Zyrtare/ Studimet e ciklit të parë me kohë të pjesshme, kuotat e pranimit për vitin akademik 2012-2013
Dyfishohen numri i pranimeve për studimet në distancë. Lista e plotë me numrin e pranimeve në institucionet e arsimit të lartë publik në vend. Kuotat për kandidatët nga trojet
Universitetet publike do të dyfishojnë pranimet për studentët me kohë të pjesshme. Përmes një vendimi të miratuar nga qeveria, për vitin akademik 2012-2013 do të pranohen 10 mijë e 45 studentë me kohë të pjesshme, duke rritur kështu kuotën me 695 pranime më shumë se vitin e kaluar akademik. Po ashtu, vendimi i qeverisë parashikon 400 kuota për aplikantët nga Kosova, Maqedonia, apoMalii Zi. Për ish të përndjekurit politikë, për të verbrit, komunitetin rom dhe ballkano-egjiptianë janë planifikuar të jepen kuota të veçanta pranimi, në programe të ndryshme studimi të ciklit të parë me kohë të pjesshme dhe të edukimit në distancë. Referuar relacionit të vendimit, në shpërndarjen e kuotave të pranimit në vendim janë reflektuar të gjitha propozimet e institucioneve publike të arsimit të lartë.
Vendimi:
Kuotat e përgjithshme të pranimeve në institucionet publike të arsimit të lartë, për studimet e ciklit të parë me kohë të pjesshme, e të edukimit në distancë, për vitin akademik 2012-2013, të jenë 10 045, të cilat ndahen si më poshtë vijon:
a) Kuotat e pranimeve të reja, në programet e studimit të ciklit të parë, më kohë të pjesshme 9165;
b) Kuotat e pranimeve të reja, në programet e studimit të ciklit të parë, të edukimit në distancë 40;
c) Kuotat për transferim studimesh 200;
ç) Kuota për shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit 400;
d) Kuota për personat që nuk shikojnë 20;
e) Kuota për romët/ ballkano-egjiptianë 20;
ë) Kuota për të përndjekurit politikë 150;
f) Kuota për shtetasit e huaj 50.
Si bëhet ndarja e kuotave
Kuotat e çdo programi studimi ndahen në raportin 7:3, përkatësisht 70 për qind të tyre, për pranimet e reja, për programe të para studimi të ciklit të parë, me kohë të pjesshme dhe 30 për qind për pranimet e reja për programe të dyta studimi të ciklit të parë, me kohë të pjesshme. Kuotat për transferim studimesh, të përcaktuara në shkronjën “c”, të pikës 1, të këtij vendimi, shpërndahen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, sipas kërkesave të institucioneve publike të arsimit të lartë. Sa u takon kuotave të përcaktuara në shkronjën “ç” të pikës 1, të këtij vendimi, për kandidatët shqiptarë nga Republika e Kosovës, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Bujanovci dhe Medvegja, pasqyrohen në tabelën nr. 2, bashkëlidhur këtij vendimi. Kandidatët nga Republika e Kosovës, Republika e Maqedonisë, Republika e Malit të Zi dhe nga Prefektura e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës aplikojnë direkt në institucionet publike të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë. Rishpërndarja e kuotave të paplotësuara kryhet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, duke marrë parasysh edhe kërkesat e institucioneve publike të arsimit të lartë. Ndërsa kuotat e pranimeve për personat që nuk shikojnë, ndahen për kandidatët me statusin për personat që nuk shikojnë, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bazë të listës së hartuar nga Shoqata Kombëtare e të Verbërve.
Kuotat për romët dhe egjiptianët
Kuotat e pranimeve për romët dhe ballkano-egjiptianët ndahen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bazë të listës së hartuar nga Shoqata Kombëtare e Romëve dhe Shoqata Kombëtare e Ballkano-Egjiptianëve, të vërtetuara nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.
Kuotat për të përndjekurit
Kuotat e pranimeve për të përndjekurit politikë ndahen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bazë të listës së hartuar nga Instituti i Integrimit të të Përndjekurve Politikë dhe plotësimit të kritereve të vendosura nga institucionet publike të arsimit të lartë.
Kuotat për shtetasit e huaj
Kuotat e pranimeve për shtetasit e huaj, të përcaktuara në shkronjën “f”, të pikës 1, të këtij vendimi, që do të studiojnë në institucionet publike të arsimit të lartë të Republikës së Shqipërisë, administrohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Ato shpërndahen në bazë të marrëveshjeve dy apo shumëpalëshe, si dhe në bazë të kërkesave individuale, të paraqitura në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës nga personat e interesuar.
Kriteret e pranimit
Çdo shtetas shqiptar, i cili ka përfunduar shkollën e mesme dhe zotëron diplomë të Maturës Shtetërore, dëftesë pjekurie apo çdo diplomë tjetër studimi, të fituar brenda ose jashtë vendit, të barasvlershme me të, ka të drejtë të aplikojë për në programet e studimit të ciklit të parë, me kohë të pjesshme, dhe edukimit në distancë, në institucionet publike të arsimit të lartë. Kandidatët që zotërojnë dëftesë pjekurie apo diplomë të fituar brenda ose jashtë vendit, të barasvlershme me të, duhet të kenë fituar provimet me zgjedhje dhe të paraqesin në aplikim certifikatën përkatëse të lëshuar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve.
Transferimi i studimeve
Transferimet e studentëve në numrin përkatës të kuotës, bëhen nga vetë institucionet publike të arsimit të lartë, në përputhje më kriteret e përcaktuara e të bëra publike paraprakisht. Kandidatët që dëshirojnë të ndjekin studimet me kohë të pjesshme, në një program të dytë studimi, e fitojnë këtë të drejtë, sipas kritereve të përcaktuara nga vetë institucionet publike të arsimit të lartë e të bëra publike paraprakisht.
Tarifa e shkollimit
Tarifat e shkollimit për të gjitha programet e studimit të ciklit të parë, me kohë të pjesshme, për vitin akademik 2012-2013, të përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Financave dhe ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe institucionet publike të arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.
Edlira MEMA/Republika