Home Aktualitet Kreditë, një kurth i shëmtuar

Kreditë, një kurth i shëmtuar

321
0

Nëse merret kredi në bankat shqiptare, norma e interesit e përcaktuar paraprakisht në kontratë, mund të mos ketë shumë rëndësi. Kjo sepse bankat shqiptare në kundërshtim me çdo logjikë kontraktuare – përjashto këtu praktikat e qehajajve mesjetarë – i japin vetes liri absolute për sa i përket ndryshimit të mundshëm të normës së interesit të kredive në kontratat që lidhin me klientët. Kjo praktikë zbatohet nga pothuaj të gjitha bankat e nivelit të dytë që operojnë në Shqipëri, dhe ndërsa formulimi i këtij sanksioni ndryshon nga banka në bankë, thelbi dhe detyrimi ligjor mbetet i njëjtë. Sa për të dhënë një ilustrim, në kontratën e kredisë së njërës prej këtyre bankave thuhet me ton sovran: “Interesi mund të ndryshojë sipas vullnetit të lirë të bankës”.
Kjo do të thotë se nëse është marrë një kredi për blerje apartamenti, për shembull, me një normë interesi 15%, banka mund ta ndryshojë interesin teorikisht në një masë të pakufizuar. Sigurisht që nuk bëhet fjalë për ta ulur, për sa kohë banka funksionon si çdo biznes tjetër, duke synuar maksimizimin e fitimeve dhe jo bamirësinë apo rishpërndarjen sociale. Dhe kostot mundohen t’ia transmetojnë tregut, dhe në disa raste bëhet fjalë për kosto që lidhen me mungesën e efiçencës dhe keqmenaxhimit.
Ndërsa legjislacioni në fuqi paraqet vështirësi në gjykimin e këtyre kontratave nëse ato paraqiten të ligjshme apo jo, diçka është e sigurt. Pushteti i pakufizuar në kontrollimin e shumave që klientët e pafat mund të detyrohen t’u paguajnë bankave, i bën fajdexhinjtë ordinerë të duken zyrtarë të moralshëm e tepër seriozë. Sepse të paktën, këta të fundit nuk aplikojnë “norma interesi elastike” sipas vullnetit të lirë personal.
Nga një pikëpamje disi më teknike, bëhet fjalë për pozitë dominuese të palës kontraktuese – në rastin konkret, bankat – duke shfrytëzuar karakterin jo të barabartë ndërmjet palëve, çka në disa raste mund të jetë thjesht nevoja emergjente e qytetarëve për para, apo dhe për faktin e thjeshtë se shumica e klientëve njihen me klauzolën në fjalë vetëm rastësisht kur rishfletojnë kontratën. Deri më sot, bankat nuk rezulton të kenë bërë asnjë përpjekje për të njoftuar klientët për normat e ndryshueshme të interesit, kur , pse dhe sa e gjykon banka të arsyeshme.
Lidhur me këto pika të fundit, Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë, një dokument i cili nuk është përgatitur nga bankat, paraqet disa rrethana në favor të klientëve të këtyre të fundit.
Kreu “Pavlefshmëria e veprimeve juridike”, Neni 94 flet për raste të veprimeve juridike të cilat konsiderohen të pavlefshme. Ndër veprimet juridike që cilësohen të pavlefshme është pika “c”: “Personat, të cilët në kohën e kryerjes së veprimit juridik nuk ishin të ndërgjegjshëm për rëndësinë e veprimeve të tyre, megjithëse në atë kohë nuk u ishte hequr zotësia për të vepruar”.
Ndërsa, pika “ç” në veçanti i referohet rastit kur “personi që ka kryer veprimin juridik duke qenë i mashtruar, i kanosur, në lajthim ose për shkak të nevojës së madhe”. Si rrjedhojë, një klient që dështon ta përballojë pagesën e kësteve të kredisë, në varësi të rastit specifik mund t’i bëjë referencë frazës “…për shkak të nevojës së madhe”.
Ndërkaq, në sistemet bankare të Perëndimit, të cilave bankat që operojnë në Shqipëri u referohen nganjëherë me krenari, modele të tilla janë të pamendueshme. Madje, Federal Reserve e SHBA-së shkon deri aty sa t’i detyrojë bankat e nivelit të dytë që t’i njoftojnë dy ditë më parë klientët e tyre për ndryshimet në normat e interesit të kredive që lëshohen përmes kartave të kreditit. Sigurisht, të ndryshosh normën e interesit të një kredie afatgjatë është diçka që as mund të imagjinohet.
Ndërkaq, për sa i përket çështjes së transparencës së munguar nga bankat e nivelit të dytë lidhur me dispozitën kriminale të ndryshimit të normës së interesit, nuk ka pasur deri më sot asnjë reagim publik nga Banka e Shqipërisë, ku në mënyrë specifike dhe eksplicite të tërhiqet vëmendja për këtë rast.

