Flet e mbijetuara: Dëgjova shoferin që bërtiti, sekondat fatale të rrëzimit në humnerë. Mendoj se diçka u bllokua. Mbase timoni, mbase frenat.
Ergita Opingari është njëra nga të mbijetuarat e aksidentit tragjik të Himarës. Ditën e djeshme ajo ka parë vërtet tmerr me sy. Në mendje i vërtiten çastet e aksidentit, britmat e shoqeve, fytyrat e çuditura teksa përpëliteshin për të kuptuar se ç’po ndodhte, por edhe trupat e tyre të copëtuar.
Ergita ende nuk i mban mend të gjitha ato që kanë ndodhur për shkak të tronditjes. E shtruar në katin e tretë të Spitalit të Vlorës, ajo është e mbijetuara e tragjedisë së Qafë-Vishës në Himarë, ku humbën jetën 11 studente, një person tjetër dhe shoferi i autobusit, Pëllumb Çela, si dhe u lënduan rëndë 25 të tjerë. Ergita nuk e ka idenë se kanë vdekur shumë nga personat që ndodheshin në autobus. Ka momente që dyshon, pasi shumë prej shoqeve i ka parë të mbuluara me gjak, por optimizmi i shtirur i mjekëve për të mos e demoralizuar atë ka bërë që ajo të besojë atë çfarë i thonë të tjerët. Nga spitali ku po mjekohet Ergita ka folur dje për gazetën “Panorama”, ku tregon me detaje nga organizimi i turit për tri ditë në Jug të Shqipërisë, ndalesat gjatë rrugës, argëtimet për disa orë dhe… deri te rrëshqitja e automjetit në greminë. Studentja e mbijetuar është në vitin e fundit të Fakultetit Gjuhë-Letërsi, në universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Ajo thotë se si çdo vit, organizohen udhëtime të tilla, në këtë rast një udhëtim treditor në mbyllje të vitit shkollor. Studentja thotë se organizimi i udhëtimit është bërë nga profesor Albert Riska, i cili jep lëndën “Histori gjuhe” dhe është shef departamenti në universitet.
Është e detyrueshme marrja pjesë në këto lloj turnesh?
Jo, jo. Është me dëshirë.
Jashtë dyerve të spitalit, një prind e akuzoi profesorin që ju sapo përmendët, se i ka marrë me detyrim studentët në turne, pasi në këtë mënyrë përfiton para prej udhëtimit në grup…
Kjo është absurde. Profesor Berti është njeriu më korrekt që kam njohur. Një pedagog i shkëlqyer, por edhe i kujdesshëm. Jo vetëm që nuk na ka urdhëruar, por madje na ka kërkuar disa herë që të firmosnim në një letër para se të niseshim. Të gjithë kemi nënshkruar dhe firmosur aty. Kjo është lehtësisht e vërtetueshme. Më vjen keq që në momente dhimbjeje dikush mund të shprehet kështu. Të gjithë ne jemi nisur me krejt dëshirë nga Elbasani. Unë vetë jam nga Berati. Mora leje nga prindërit dhe u nisa.
Në çfarë ditë dhe çfarë ore u nisët?
U nisëm sot rreth orës 07:00 të mëngjesit. Profesori na lexoi emrat, na konfirmoi të gjithëve dhe vijuam rrugën.
A keni ndaluar gjëkundi?
Po, ndaluam pak minuta në një lokal pranë autostradës së Lushnjës. Dikush piu diçka e dikush tjetër u freskua apo kreu nevojat personale. Personalisht qëndrova brenda autobusit. Ishte një ndalesë shumë e shkurtër. Më pas u ndalëm diku mes Dhërmiut dhe Himarës për të ngrënë drekë. Kur zbritëm aty, gjetëm plot studentë dhe gjimnazistë të tjerë të ardhur nga rrethet me autobusë. Duke qenë se ishte radhë e madhe për të ngrënë, atëherë vendosëm që të vijonim rrugën dhe të drekonim diku tjetër. Në një vend ku të shihnim se nuk kishte shumë njerëz dhe të mund të rrinim të qetë.
Dhe e gjetët?
Gjetëm vetëm tmerrin tonë. Nuk arritëm dot të hanim drekë, pasi pak minuta para se të arrinim rrëshqitëm në humnerë.
A e mbani mend se çfarë ndodhi?
Janë pak çaste, por i mbaj mend. Po zbrisnim një dishezë kur dëgjova britmën e shoferit. Dhe pas tij të gjithë nisëm të ulërinim. Brenda pak sekondash ndjeva një supertronditje nga një goditje e fuqishme. Pas saj edhe një tjetër. Edhe një tjetër… derisa e pashë veten në humnerë.
Përse bërtiti shoferi dhe a tha ndonjë fjalë?
Shoferi nuk ka thënë asnjë fjalë, përveçse ka bërtitur. Atij iu bllokua timoni. Dukej sikur nuk po e kontrollonte dot më autobusin. Lëvizte duart mbi timon, por i qëndronin aty. Pa e lëvizur dot.
A ishte me shpejtësi autobusi?
Nuk jam specialiste, por mua nuk m’u duk se kishte shpejtësi. Normale do të thosha.
A tentoi shoferi që të frenonte?
Tentoi të frenonte dhe të manovronte me timonin.
Ku ishit e ulur ju kur shoferi po manovronte me timonin?
Unë isha e ulur në fund të autobusit.
Si mund t’i keni parë këto manovrime të shoferit, duke qenë se ishit e ulur në fund?
