Home Aktualitet Liberalizohen adresat e internetit shqiptar domain .al

Liberalizohen adresat e internetit shqiptar domain .al

379
0

AKEP: Çdo shtetas shqiptar mund të ketë domain-in për 2 mijë lekë

Adresat e internetit nuk do të jenë më vetëm me “.com” apo “.org”, “.net”, por mund të gjenden kollaj edhe me “.al”, si identitet kombëtar i Shqipërisë. Drejtues të AKEP bëjnë të ditur se tashmë çdo individ mund të hapë një faqe interneti dhe adresë poste elektronike, personale me domain “.al”, mjafton të aplikojë dhe të paguajë një detyrim prej 2 mijë lekësh në vit. Më parë përfitonin vetëm subjektet juridike, pra bizneset, si dhe institucionet shtetërore, por tani është e mundur për të gjithë individët. Pavarësisht këtij liberalizimi, aplikimi dhe marrja e kësaj të drejte kalon në procedura tepër burokrate që zgjasin deri në dy muaj.

Aktualisht vetëm 5 për qind (4060 përdorues) e shtetasve dhe subjekteve që veprojnë në Republikën e Shqipërisë dhe zotërojnë një domain e kanë atë me mbaresën “.al”, kurse pjesa tjetër i kanë blerë ato në zonën e domain-eve me “.com” apo të shteteve të tjera si Itali “.it”; Gjermani “.de” apo Mbretëri e Bashkuar “.uk”. Sipas rregullores së AKEP, domain.al duhet të kenë minimumi 3 karaktere (germa) dhe maksimumi 63 karaktere. Ndalohen domaine.al me fjalë fyese, diskriminuese dhe të pamoralshme si dhe nuk lejohet regjistrimi i domain-eve me përcaktim gjeopolitik si p.sh, Kosova.al, Tirana.al, pasi këto rezervohen për institucione dhe organizma shtetërore. Gjithashtu, sipas AKEP, kufizohet regjistrimi sipas disa termave dhe emërtesave teknike.