Home Lajme Sport Liga e Europës, dritare për historinë…

Liga e Europës, dritare për historinë…

368
0

Sot luhen ndeshjet e para “play off” për “kupën e vogël”. