Dashuri në kohën e Championsit! Një episod i veçantë ka ndodhur gjatë transmetimit direkt në rrjetin “Sky” pas hedhjes së shortit të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve.
Drejtori sportiv i PSG-së, Leonardo, në lidhje të drejtpërdrejtë nga Nioni, i ka propozuar për martesë të fejuarës Ana Bilo, drejtuese e emisionit në studio.
Ish-braziliani i Milanit është prej katër vitesh i fejuar me gazetaren italiane dhe më në fund ka vendosur të hedhë hapin e fundit.
– Leo: “Kam një pyetje për Anën”.
– Ajo: “Po?”.
– Leo: “Do martohesh me mua?”.
– Ana: “Ç’pyetje është kjo? Në rregull, vazhdojmë”.
– Leo: “Si në rregull?”.
– Ajo: “Në rregull, po. Flasim në shtëpi, gjithsesi faleminderit”.
– “Është po apo jo?”, pyetja e Masimo Mauros në studio.
Bilo me hezitim: “Në rregull”.
Në këtë çast vjen duartrokitja e Billi Kostakurtës, gjithashtu i ftuar në studio. “Epo mirë, do bëjmë dy ceremoni, në Milano dhe Brazil”, tha me gëzim Leonardo, ndërsa gazetarja, teksa lidhja ndërpritej: “Është i çmendur”.
/Start/E.B/