Ish-ministri Ylli Pango fiton gjyqin ndaj “Top Channel”

Tiranë – Ish-ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango ka fituar gjyqin e ngritur ndaj televizionit “Top Channel”.
Gjykata e Tiranës ka vendosur që ky televizion t’i paguajë ish-ministrit Pango një gjobë prej 400 mijë eurosh, si dëmshpërblim për publikimin e të dhënave të pasakta, jo të vërteta dhe të përfituara në mënyre të paligjshme.

Çështja që mbante numrin 2669, nisi më 5 mars të vitit të shkuar pasi televizioni “Top Channel” transmetoi një video, ku sipas autorëve, Pango si drejtues i MTKRS-së i kërkoi një vajze favore personale, në këmbim të vendit të punës. Kjo histori e cilësuar si një prej skandaleve më të mëdha, i kushtoi Ylli Pangos shkarkimin e menjëhershëm nga detyra e ministrit.

Menjëherë pas kësaj, Pango i është drejtuar Gjykatës së Tiranës me një padi, objekti i së cilës ishte: “Deklarimi i palës së paditur, përgjegjëse për shkaktim dëmi ndaj personit si rezultat i publikimit të të dhënave të pasakta, jo të vërteta dhe të përfituara në mënyrë të paligjshme, detyrimin e palës së paditur të mospublikojë në të ardhmen artikuj, intervista apo komente ndaj palës paditëse, të cilat në mënyre direkte apo indirekte të mund të dëmtojnë personin e tij, si dhe dëmshpërblim në vlerën e 1 milion eurove”.

Pas kësaj padie, trupi gjykues i përbërë nga kryetari Agim Bendo, dhe anëtarët Majlinda Doga e Bledar Abdullai, duke u bazuar në nenet 8 dhe 10 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, në Kushtetutën e Shqipërisë dhe në dispozitat e legjislacionit shqiptar, vendosën të shpallin fajtor televizionin “Top Channel”, i cili publikoi materialin e pavërtetë, e për pasojë kërkoi prej tij, që të dëmshpërblejë ish–ministrin Ylli Pango me 400 mijë euro.

gazetastart

Comments are closed.