Unë vetëm një moment e pashë dhe ai vërtet po manovronte. Pavarësisht se larg, dukej. Kuptohej. Ndërkaq, të njëjtën gjë më tregoi edhe një shoqe më pas. Ajo ka qenë e ulur pranë shoferit dhe më tha që ai u përpoq që të lëvizte timonin, por ai ngeci. Më pas kishte tentuar të frenonte, por tepër vonë. Përfunduam të gjithë në greminë.
A ishit e vetëdijshme gjatë rënies?
Po. Por janë fragmente aq të shpejta, sa nuk përshkruhen dot. Sapo ndjeva që autobusi po binte, u kapa pas një tubi hekuri. E shtrëngova fort dhe nuk e lëshova edhe kur rashë. Kur ndjeva që nuk po lëvizte më autobusi, atëherë dola jashtë duke u zvarritur.
Çfarë patë kur dolët jashtë?
Fillimisht u trondita se pashë autobusin të ndarë më dysh. Por kjo nuk ishte asgjë kur fillova të shoh gjak gjithkund. Nisëm të thërrisnim njëra-tjetrën. Dikush po përgjigjej e dikush jo. Unë nuk po lëvizja dot pasi më ishte dëmtuar rëndë këmba e majtë. Edhe shoqet e tjera ishin të lënduara dhe gjaku u rridhte gjithandej. Preknim veten me duar për të kontrolluar veten, nëse i kishim të gjitha pjesët e trupit. Qanim me ulërima dhe bërtisnim për ndihmë. Kontrolluam për telefona, por nuk gjetëm dot asnjë. Ato kishin rënë te pjesa e parë e autobusit.
Dhe ku ishte pjesa e parë e autobusit?
Ishte shkëputur dhe kishte rënë disa metra më tutje, por duke qenë se nuk lëvizja dot, nuk kam parë asgjë se çfarë po ndodhte me pjesën tjetër, me shoqet e tjera. Nga sa më kanë thënë doktorët, falë Zotit kemi shpëtuar të gjithë. Me plagë, por jemi të mbijetuar të paktën. Kemi pasur shumë fat, pasi ishte greminë shumë e frikshme. (Ergitës nuk i kanë treguar që ka humbur 11 shoqe).
Derisa nuk kishit telefona, si u lidhët për ndihmë?
Unë nuk di të ketë telefonuar ndokush, pasi celularët na ranë gjatë përmbysjes. Vetëm më kujtohet që pashë disa njerëz duke zbritur greminës poshtë. Me sa morëm vesh, ishin disa turistë nga Greqia që na kishin parë që të binim në humnerë dhe kishin ndaluar. Por, derisa arritën aty ku kishim rënë ne, u desh pak kohë.
Sa kohë?
Disa minuta, sepse mund të ishim rreth 100 metra poshtë dhe në rrugë të rrezikshme.
Po ndihma e parë mjekësore kur ju erdhi?
Ajo vonoi, në fakt. Ose ashtu m’u duk mua ngaqë mezi po e prisnim. Fillimisht na ndihmuan këta turistët duke na tërhequr përfundimisht nga pjesa e autobusit ku kishim ngecur dhe kontrollonin për të gjitha shoqet.
Pse aq shumë shoqe në të njëjtin autobus? Pse ishin ndarë meshkujt nga femrat?
Nuk është se ishim ndarë qëllimisht, por grupi që përbën klasën tonë në universitet është kështu. Në të njëjtin autobus ishim ne, studentët e grupit A dhe B, ku jemi me shumicë femra. I numërojmë me gishta djemtë. Sakaq, në një tjetër autobus, ku ka qenë edhe profesori, kanë qenë ca më shumë djem. Por ata ishin pak minuta para nesh, sepse do të gjenin edhe vendin për të drekuar dhe pushuar pak.
Nga ora 07:00 e mëngjesit kur jeni nisur e derisa pësuat aksidentin, a keni parë që shoferi të konsumojë alkool?
Jo. Në asnjë moment. Gjatë rrugës jo njëherë. Në atë ndalesën e Lushnjës, nuk di gjë, sepse nuk zbrita. Por edhe aty, punë minutash ka qenë ndalesa. Nuk ma merr mendja se ka pirë alkool. As ai dhe asnjë nga ne studentët.
A ishte tip që bisedonte gjatë rrugës?
Vetëm në rast se e pyesnim për diçka. Nuk dukej tipi i bisedave. Dukej i qetë, por serioz.
Po muzika, a ishte në volum të lartë?
Prej halli ia ngrinte ndonjëherë volumin, por jo shumë. Ne ia kërkonim vazhdimisht që të ngrinte lart muzikën, por ai nuk ishte dakord. Madje, ngaqë nuk kishim se çfarë t’i bënim, filluam të vëmë kufjet në vesh për të dëgjuar muzikë.
Cili mendoni ju se ishte shkaku i aksidentit?
Unë e përjashtoj shpejtësinë. Nuk jam eksperte, por mendoj se diçka u bllokua. Mbase timoni, mbase frenat.
A jeni lidhur me familjen pas aksidentit?
Po. Më dha telefonin e saj një infermiere në Himarë. Mirë që iu telefonova, se po çmendeshin.
Si e ndieni veten pas gjithë kësaj?
Me shumë dhimbje, por me fat. Me shumë fat. Kur kujtoj vendin se ku kisha përfunduar, e konsideroj veten si vajza më me fat në botë.