Quaje si të duash, por Lezha dhe disa qytete shqiptare janë kthyer në oaze të çmendura varfërie për romët dhe egjiptianët.
Ka një proces-dekadë (e ashtuquajtur për Romët) të cilën qeveria shqiptare ka vendosur ta respektojë, ka edhe organizma bashkiake, që mëtojnë se po përpiqen ta minimizojnë, por varfëria e tyre mbetet skajore. Fëmijët e Romëve dhe Egjiptianëve po shkalafiten më së shumti nga gjendja e varfër dhe tashmë paraqesin realisht bashkë me prindërit e tyre edhe modifikime të frikshme mendore…
Në 33 metra katror duhet të flenë përditë plot 11 veta të komunitetit egjiptian, në një lagje skajore të Lezhës. Pastaj mbetet për t’u zgjidhur vetëm mënyra sesi duhet të vendosen, në mënyrë që të ketë gjumë “të rehatshëm” për të gjithë. Apeli i skamnorëve është i njësojtë: Sanije Zekaja, kryefamiljare; i biri Fatmiri me të shoqen e divorcuar dhe tre fëmijët; E bija me dy fëmijët dhe dy nipër të tjerë, bashkohen të gjithë…por vetëm natën. Ditën secili ka vetëm një detyrë: të sjellë diçka për të jetuar të nesërmen. Kujdes, vetëm të nesërmen. Për më vonë askush s’mendon gjë në këtë çetë varfanjakësh. Fëmijë të vegjël, që nuk dinë asfare pse kanë ardhur në jetë dhe pse duhet të rrinë në këtë zgëqe (ku nuk ka tualet, lavaman dhe gjërat e tjera më minimale), sillen më kotë atypari. Vocërrakët: Manueli dhe një vajzë e shtëpisë, ende nuk kanë shkuar në shkollë, kur i hasim në këtë çmënduri. Shiu na jep mundësinë që të kapim disa syresh në këtë skutë. Pjesa më e madhe e femrave Zekaja, janë bashkë dhe shfryjnë në kor ndaj burrave, nëmin jetën dhe pastaj qeshin. Po. Qeshin e qeshin! Pak minuta më vonë kuptojmë se e qeshura e tyre s’është thjesht gazmimi që mban këtë popull, por është diçka më shumë: Është një ndjesi jo normale e reagimit që bën truri, kur pyetet për gjëra normale. Për të ardhur keq, por romët dhe egjiptianët, bashkë me fëmijët e tyre, po trullosen prej kësaj kohe.
Familja
Dhe, egjiptianët, siç pretendojnë të jenë ata, janë një nga kategoritë më të varfra të shoqërisë shqiptare. Nuk flasin mirë për Romët, ashtu si edhe këta anasjelltas. Nëmin e nëmin. Midis komuniteteve të tyre, ka pafund qejfmbetje dhe më shumë akoma xhelozi. Po, ndaj kujt? Ndaj gjithçkaje. Gjatë ditës nuk mund të gjendet askush, pasi të gjithë ndahen për të bërë paratë e mbijetesës. Nuk punon askush, në një punë të rregullt. Në shtëpi vjen zyrtarisht një shumë prej 5.000 Lek që e merr plaka kryefamiljare, dhe po kaq i biri. Një asistencë merr dhe një vajzë e shtëpisë, që nuk flet, dhe që ka dy fëmijë. Të gjorën, e cila nuk mund të flasë dot, të motrat e marrin përpara me nëmie çfarëdo. Problemi “i parë” fillon me identifikimin. “Nuk jemi romë, por jemi egjiptian”. Ku është ndryshimi? “Neve nuk e dimë gjuhën e tyre dhe s’bëjmë punët e tyre. Ata kanë gjëra më shumë në dorë?!” Shumë herë bisedat këputen dhe ty të duhet të ngjisësh me një zamkë imagjinare në eter arsyetime, që të kanë ardhur befas nga mëndja gati të çartura. Pasi, këta njerëz, të thonë gjëra nga më të pabesueshmet…Na kanë thënë se kryefamiljari ka vdekur, por i është gjallë. Nuk dinë me kë janë martuar. Nuk dinë e nuk dinë!!! Nuk njohin se mund të kenë të drejtë të mjekohen, të trajtohen, të shkollohen etj., etj,.
