Kakà, operacioni i shpëton karrierën

Sipas mjekut Martens braziliani i Realit rrezikoi të mbyllte karrierën para kohe duke luajtur në Botëror

Sipas mjekut të organizatorit të Real Madridit, Kakà, rrezikoi karrierën e tij duke luajtur për Brazilin në Kupën e Botës. Lojtari brazilian është operuar në Antverpen të Belgjikës të enjten për të riparuar meniskun e dëmtuar pasi kishte ndier dhembje gjatë stërvitjes me Realin në turneun parasezonal në Los Anxhelos. Një kontroll rutinë ka nxjerrë në pah se lojtari kishte nevojë për operacion artroskopik dhe Kakà ka fluturuar menjëherë drejt Antverpenit të mërkurën në mbrëmje për të bërë operacionin.

Mjeku që e operoi, Mark Martens, e kuptoi shumë shpejt se bëhej fjalë për një dëmtim shumë të rëndë. “Sapo e pashë lojtarin, e kuptova se ishte dëmtim i rëndë”, ka thënë mjeku specialist për gazetën “Marca”. “Karriera e tij ka qenë mjaft e rrezikuar.”

Martens beson se Kakà ka bërë përtej mundësive të tij në botërorin e Afrikës së Jugut. “Ai ka luajtur duke qenë i dëmtuar, me dhembje të vogla, por tani ka përfunduar me dhembje të papërballueshme”, ka thënë Martens. “Unë e di që është një kompeticion i veçantë dhe se ai ishte nën presion për të luajtur mirë, por e ka shtyrë veten përtej limiteve në ndeshjen kundër Holandës dhe Kilit. Ai ka pohuar se ka pasur shumë dhembje në ato ndeshje.” Martens ka pohuar se dëmtimi mund t’i kishte dhënë fund karrierës së Kakasë si lojtar profesionist. “Mund t’i kishte dhënë fund karrierës së tij sepse është një dëmtim shumë i rëndë – mund ta kishte shkatërruar atë.

Por falënderoj Zotin që u operua në një moment vendimtar dhe gjërat kanë shkuar për mrekulli”, ka thënë Martens. Lajmi nuk është aq i mrekullueshëm për Real Madridin, pasi lojtari do të mungojë për tre deri në katër muaj sepse duhet të marrë veten nga operimi. Një deklaratë në faqen zyrtare web të Realit thoshte: “Operacioni i bërë në gjurin e majtë të Rikardo Izekson Dos Santos Leite Kakà nga Dr. Mark Martens në Antverpen, në spitalin “AZ Monika”, ishte i suksesshëm. Operacioni artroskopik ka konfirmuar dëmtimin në meniskun e majtë me një inflamacion minimal të kartilaxheve.

Lojtari pritet të mungojë nga skuadra për tre-katër muaj.” Edhe Kakà ka thënë që operacioni kishte dalë me sukses dhe kishte falënderuar tifozët për mesazhet e suportit që i kishin dhënë. “I jam mirënjohës secilit prej jusht për suportin që më keni dhënë. Operacioni shkoi mirë”, ka thënë ai në rrjetin social Twitter.

Kakà iu bashkua Real Madridit nga Milani në verën e shkuar për 67 milionë euro, por gjatë gjithë sezonit ka pasur dëmtime të shpeshta dhe ka luajtur vetëm në 25 nga 38 ndeshjet e kampionatit. Kakà, 28 vjeç, është zëvendësuar në 14 ndeshje dhe ka qenë hija e vetes gjatë minutave të kaluara në fushë. Braziliani i famshëm mund ta ketë të vështirë të rikthehet në formacion pasi të shërohet, pasi skuadra është në një reformim të thellë nën drejtimin e trajnerit Hoze Mourinjo. “Nëse e humbim për pak kohë, nuk do të jetë tragjedi – kemi edhe lojtarë të tjerë”, ka thënë Mourinjo pas fitores 3-2 në miqësore të mërkurën kundër skuadrës meksikane Amerika.

Real Madrid, përshpejtohet “pista” Ozil!
Dëmtimi i Kakasë, i cili do të jetë larg fushave për të paktën tre-katër muaj, mund të përshpejtojë ardhjen e Mesut Ozilit të Verder Bremenit te klubi spanjoll. Reali mendonte ta blinte lojtarin vitin tjetër, pra kur t’i skadonte kontrata me Verderin dhe ta merrte me parametra zero, por sipas së përditshmes “As”, operacioni i brazilianit mund të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve.

Mourinjo ka thënë se nuk është ndonjë tragjedi dëmtimi i Kakasë dhe se do të presë riaftësimin e tij, por në realitet, “nëse çmimi i Ozilit do të jetë i leverdisshëm për Realin, ndoshta e blejnë menjëherë”. Klaus Allofs, drejtor sportiv i Verder Bremenit, ka folur për Ozilin dhe e ka pranuar se synojnë ta shesin lojtarin. “Për Ozilin nuk kemi marrë oferta të denja për vlerën e tij. Ne duam ta shesim, por me çmimin që i takon. Nëse jo, do ta mbajmë sepse duam të jemi kompetitivë në Champions Ligë.”

Qeveria spanjolle kërkon dëshmi për çështjen “Herkules”

Avokatët që përfaqësojnë qeverinë spanjolle do të apelojnë një vendim të një gjykatësi në Alikante, i cili ka ndaluar aksesin te përgjimet telefonike dhe dëshmitë e tjera që sugjerojnë që klubi i sapongjitur në Primera Divizion, Herkules, është përfshirë në trukim ndeshjesh. Biseda telefonike, e cila është publikuar në mediat spanjolle, është pjesë e një hetimi të veçantë dhe gjykatësi në Alikante, qyteti i skuadrës Herkules, ka dhënë vendimin se nuk mund të bëhet publike.

Një zëdhënës për Këshillin e Sporteve, që është organ qeveritar, ka thënë dje se ata do të apelojnë me anë të avokatëve të qeverisë. Zëdhënësi i Ministrisë së Drejtësisë ka thënë se ata do të apelonin sa më shpejt. “Ne do të mundohemi të fusim në dorë çdo dëshmi dhe ta çojmë më përpara këtë hetim”, ka thënë zëdhënësi i Këshillit të Sporteve.

Herkules, që mohon çdo shkelje, u ngjit në kategorinë më të lartë të futbollit spanjoll pas më shumë se një dekade në kategorinë e dytë, pasi zuri vendin e dytë pas Real Sociedadit sezonin që shkoi. Në një deklaratë të klubit Herkules thuhet se fjalët që portieri i klubit rival, Kordoba, është paguar për të lënë ndeshjen në fillim të muajit maj, ndeshje të cilën Herkules e fitoi 4 0, ishin totalisht të gënjeshtërta.

“Herkules mohon kategorikisht këtë veprim dhe thekson publikisht se sjellja sportive e këtij klubi në atë ndeshje dhe gjatë gjithë sezonit ka qenë rigorozisht në pajtim me rregullat e kompeticionit.” Lajmet e botuara nga mediat spanjolle kanë aluduar për lojë të pandershme nga portieri i Kordobës, Raul Navas. Klubi i qytetit të Seviljes, Real Betis, që nuk arriti të ishte në mesin e katër skuadrave të ngjitura në kategorinë e parë këtë vit, i ka kërkuar Federatës Spanjolle të Futbollit dhe Këshillit të Sporteve që të hetojnë këtë rast.



http://www.sportishqiptar.com.al/kaka-operacioni-i-shpeton-karrieren/

Comments are closed.