Home Aktualitet Japonia, kriza më e rëndë që pas Luftës së Dytë Botërore

Japonia, kriza më e rëndë që pas Luftës së Dytë Botërore

329
0

Më shumë se 11 mijë viktima nga tërmeti. Frika e një shpërthimi bërthamor ka “gjunjëzuar” vendin

Tri ditë pas katastrofës me pasoja apokaliptike në Japoni të shkaktuara nga tërmeti dhe cunami që e pasoi atë, gjendja vazhdon të jetë alarmante, ndërsa në vend vazhdon të rritet në mënyrë të frikshme bilanci i viktimave: vetëm në Miyagi konsiderohen të humbur dhjetë mijë vetë, ku më shumë se gjysma e popullsisë u përplas me dallgët e fuqishme. Aktualisht, përmasat e vërteta të katastrofës nuk janë të parashikueshme dhe tragjedia më e madhe deri tani mendohet se është regjistruar në prefekturën e Miyagi ku qyteza thuajse nuk ekziston më. Japonia po përballet kështu me krizën më të rëndë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, tha Kryeministri Naoto Kan. “Japonia është gjunjëzuar, por nuk është nënshtruar”, me zërin që i dridhej Kryeministri i vendit u kërkoi dje qytetarëve të bëjnë një përpjekje kolektive për të kontribuuar në nxjerrjen e vendit nga kjo krizë, më e rënda që prej 65 vjetësh, pikërisht që nga fundi i luftës së Paqësorit që përfundoi me bombardimet bërthamore në Hiroshima dhe Nagasaki. “Ju lutem ta konsideroni gjendjen aktuale si më të keqen në këto 65 vitet e fundit”, tha kreu i qeverisë së Tokios, teksa foli për shtypin nga Kantei. Kan u ktheu në vëmendje japonezëve përpjekjet e tyre për të ndërtuar vendin. “Vetëm duke bashkuar forcat, duke ndihmuar njëri-tjetrin mund ta kalojmë këtë krizë, mund të ndihmojmë Japoninë. Është kjo lutja që bëj për secilin prej jush. Ju falënderoj nga zemra për gjakftohtësinë në këto situata të vështira”. Kan foli edhe për situatën në centralin bërthamor të Fukushimës. “Gjendja mbetet shumë e rëndë, por besoj se do të mund të shmangim një Çernobil të dytë”. Por kësaj situate kaotike i shtohet edhe frika e ndonjë shpërthimi të mundshëm bërthamor, pasojat e të cilit do të ishin të pariparueshme. Pas tërmetit shkatërrimtar të së premtes dhe cunamit qeveria japoneze nuk e përjashton më mundësinë që në dy reaktorë të impiantit bërthamor Fukushima të dëmtuar rëndë, të ketë pasur shkrirje bërthamore të pjesshme. Autoritetet në këtë impiant paralajmërojnë se në reaktorin 3 mund të ndodhë një shpërthim për arsye të grumbullimit të mundshëm të hidrogjenit. Në vend ekziston frika për një shpërthim të dytë në centralin bërthamor Fukushima 1. Teknikët po përpiqen me të gjitha mjetet të ftohin reaktorin 3, pas shpërthimit që ndodhi të shtunën në ndërtesën ku ndodhet edhe ai me numër 1. Shefi i stafit në qeverinë japoneze, Jukio Edano, tha se impianti mund t’i bëjë ballë ndikimit dhe vetë reaktori bërthamor nuk do të dëmtohet. Megjithëse zyrtarët po përpiqen të ulin frikën, punonjësit në centralin elektrik të Tokios thanë se nivelet e radioaktivitetit përreth centralit janë shtuar ndjeshëm, mbi nivelet e lejuara. Autoritetet japoneze e klasifikojnë avarinë në reaktorin bërthamor Fukushima të kategorisë 4, pra si aksident me pasoja të kufizuara. Të paktën 200 mijë persona u shpërngulën nga zona pranë centralit. Sipas specialistëve, shpërthimi në reaktorin 3 do të jetë shumë më serioz, sepse aty ka plutonium dhe uranium. Ekspertët thonë se për aq kohë sa autoritetet japoneze mund të ftohin shufrat me lëndë djegëse, duke i mbuluar me ujë, ata mund të shmangin një tragjedi të përmasave të mëdha. Teknikët hapën valvulat e reaktorit 3, duke lejuar daljen e avujve radioaktivë, për të ulur presionin e brendshëm. Qeveria japoneze zgjeroi kufijtë e zonës së shpërnguljes përreth Fukushimës, nga 1 në 20 km, fill pas shpërthimit të parë. Miliona japonezë nuk kanë energji elektrike dhe deri në muajin prill mendohet se do të ketë ndërprerje të programuara të energjisë, vazhdojnë përpjekjet e ushtrisë dhe ekipeve të ndihmës, ndërsa vendi po sheh tanimë shkallën e pasojave të tërmetit shkatërrues. “Deri tani janë kryer 12 mijë operacione shpëtimi në zonat e goditura nga tërmeti shkatërrues”, tha Kryeministri. Organizata e Kombeve të Bashkuara po koordinon operacionet ndërkombëtare të ndihmës. Tre luftanije amerikane kanë mbërritur në brigjet e Japonisë për të ndihmuar në operacionet e ndihmës, ndërsa një tjetër pritet të mbërrijë. Sipas njoftimeve, rreth 390 000 vetë janë larguar nga vendbanimet e tyre, për shkak të shkatërrimeve. Në pesë provinca janë ngritur më shumë se 1400 kampe emergjence. Qeveria ka dyfishuar numrin e ushtarëve për mbështetjen e forcave të shpëtimit në 100000. Pamjet satelitore tregojnë përmasat e shkatërrimit me të cilat u përball Japonia pas tërmetit, më i madhi që ka goditur vendin, i pasuar nga të tjera lëkundje që vazhdojnë të regjistrohen ende. Ekspertët besojnë se tërmeti 8.9 ballë i shkallës Rihter ka zhvendosur ishullin qendror të Japonisë me 2.4 metra dhe boshtin e Tokës me 10 cm.