Fëmijët
Por më të pabesueshëm janë vërtetë fëmijët e tyre. Janë në përgjithësi ‘të veshur’, por të sfilitur nga kequshqyerja dhe në një mjedis, ku edukimi është njësoj si të thuash ikje në kozmos. Era e rëndë e lagështirës pluskon në ajër, kurse gratë që i shtyjnë fëmijët sikur s’janë asgjë, s’i lënë rrallë njëra-tjetrës për të folur. Shpesh gënjejnë dhe rrinë si guake në fund, kur i kujtojmë fillin e mendimit. Kanaçe, rroba të vjetra dhe gjithçka munden thjesht për të mbijetuar. Fëmijët luajnë me gjëra rrethanore përreth. Kjo është e vetmja gjë që kuptojmë. Fëmijët, kur dëgjojnë bisedat pa kuptim, fillojnë të rrotullohen pa kuptim të tërheqin vëmendjen, kurse nënat, që zakonisht janë vajza që nëse kalojnë 14 vjeç do quhen se u ka ikur mosha, u bërtasin me klithma. Çfarë paradoksi është sikur t’u kujtosh dhe t’u kërkosh të kuptosh se çfarë po bëhet me Dekadën e famshme të romëve?! Të mendosh se me sa bujë Ministria e Çështjeve Sociale dhe Instanca të tjera e shtronin problemin e tyre kohë më parë.
Manueli 9 vjeç, Serxhio 5 vjeç dhe një vajzë e vogël, kushërira e parë e tyre po kaq bëhen bashkë sakaq dhe i harrojnë të gjitha. Të paktën këta janë më në rregull. Të tre me pozojnë të qeshur dhe janë të gatshëm për gjithçka. Të më tregojë më shumë, befas vajza ulet në dyshemenë e pistë e pikturon një shtëpi në formën më klasike, me durimin e një fëmije shumë më të vogël se ajo, kurse bashkë më udhëheqin në këtë ngrehinë të madhe, që ka vetëm një dhomë dhe ku pjesa tjetër e fut ngado erën. Era e rëndë ta bën punën disa herë më të vështirë.
Rruga “Kuvendi i Arbërit”, ku në cep ndodhet kjo shtëpi, nuk të çon dot më tej. Ashtu si edhe durimi ynë. Edisoni, djali i komunitetit, që na ka sugjeruar këtë familje, na grish për më tej. Është edhe kjo, edhe kjo…?! Në ekstremet e kësaj dikur magazine, ku nga dritarja e të cilës mveshur me një zgarë hekuri, pa xhama dhe me karton, nuk pengohet zhurma e hareshme femërore, varfëria harliset. Gruaja e vjetër dhe 5 vajzat e saj vazhdojnë të japin e marrin, që të më gënjejnë. Tre syresh, nga vajzat e plakës, nuk kanë asnjë klasë shkollë. Janë martuar të gjitha nga 14 vjeç. Burri e ka lënë më të madhen, ndërsa kjo e fundit vazhdon të më mbushë mendjen se me fëmijët ka mundur ta përballojë. Si? Kjo është e vështirë të merret vesh me romët. Kuptohet lypje e gjithshkah. Gjithsesi, që kur jemi futur në dhomë, s’ka shumë nevojë për hamendësi. Të mjafton butaforia e mjerimit. Një dollap i shkalafitur në mur, një raft me sirtarë krejt të prishur dhe një televizor në krahun e majtë, mbahen si e gjithë kamja e kësaj familje. Mundohem të gjej ndonjë shpjegim tek Edisoni, i cili po hesht tani, por gjërat më konfuzohen dhe nga ai. Është djalë i mirë, por nga shpjegimet duket se nuk është bindës. Ka bërë një shkollë ekonomie dhe ka bërë dhe një specializim në Itali. Ka pak humor dhe na shpjegon se martesa e 14 vjeçareve është një gjë kaq fare e zakonshme në këtë vend, saqë nuk është çudi “të mbetem pa martuar”. Gratë, nuk presin që ne të mbarojmë këqyrjen dhe bisedën. Ngatërrohen duke shpjeguar dhe se kanë për turp që t’i anatemojnë burrat e tyre. Gati të gjitha janë të shkurorëzuara dhe për burrat pak duan t’ia dinë. Kryefjala është e njëjtë:Burrat vinë tapë dhe janë të papërgjegjshëm. Sikur kjo të jetë e thjeshtë, plaka, që rri me flokë të lyer më shpjegon: “Po më qan nipi, sepse nuk ka çfarë të hajë sot”. Në