Pas 45 vitesh pritje, Interi është kthyer në majën e botës së futbollit. Dikur betejat luheshin kundër argjentinasve të Independientes, dje ishte radha e afrikanëve. Atëherë luanin Korso dhe Mazola, dje Eto dhe Zaneti. Bota ka ndryshuar, por vazhdon të jetë zikaltër. Përballë ishin afrikanët e Mazembes, ëndrra e të cilëve u prish nga afrikani Samuel Eto. Interi i Moratit fiton lehtësisht 3-0 në finalen e Kupës së Botës së Klubeve dhe kthehet dominues në arenën ndërkombëtare. Me këtë titull bëhen pesë, por është Benitez që e kompleton tablonë. Trajneri zikaltër merr frymë lirisht sepse ndoshta realizoi edhe objektivin e sezonit: të shihte Zanetin të ngrinte lart kupën.
Dominimi – Ky turne shkoi vaj për Interin, me përjashtim të dëmtimit të Shnejderit. Asnjë gol i pësuar, gjashtë të shënuar. Një finale që u dominua që nga fillimi kundër Mazembes që i kishin shteruar forcat ndoshta. Ndonjë tentativë e Kaluyituka nuk mjaftonte për të shqetësuar Kordobën dhe Lusion. Interi e nis menjëherë mirë dhe e mbyll me golin e të sapofuturit Biabiani. Fitorja ishte e lehtë, por tifozëve interistë u shijon edhe më shumë. Rëndësi ka që titulli është i tyre!
Ceremonia e Kupes
Eto – Ishte shkruar që ëndrra afrikane e Mazembes të shuhej nga një afrikan që ka përfaqësuar me vite kontinentin e tij në Europë: Samuel Eto në pesë minuta u tregoi kongolezëve se për këtë vit kaq ishte rruga e tyre. Në minutën e 13-të shpik pasimin për Pandevin, që futet në qendër të mbrojtjes: parabola mashtron portierin Mihayo, maqedonasi është i qetë dhe shënon. Pas pesë minutash shënon vetë Eto, kur Zaneti kroson dhe Eto shfrytëzon ndalimin e topit nga Pandev dhe gjuan saktë në cep. Dy me zero dhe më pas festimi i çuditshëm i kamerunasit me dy qese pazari.
Vulos Biabiani – Goli i tretë vjen pesë minuta para përfundimit të ndeshjes, kur Stankoviç peshkon Biabianin, i cili shënon. Nëse Milito do të ishte në ditë më të mirë, Mazembe mund të kishte pësuar më shumë gola, pasi “Princi” humb disa raste të pastra si në pjesën e parë ashtu edhe në të dytën, kur vonesa dhe pasaktësia i kushtuan golat dhe e nervozuan.
Benitez – Rafa Benitez donte që për këtë ndeshje të dallohej me një skemë të vetën; nuk luajti me skemën 4-2-3-1 “alla Mourinjo”, por me 4-3-3, duke hequr dorë fillimisht nga Stankoviç, ndër lojtarët më në formë këtë sezon. Dejan futet në lojë në pjesën e dytë në vend të Kivusë, si në një lloj stafete të programuar. Superioriteti i treguar nga Interi të bën të kuptosh se edhe me një tjetër skemë, rezultati i kësaj ndeshjeje do të kishte qenë i njëjtë, por e vetmja siguri është që plani i trajnerit spanjoll funksionoi. I favorizuar nga një presing asfiksues, Interi bën lojë të bukur teknikisht, me Tiago Motën, Kambiason, Zanetin dhe Pandevin. Diferencën e bën Eto, por një lojë të bukur bënë edhe Pandev, Kambiaso dhe Zaneti, që duket se janë kthyer në nivelet më të mira të vitit të shkuar. Në formë të mirë u pa edhe Maikon, pjesë e një mbrojtjeje që vuan pak në pjesën e dytë, si pasojë e agresivitetit të afrikanëve, që nuk kanë çfarë të presin më. Por në momentet e vështirësisë është Hulio Sezar që imponohet me zotësinë e tij. Kjo skuadër jep shpresa edhe për të ardhmen, falë lojtarëve të rikthyer, por në natën e djeshme të Abu Dhabit nuk ka menduar kush për të ardhmen. Vetëm e sotmja ka rëndësi!
Ceremonia e Kupes