Në vend se në kishë – kurorëzimi u bë nën ujë! Shkupjani Ante 40 vjeç dhe bashkëshortja e tij gjashtë vjet më e re, Katerina nga Kazakistani, “po”-në vendimtare e thanë në thellësitë e Liqenit të Ohrit pranë kompleksit turistik të Shën Naumit.
Dëshmitarë të tyre ishin anëtarët e klubit të palombarëve “Amfora” nga Ohri.Ceremonia e kurorëzimit filloi me shkëmbimin e unazave, pastaj çifti i porsamartuar hapi shampanjën dhe festuan së bashku me të pranishmit.
Ante dhe Katerina janë çifti i parë bashkëshortor në Maqedoni që kanë bërë këtë akt jo të përditshëm.
“U ulëm dhe u morëm vesh që ta bëjmë këtë akt dhe për ne shumë i shenjtë.
Dëshironim që këtë ta realizojmë kaherë. Në botë po bëhen gjera të tilla tërheqëse. Ohrit i mungojnë mjaftë gjera tërheqëse. Me këtë dëshirojmë që t’i tërheqim ata turistët që kërkojnë argëtim, e jo vetëm shtrirje në plazh.
Uji ishte i ftohtë dhe nuk mund të merrnim çdo gjë që mban një çift gjatë çdo ceremonie të kurorëzimit. Mirëpo, simbolikisht, nusja vendosi një vello të bardhë në kokë”, deklaroi Millutin Sekullovski, klubi i palombarëve “Amfora”.
Organizimi i ceremonisë së kurorëzimit nën ujë zgjati dy ditë, ndërsa zhytja dhe ceremonia tjetër gjysmë ore. Momentet, në 80 fotografi dhe video material prej 4 minuta, i regjistroi fotograf Emil Dimitrijeviq.
Kjo është diçka e re edhe për ne. Materiali do t’iu ofrohet për transmetim edhe televizioneve të tjera në Ballkan dhe sigurisht që do ta shohin shumë njerëz. Materiali do të jetë edhe në Internet, me çka do të mund ta shikojë e gjithë bota”, theksoi Emil Dimitrijeviq, fotograf.
Gjatë kohës së këtij akti, në afërsi kishte edhe disa varka me turistë, të cilët me kuriozitet e ndoqën ceremoninë e kurorëzimit të parë nënujor në Maqedoni. Kjo është një ide për të gjithë ata që janë me shpirt aventurieri, të provojnë nën ujë të lundrojnë në ujërat bashkëshortore. Nga klubi “Amfora” thonë se para kësaj duhet të kalohet një kurs disa ditor për zhytje.
Po ashtu mendojnë që ta vazhdojnë iniciativën edhe për kurorëzim grupor të më shumë çifteve të rinj në thellësitë e Liqenit të Ohrit, gjë që do të jetë një mundësi e mirë që të promovohet edhe si atraksion i ri turistik.