fakt, djali i vogël që do më pozojë më tej, është shumë i qetë dhe shikon atë që shikojnë të gjitha gratë nga një kanal lokal ku po këqyrin muzikë. Pak më vonë na del se i ati i Edisonit ua ka lënë me qira shtëpinë dhe ndaj ai nuk i bezdis shumë me pyetje. Jam i sigurt se s’flasin dot më shumë. Rudina, vajza e madhe, është martuar dy herë dhe ka pesë fëmijë dhe s’ka asnjë klasë shkollë. Më ngacmon të shoqin se nuk punon sa duket. E bija, një 17 vjeçare bukuroshe dhe lozonjare që pret fëmijën e dytë, i rri pranë. Nga martesa e dytë! S’është aspak e ngeshme për punë. Shkëmbejnë fjalë, por nuk merret vesh asgjë…Gruaja e vjetër më thotë se nuk ka bërë asnjë shkollë. Ashtu si edhe e bija, që lan tapete dhe kohën kur nuk ka punë, vjen e bën lloqe me të ëmën. Nga përgjigjet që më japin ato duken më shumë sesa të çartura, teksa flasin për burrat, sikur të jenë asgjë. Shumë syresh janë pa kurorë. Po pse? “Sepse burri ka vdekur dhe kush ta bën martesën po të jesh 14 vjeç”, më thotë, duke më parë si të çmendur, që nuk “kuptoj” asgjë. Majlinda ka Manuelin që ‘po qan’ dhe Serxhin. Për fat, dikush që menaxhon një Qendër që quhet “E shenjta Mari”, merret më me durim me ta. Ndërkohë, shiu i dhjetorit, vazhdon e futet nga kudo, kurse era e rrobave të lagështa dhe gjetur në plehra është e padurueshme. Gentiana, 17 vjeçare më buzëqesh pakuptim. Ka qenë e martuar në Tiranë por është ndarë me të shoqin dhe e ka pas në Laprakë…Ikim. E humbim fillin. Qeshin, kur duhet të bërtasin. Ose varfëria u kalcifikuar trurin.
Edisonin, e dëgjoj nga pas, që më shton se gjendja e tyre është fatkeqe dhe jetojnë të gjithë në një dhomë, e cila s’është më shumë se 33 metra katror. Mes tyre 5-6 fëmijë. Mban erë kudo dhe këtë e ndjej kur dal në ajrin jo aq të pastër, që flladit nga Drini i rreshkur pak metra më tutje. Të vetmin moment të këndshëm me ta, e që e kujtoj është kur dal të bëj me fëmijët fotografi. Është momenti që ndjej sikur të vegjlit gjejnë rehat dhe janë gati të luajnë e të më pozojnë bukur kudo. Më ndjekin fare pak dhe ndjehen krenarë. Në sfond, shtëpia gati e rrënuar dhe pa mundësi, e gati për shembje ku zdërhallet në çmenduri varfëria, s’ndalet nga zhurma….
…
Fëmijët sikur lirohen, kur ikim nga gjërat që flasim me prindërit e tyre. Duket sikur ikim të gjithë. Ajo që mbetet kur dalim është jonormale. Si mund të jetojnë fëmijët kështu? Romët dhe egjiptianët janë të vështirë për t’u njohur por kjo është një nga historitë e familjeve sepse e gjithë Lezha ka probleme pa fund. Jo më kot, plot 12% e familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike nga bashkia u takon atyre. Dilja një grua e sjellshme e Bashkisë që vjen nga Shoqëria Civile më shpjegon pjesën zyrtare se: “Në politikat e zhvillimit ekonomik në Bashkinë e Lezhës, politikat sociale janë një prioritet më vete dhe se zhvillimi social përbën 1 nga 4 shtyllat kryesore të Strategjisë së zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, e cili aktualisht është në proces rishikimi”. Gruaja të rreshton dhe disa plane veprimi me UNICEF-in, OSBE-ODHIR-in dhe UNDP-në, megjithatë besoj e vetëdijshme se asnjë strukturë shtetërore s’mund të mëtojë të ndryshojë më gjë për ta. As Dekada, as Institucionet, as Ambasadat dhe dokrrat e zonjave dhe zotërinjve politikanë në Tv. Sepse, në 33 metra katror jetojnë normalisht 11 vetë!!! Nuk ka rëndësi se çfarë janë. Janë mu në shekullin e XXI…