BSH reagon?
Megjithatë, Banka e Shqipërisë ka marrë një hap pozitiv, duke tërhequr vëmendjen ndaj praktikave jo dhe aq të virtytshme të bankave të nivelit të dytë në Shqipëri. Lidhur me situatën në fjalë, ka reaguar guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili deklaroi në konferencën e katërt të Bankës Qendrore se klientëve të bankave të nivelit të dytë po ju imponohen produkte të shtrenjta.
“Në Bankën e Shqipërisë jo rrallë vijnë ankesa nga qytetarë, përdorues të rregullt ose rastësisht të shërbimeve bankare në lidhje me kostot që aplikojnë bankat për këto shërbime. Rezulton që në mjaft raste qytetarët vendosen përpara faktit për të kryer për sa i takon detyrimeve ndaj bankës për shërbimet e përfituara, pa pasur më parë një informacion të mirëfilltë rreth arsyes dhe madhësisë së këtyre detyrimeve. Në raste të tjera përdoruesi i shërbimit nuk gjen shpjegimin e nevojshem dhe bindës nga ana e bankës për arsye e lindjes së detyrimit dhe mënyrën e llogaritjes së tij”, tha Fullani.
Ai kritikoi edhe mënyrën e vendosjes së komisioneve nga bankat e nivelit të dytë. “Në lidhje me mënyrën e vendosjes së komisioneve, bankat orientohen prej institucioneve konkurruese në treg dhe nuk rezulton të ketë një politikë aktive dhe njëkohësisht vizionare të zhvillimit të shoqërive bankare duke mbështetur rritjen e përdoruesve që lehtësisht mund të kthehen në klientë potencialë të bankave” tha guvernatori.
Kriza dhe kreditë
Një arsye pse bankat e nivelit të dytë mund ta shohin instrumentin e manipulimit të ligjshëm të normave të interesit me interes të veçantë, lidhet edhe me pasigurinë e tallazeve të sistemit financiar shqiptar, çka në një farë mase ndodhin edhe me bashkëfajësinë e bankave.
Duke filluar që nga gushti i vitit 2008, u evidentuan simptomat e para të një krize likuiditeti, e ndikuar edhe nga lajmet mbi falimentimin e bankave në Shtetet e Bashkuara. Diçka e tillë u reflektua edhe në frenimin e rritjes së depozitave, duke regjistruar një rritje thuajse zero. Ndërkaq, qeveria shqiptare kishte tërhequr pothuaj të gjithë valutën nga arkat e bankave për të financuar shpenzimet publike në infrastrukturë.
Kjo situatë solli edhe një krizë krediti, e cila mund të ishte parandaluar në një farë mase nëse bankat e nivelit të dytë do t’i kishin marrë seriozisht paralajmërimet e përfaqësuesve të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe ato të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani mbi nevojën e kontrollimit të kredive. Pasojat e krizës ekonomike të reflektuara në mungesë likuiditeti, rritje të kredive me probleme dhe rënie të të ardhurave në sistemin bankar, sollën një goditje në ekonomi, sidomos në sektorin e ndërtimit, i cili mbështetej në një masë të konsiderueshme nga huatë bankare dhe në zinxhirin e bizneseve të tjera të lidhura me këtë sektor.
Tërheqja e një pjese të depozitave nga klientët e bankave dhe mungesa e hapjes së depozitave të reja, solli një rritje të konkurrencës në tregun e depozitave, përmes ofrimit të produkteve të reja. Megjithatë, kjo përballje ndërmjet bankave ishte më tepër në terma marketingu sesa produktesh të mirëfillta konkurruese. Lidhur me goditjen e depozitave nga kriza ekonomike dhe mbi të gjitha nga efekti i pasigurisë i krijuar nga media, Banka e Shqipërisë luajti një rol të rëndësishëm përmes mesazheve qetësuese në publik. Megjithatë, deklaratat nuk zgjidhin gjithçka, ndaj mungesa e likuiditetit solli rënie të nivelit të kreditimit, duke dhënë pasoja në formën e një reaksioni zinxhir në ekonomi.
Paradoksalisht, kjo situatë solli rritje të normave të interesit të kredive, ndryshe nga ç’ndodhi në Perëndim, ku kriza bankare ishte e përmasave dërrmuese dhe normat e interesit ranë ndjeshëm. Nga ana tjetër, ngurrimi i institucioneve shqiptare për të pranuar apo legalizuar krizën ekonomike, solli që norma bazë e interesit të mbetej e pandryshuar, ndërkohë që Euribori brenda disa javëve pësoi një rënie nga 5% në nivelin 1.4%.
Sikur gjithçka të mos shkonte mjaftueshëm keq, rritja e borxhit publik në gjashtëmujorin e parë të vitit 2009, për shkak të shpenzimeve zgjedhore rriti normën e interesit të bonove të thesarit. Diçka e tillë, automatikisht rriti koston e kredive në lekë (si për shembull Bono Thesari plus 3%). Nga njëra anë kjo solli rritje të të ardhurave për bankat, por edhe rriti kreditë e këqija për shkak të rritjes së kostos të borxhit për individët. Por për kreditë në valutë të huaj është një tjetër histori. Rënia e normave të interesit të Liborit dhe Euriborit shkaktoi rënie të të ardhurave të bankave, duke qenë se stoku i kredisë në valutë llogaritej mbi 70% të totalit.

/Mapo/