Home Aktualitet Kopjim me ane te facebook ne provimin e matures shteterore

Kopjim me ane te facebook ne provimin e matures shteterore

420
0
Kopjimi me facebook

Kufjet pa tela, bisedat me celular dhe sëfundmi, publikimi i përgjigjeve të provimit në facebook, gjithçka për t’i shpëtuar mësimit.

Përdorimi i teknologjisë së informacionit për të kopjuar nëpër provime ka marrë përmasa katastrofike në shkollat e mesme e të larta në Shqipëri gjatë viteve të fundit, por gjatë ditës së djeshme, parlamenti rinor njoftoi se pati zbuluar komunikim të nxënësve përmes facebook për të shpërndarë përgjigjet e sakta për shokët e shoqet e veta ndërkohë që provimi nuk qe mbyllur ende.

“Të nderuar përfaqësues të medias, ju lutem shikoni fotot bashkangjitur, të cilat janë prova të qarta të keqadministrimit që po i bëhet provimit të Maturës Shtetërore,” tha Rigels Xhemollari nga Parlamenti Rinor përmes një emaili.

“45 000 maturantë nga e gjithë Shqipëria konkurrojnë ditën e sotme për të fituar të drejtën e shkollës së lartë, por siç duket ky konkurs nuk është as i drejtë dhe as i ndershëm. Edhe pse Rregullorja e Maturës Shtetërore e ndalon rreptësisht përdorimin e celularit gjatë provimit, maturantët jo vetëm që kanë komunikuar me persona jashtë provimit përmes celularit, por ata e kanë bërë këtë edhe përmes internet mobile,” thotë më tej Parlamenti Rinor.

Në fotot e dërguara nga Parlamenti Rinor dallohet se në Facebook nxënësit që ishin duke bërë provimin shkruanin pyetjen dhe kërkonin ndihmë për të dhënë përgjigjet, të cilat nuk mungonin.

Në të gjithë sistemin arsimor shqiptar përdorimi i celularëve dhe internetit si mjete për të lehtësuar kopjimin, është bërë pothuajse e zakonshme. Mes studentëve qarkullojnë barsoleta. Në njërën prej tyre, thuhet se një student mjekësie kopjoi në provim duke përdorur kufje pa tel, të cilat vendosen në vesh në mënyrë të padukshme dhe nxirren nga veshi me anë të një magneti. Studenti i bëri një telefonatë nga celulari i xhepit një shokut të vet që gjendej jashtë me libër në dorë dhe shkroi në fletoren e provimit atë çfarë shoku i lexonte nga libri. Pas provimit, magneti që duhej të nxirrte kufjen nga veshi i studentit kopjac nuk funksionoi dhe studenti u detyrua të shkojë në një klinikë private për ta hequr kufjen. Klinika private thuhet se qe nën pronësinë e vetë pedagogut të provimit.