Home Rajoni e Bota Klinton: Do të nxisim njohje të reja

Klinton: Do të nxisim njohje të reja

155
0

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, ka vlerësuar thellësisht gjithçka që Shqipëria ka bërë dhe personalisht shefi i diplomacisë shqiptare, për të “çuar përpara kauzën e një Kosove të pavarur, paqësore dhe demokratike”, por ka çmuar edhe mënyrën e shpejtë dhe të qëndrueshme të pajtimit rajonal me Serbinë.

Në një letër dërguar Ministrit të Jashtëm tët Shqipërisë, Ilir Meta, sekretarja e Shtetit, Klinton më tej thekson se “opinioni këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë përforcoi në mënyrë të vendosur qëndrimin tonë të hershëm se deklarata e pavarësisë së Kosovës është në përputhje me ligjin ndërkombëtar”, duke e falënderuar Metën për koordinimin e tij të “ngushtë dhe të fortë”, që ndihmoi “për të realizuar këtë gur themeli të rëndësishëm”.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të nxisin ato shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që të ndërmarrin këtë hap dhe do të mbështesë veprime konstruktive në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara”.

Sekretarja e Shtetit Hilari Klinton më tej vlerëson se “opinioni i GJND së mund të shërbejë gjithashtu si një katalizator për Serbinë dhe Kosovën”, duke porositur Prishtinën dhe Beogradin që të lënë “mënjanë diferencat dhe të punojnë së bashku në mënyrë konstruktive mbi çështjet praktike dhe për të përmirësuar jetën e popullit të Serbisë, Kosovës dhe të gjithë rajonit”.

“Kjo është rruga drejt një të ardhmeje të përbashkët si pjesë e një Evrope që është e lirë, e bashkuar dhe në paqe”, theksohet ne letrën që Sekretarja amerikane e Shtetit Hilari Klinton i kë dërguar homologu të saj shqiptar Ilir Meta.