Home Lajme Sport Januzaj, Bekhami i ri kontratë 150 mijë euro në vit me Manchester...

Januzaj, Bekhami i ri kontratë 150 mijë euro në vit me Manchester United

296
0

Mesfushori shqiptar Adnan Januzaj ka kaluar te gjiganti anglez Mançester Junajted. Këtë e ka bërë të ditur të premten gazeta angleze “Daily Mirror”. Januzaj 16-vjeçar ka arritur me Junajtedin marrëveshje për katër vjet e gjysmë.

Januzaj në radhët e “djajve të kuq” është transferuar nga Akademia e klubit belg Anderleht. Ai te Junajtedi do të ketë pagë mujore prej 12 mijë paundësh, ndërsa thuhet se familjes së tij i është ofruar edhe një shtëpi në Mançester dhe 200 mijë euro. Kjo marrëveshje e bën mesfushorin nga Kosova njërin prej lojtarëve më të paguar të gjeneratës së tij.

Januzaj vlerësohet si Dejvid Bekhami i ri. Te Mançester Junajted ai ka qenë në provë edhe më herët, duke lënë përshtypje shumë të mirë. Mesfushori kosovar së pari do të aktivizohet me ekipin e Akademisë së Junajtedit, mirëpo pritet që shumë shpejt të kalojë te seniorët. “Trajneri i Mançester Junajtedit, Aleks Ferguson ka transferuar ‘David Beckhamin e ri’ të Belgjikës – sensacionin Adnan Januzaj. Ferguson ka arritur marrëveshje për katër vjet e gjysmë me talentin e Anderleçtit që luan në anën e djathtë të mesfushës. Januzaj ka firmosur kontratë të rëndë 120 mijë paundësh në vit, që e bën atë fëmijën më të paguar në ‘Old Trafford’”, ka shkruar “Daily Mirror”.

Junajtedi po ashtu është detyruar t’i paguajë Anderlehtit para për “stërvitje dhe zhvillim” të futbollistit.

Sipas mediave angleze, Mançester Junajtedi në luftë për të marrë futbollistin shqiptar ka mposhtur skuadrat më të mëdha evropiane.

Arritja e marrëveshjes nuk është konfirmuar në sajtin zyrtar të Junajtedit. Ndërkohë Anderlehti ka konfirmuar vetëm interesimin e klubit anglez, por jo edhe arritjen e marrëveshjes.

“Interesimi për Januzajn është një kompliment i madh për Akademinë tonë. Puna e mirë që po bëhet në akademi po ilustrohet me këtë interesim të Mançester Junajtedit për njërin nga futbollistët tanë. Por, nuk e di nëse Januzaj do të bënte mirë nëse merr hapin për të kaluar te Junajtedi. Për ne do të ishte mëkat të humbasim një talent”, ka thënë menaxheri gjeneral i Anderlehtit, Herman Van Holsbek.

Januzaj së fundi ka luajtur për U-17 të Anderlehtit. Në këtë klub ndihmëstrajner në ekipin e parë është kosovari, Besnik Hasi. Mançesteri është njëri prej klubeve më të mëdha në botë. Trajneri i Junajtedit, Ferguson, ka zbuluar shumë të rinj që më vonë u bënë yje.