Home Aktualitet Josip Kuzhe trukonte ndeshjet me mafian greke!

Josip Kuzhe trukonte ndeshjet me mafian greke!

308
0

Ish trajneri i kombetares shqiptare Josip Kuzhe trukonte ndeshjet e kombetares shqiptare.

Aksioni i policisë greke për asgjësimin e 4 grupeve kriminale në Selanik ka zbuluar fakte tejet tronditëse në lidhje me trukimin e ndeshjeve të kombëtares shqiptare.
Kanali shtetëror grek ERT 3, me qendër në Selanik, flet për bashkëpunim të këtyre grupeve mafioze me ish-trajnerin e kombëtares shqiptare Josip Kuzhe. Bëhet e ditur se policia ka arrestuar 53 persona të përfshirë në këto organizata kriminale, të cilat jepnin hua me përqindje deri në 80 %, mashtronin, bënin shantazh dhe pastronin para në mënyrë të paligjshme. Paratë vinin nga trukimi i ndeshjeve të futbollit, ndërsa bie në sy se në rrjetën e grupeve mafioze ka rënë edhe kombëtarja shqiptare dhe ish-trajneri i saj Josip Kuzhe. Autoritetet helene kanë në duart e tyre një material audio, ku tregohet thuajse me detaje sesi kriminelët kishin arritur deri në kombëtaren shqiptare. Në përgjim, një person i quajtur “Portugezi”, i propozon kreut të njërit prej katër grupeve, i quajtur Marko Karamberi, të luajnë shuma të mëdha parash në dy prej ndeshjeve miqësore të kombëtares shqiptare, në humbjen 4-0 me Argjentinën dhe në fitoren 3-2 me Malin e Zi, të dyja të zhvilluara në verën e vitit 2011. Me një siguri të çuditshme, ky person thotë se çdo gjë është e rregulluar dhe se ai ka folur me trajnerin e kombëtares shqiptare për këtë.
Kuzhe
Përmendja e emrit të Kuzhes ngre hije të mëdha dyshimi për atë çfarë ndodhi në këto dy takime, sidomos duke parë të kaluarën e kroatit, që ka qenë e lidhur ngushtësisht me botën e basteve. Ndeshja me Malin e Zi, krijoi dyshime te të gjithë, duke parë mënyrën si rrodhi ajo apo se u shënuan 5 gola (Shqipëria fitoi 3-2). Në telefonatën e përgjuar, sipas televizionit ERT 3, “Portugezi” i thotë shokut të tij se për ndeshjen Shqipëri-Mali i Zi fitimet do të jenë shumë të mëdha. “Do të jetë një fitim tre fish i sigurt dhe mund të trukojmë çfarëdo lloj rezultati”, thotë ai. Nga bisedat mes dy personave të mësipërm është zbuluar gjithashtu edhe trukimi i 3 ndeshjeve të kombëtares së Sllovakisë. Gjithçkaje i është dhënë një jehonë e madhe në mediat greke, ndërkohë që në Shqipëri, kanë munguar reagimet.
Arrestimet
Personi që drejtonte organizatën kriminale ishte pronar i disa klubeve të natës në Selanik, ndërkohë që dy vjet më parë pati kandiduar me partinë ultranacionaliste LAOS në zgjedhjet e pushtetit lokal. Në llogarinë e tij janë gjetur 5,5 milionë euro, që rezultojnë të jenë fituar nga skedinat e basteve dhe ndeshjet, që sipas organeve greke, janë manipuluar nga këto organizata kriminale. Policia zbulon gjithashtu se zotëron 3500 faqe me biseda të përgjuara, që tashmë janë zbardhur. Ndërsa komplet dosja e grupeve mafioze shkon në rreth 15 mijë faqe. Skandali ka tronditur gjithë Greqinë, ndërkohë që mes të arrestuarve janë edhe një drejtues i krimit ekonomik, biznesmenë, avokatë, drejtorë bankash, oficerë policie si edhe një gazetar i njohur./GSH-BW/