Home Aktualitet Itali, djali i Umberto Bossit me diplomë shqiptare

Itali, djali i Umberto Bossit me diplomë shqiptare

378
0

Djali i ish-liderit të Lega Nord rezulton i diplomuar në një universitet privat në Shqipëri (Kristal) brenda një viti

Djali i ish-liderit të Lega Nord, Umberto Bossi, i dorëhequr nga posti i tij pak kohë më parë për shkak të akuzave për korrupsion, rezulton të jetë diplomuar në Shqipëri.

Hetuesit e Prokurorisë së Napolit dhe Milanos, të cilët po merren me zbardhjen e skandalit që kishte të bënte me shpërdorimin e fondeve të partisë, ku ishte përfshirë fillimisht financieri i Lega Nord, por më pas edhe vetë kreu i kësaj partie, Bossi, kanë zbuluar dokumentin në fjalë.

Nga ajo çfarë kanë publikuar ditën e sotme mediat italiane, rezulton se i biri i Umberto Bossit, Renzo Bossi, disponon një diplomë universitare të cilën e ka marrë pranë universitetit privat ‘Kristal’, në Tiranë, në degën administrim biznesi, në datën 29 shtator të vitit 2010.

Siç vihet re në diplomën e Bossit duket se ai ‘shkëlqen’ në pothuajse të 29 lëndët që presupozohet se ka ndjekur në universitetin shqiptar, sidomos në lëndët kontabilitet financiar, matematikë dhe statistikë. Mirëpo, e gjitha kjo histori ka një kontradiktë brenda vetes.

Kjo, pasi djali i Umberto Bossit e ka marrë diplomën e maturës në qershor të vitit 2009 në Itali, dhe duke qenë që sipas diplomës së universitetit shqiptar ai rezulton i diplomuar më 29 shtator të vitit 2010, i bie qëi ta ketë mbaruar fakultetin brenda një viti.

Kjo ka bërë që hetuesit të cilët po merren me çështjen, të dyshojnë se djali i Bossit nuk e ka frekuentuar fare fakultetin dhe se diploma është blerë me fondet e fushatave elektorale të Lega Nord. 3 maj 2012 (gazeta-Shqip)