Home Aktualitet Josip Kuzhe: Shqiptarët më trajtuan si të isha mbret

Josip Kuzhe: Shqiptarët më trajtuan si të isha mbret

354
0

TIRANE-Kuzhe thyen heshtjen dhe flet për herë të parë për dramën që ka kaluar, pas goditjes nga hemorragjia cerebrale. Tekniku i kombëtares shqiptare, në një intervistë për të përditshmen kroate Jutarnji List, ka zbuluar se ka kaluar një dramë të rëndë, por sipas tij është pa pasoja. “Atë ditë të enjte isha shumë keq, – ka rrëfyer Kuzhe, – Nisa të villja, kisha dhimbje dhe isha vërtetë keq. Mendova se do më kalonte dhe se gjithçka vinte nga lodhja për ndeshjet me Bosnjen dhe Bjellorusinë. Nuk i kushtova edhe aq vëmendje, por më pas e pashë veten në spital”. Kuzhe ka zbuluar se tani i duhet të pijë 25-28 pilula në ditë, por thotë se sëmundja nuk i ka lënë pasoja të rënda.
Patët një hemorragji cerebrale, e kujtoni atë ditë të 30 shtatorit?
Ishte një e enjte e vështirë, isha shumë keq. Volla, isha i këputur nga dhimbja dhe më në fund shkova në spital, sepse e kuptova që isha seriozisht i sëmurë.
Është folur se ishte gruaja juaj që ju çoi në spital…
Për fat ajo ishte në Tiranë. E vërtetë, në fillim refuzova të shkoja. Mendova se kisha tension të lartë, mora disa ilaçe, por pa efekt. Atëherë u binda, pas fjalëve të thëna edhe nga doktori im. Më pas shkova menjëherë në spital, ku më bënë menjëherë një kontroll në kokë. Kishte shumë dyshime në atë moment, ndërsa gjatë gjithë kohës ishte kreu i Federatës Armand Duka, që u tregua shumë human.
Presidenti kërkoi që t’ju transferonin me avion privat në Vjenë, Stamboll, Zagreb…
E dija këtë, por folën me neurokirurgë të huaj, që thanë se nuk duhet të lëvizja, pasi ishte e rrezikshme. Plus, nuk ishte aq e nevojshme.
Mbani mend gjë nga ditët e para?
Tre ditët e para jo. Por, shqiptarët kanë ekspertë shumë të mirë, që u angazhuan shumë. Në fund, nuk na lejuan as të paguanim.
Kjo sëmundje lë shumë pasoja, çfarë keni mësuar për veten?
Unë nuk kam asnjë dëmtim, as në trup e as në të folur. Mendoj se ia hodha pa pasoja.
Dukeni më mirë se Ivica Osim, që pësoi të njëjtën goditje kur ishte në Japoni?
Mendoj se për tre javë do të jem OK, më pas do të më bëjnë një tjetër skaner dhe ndoshta do të jem në rregull. Tani gjëja më e rëndësishme është që tensioni i gjakur të mbetet normal. Doktorët më kanë çuar në shtëpi, sepse mendojnë që mënyra më e mirë për t’u shëruar është atmosfera familjare. Tani më kanë vënë një dietë speciale dhe nuk mund të shkoj askund pa karrige.
Ka ardhur djali juaj Mark t’ju vizitojë?
Po, jemi në Tiranë dhe jetojmë në një apartament shumë komod, jemi fqinj me Kryeministrin e vendit Sali Berisha. Në spital më vizitoi Presidenti Bamir Topi, nuk e mendoja kurrë se do të kisha një trajtim të tillë, sikur të isha Mbret.
Duket se toka shqiptare i do kroatët (koment i redaksisë), mjafton të kujtojmë Oto Bariç… I ndoqët dy ndeshjet?
I pashë live në Tv, të dyja takimet. Nuk kam asgjë për të ardhur keq, është e pamundur, por unë mendoj se mund të kishim fituar ndaj Bosnjes, ndërsa vetë më dukej sikur isha në pankinë. Tani kam mendimin se mund të fitojmë në Sarajevë.
Ku e bazoni këtë?
Fakti është se Bosnja ka shumë cilësi, ka individë fenomenalë, por janë më poshtë përsa i përket kolektivitetit. Në këtë mënyrë, them se janë një kundërshtar më i lehtë në transfertë.
Mendoni se keni cilësi të mjaftueshme për të arritur në Euro 2012?
Ne nuk do të dorëzohemi. Janë ende shumë pikë në lojë. Ka edhe shumë raunde ndeshjesh deri në fund, do të japim 200 %.
Kur Kuzhe u sëmur, Dinamo e Zagrebit u mund nga PAOK-u i Selanikut…
Kam dëgjuar. Është mëkat. Unë gjithsesi jam i kënaqur që Blutë kanë arritur në fazën në grupe.

Lajme Flash