më i nivelizuar me disa raste shënimi si për njërën ashtu dhe për palën tjetër. Adriano u inkuadrua pas një orë lojë, ndërsa e veçanta e hyrjes në lojë të ish-sulmuesit legjendar të Interit ishin lotët e ‘Perandorit’ në fushën epike të Meazzas.
Lucio tregon talentin e tij kur kaloi tre lojtarë të Romës, për ta lënë të lirë në krah Diego Militon i cili me një harkim të ulët fenomenal e shërben Samuel Eto’on që kaloi Interin në epërsi (70’).
Roma tashmë ishte dorëzuar dhe në këmbë Giallorosët i preu përsëri Samuel Eto’o (80’), kur shënoi për rezultatin përfundimtar 3-1 dhe titullin e parë të Interit në sezonin e ri dhe të katërtin në vitin 2010.
Padyshim se kjo fitore do të thotë shumë për Rafa Benitezin, i cili tani ka se me çfarë t’i heshtë kritikët, kurse Romës i mbetet të punojë ende, përkundër faktit se ka një skuadër të jashtëzakonshme dhe një lojë tejet atraktive dhe efektive, aspekte këto që u treguan të padobishme ndaj ekipit më të fortë në botë.
http://shqiplajme.com/interi-fiton-superkupen-e-italise/