Home Lajme Sport Leo Mesi mungon dy javë, Ujfalushi kërkon ndjesë

Leo Mesi mungon dy javë, Ujfalushi kërkon ndjesë

314
0

Sulmuesi i Barcelonës do të mungojë të paktën 15 ditë, pas dëmtimit ndaj Atletikos

Lionel Mesi do të mungojë të paktën dy ndeshje pasi ka dëmtuar ligamentet në kaviljen e djathtë në fitoren 2 1 të Barcelonës në fushën e Atletiko Madridit. Klubi i Barcelonës ka thënë se testet e bëra dje kanë treguar se Mesi nuk kishte frakturë, siç mendohej në fillim. Mesi do të mungojë në ndeshjen e ligës nesër kundër Sporting Gijon dhe kundër Atletik Bilbaos tri ditë më vonë.

Barcelona luan më 29 shtator kundër Rubin Kazanit në Ligën e Kampionëve. Lojtari më i mirë i botës ka shënuar shtatë gola në gjashtë ndeshje këtë sezon. Ai u dëmtua pas një përplasjeje me mbrojtësin e Atletikos, Tomas Ujfalushi, në kohën shtesë. Mesi, autor i 47 golave vjet, nuk është dëmtuar në dy sezonet e fundit. Dëmtimi i fundit i tij ka qenë në sezonin 2007 08, kur pati probleme muskulare, ndërsa thyerja e këmbës në vitin 2006 e la tre muaj larg fushës.

Ai nuk luajti në finalen e Ligës së Kampionëve të fituar kundër Arsenalit në vitin 2006. Ujfalushi, që do të mungojë në ndeshjen e nesërme kundër Valencias, mori karton të kuq menjëherë dhe pas ndeshjes kërkoi falje publikisht. “Unë dua të kërkoj falje publikisht sepse nuk ishte qëllim i imi të dëmtoja Mesin”, ka thënë mbrojtësi çek dje. “Me shpejtësinë që ishim që të dy, nuk mund të ndaloja. Përmes telefonit të Serxhio Agueros i dërgova një mesazh për t’i kërkuar falje Mesit.”



http://www.sportishqiptar.com.al/leo-mesi-mungon-dy-jave-ujfalushi-kerkon-ndjese/