Kombëtare apatike, alarm para Rumanisë!

Kuqezinjtë kanë barazuar 1-1 me Apoloninë e kategorisë së parë, dyke shfaqur shenja të theksuara nervozizmi

Një kombëtare zhgënjyese, që ka shfaqur hapur nervozizëm në fund të ndeshjes, çka e ka detyruar trajnerin Kuzhen të shprehet se “kam krijuar dyshime të forta, që mund të sjellin ndryshime në formacioni”. Madje trajneri i kuqezinjve ka shkuar më larg, duke thënë se do të ishte më mirë sikur kjo ndeshje të mos ishte zhvilluar fare, pasi lojtarët ishin tepër të lodhur. Kuqezinjtë e fillojnë lojën me formacionin bazë me skemën 4 3 1 2 të përbërë nga Hidi në portë, në mbrojtje Dallku e Vangjeli në krahë dhe Cana-Curri në qendër, në mesfushë Lila, Bulku e Agolli, Skela më i avancuar, dhe në sulm dyshja Salihi Bogdani.

Ndeshja ishte e zbehtë dhe pa ritëm, repartet ishin të shkëputura dhe Salihi me Bogdanin që rrallëherë binin në kontakt me topin. Nga ana tjetër, Apolonia u shfaq e freskët e me grintë. Në minutën e 15-të Apolonia shënon me anë të Ribajt, i cili, megjithëse në pozicion të prirët, i vetëm përballë Hidin, ka goditur mjeshtërisht. Kombëtarja përpiqet të reagojë, por rastet mungojnë. Shkëndijën e vetme e jep Lila me kokë, por topi përplaset në traversë.

Në minutën e 36-të, Salihi, pasi ka marrë një top nga Agolli, e ka dërguar në rrjetë, duke barazuar rezultatin. Minutat në vazhdim janë pa histori, me një lojë të zhvilluar kryesisht në mesin e fushës. Në minutën e 40-të Kuzhe kryen disa zëvendësime, duke nxjerrë nga loja Canën, Currin, Vangjelin dhe Lilën, për të futur në fushë Telin, Vrapin, Likën dhe Duron. Në pjesën e dytë Kuzhe ka hedhur këtë formacion: Ujkani, Vila Teli, Vrapi, Lika, Muzaka, Bakaj, Duro, Hyka, Kapllani dhe Januzi.

Në 30 minutat e para presioni i kuqezinjve shtohet dhe loja zhvendoset në gjysëmfushën e Apolonisë. Mungojnë rastet. Loja e mesfushës është pa rrjedhshmëri dhe sulmi nuk funksionon.
Klodian Duro, sherr me tifozët fierakë
Në 15 minutat e fundit nuk ka patur thuajse fare futboll. Kuqezinjtë janë nervozë dhe ndërhyrjet të ashpra. Loja ndërpritet disa herë. Gjyqtari Alla nxjerr kartonin e verdhë për Muzakën dhe Duron.

Në fund mund të thuhet se me lojën e zhvilluar në këtë ndeshje Apolonia mertionte më shumë madje nuk e dha për asnjë moment idenë e një ekipi të kategorisë së parë, ndërsa kuqezinjtë nuk treguan vlerat e tyre. Problemet që duhet të zgjidhë Kuzheja pas kësaj ndeshjeje janë të shumta, duke filluar që nga ato taktike e teknike, por edhe sa i përket anës psikologjike dhe disiplinës. Në minutën e 78-të Duro ndërhyn ashpër drejtpërdrejt në këmbët e Çarls për të dytën herë radhazi.

Tifozët fierakë në shkallët e stadiumit e kanë ofenduar me fjalë të ulëta Duron për këtë moment dhe këtu ka filluar nervozizmi. Duro ka lënë fushën e lojës dhe pikërisht përpara syve të presidentit të FSHF së Duka ka filluar t’i ofendojë tifozët fierakë me të njëjtën gjuhë. Sharjet midis tij dhe tifozëve kanë vazhduar dy minuta, derisa Cana dhe Bogdani, që ndodheshin në pankinë, kanë qetësuar gjakrat, duke e shoqëruar Duron për në fushë.

Kuzhe nuk ka ndërhyrë, por thjesht ka vëzhguar, duke shfaqur një pamje trishtuese në fytyrë. 4 minuta më vonë Muzaka ka kryer një tjetër ndërhyrje mjaft të ashpër, që është ndëshkuar me karton të verdhë. Ka filluar një sherr mes lojtarëve që nuk ka zgjatur shumë, ndërsa loja është ndërprerë për disa minuta. Në këtë moment trajneri i Apolonisë, Ernest Gjoka, ka larguar nga fusha katër lojtarët e tij më të mirë, për t’i zëvendësuar me të rinjtë e stolit të rezervave.



http://www.sportishqiptar.com.al/kombetare-apatike-alarm-para-rumanise/

Comments are closed.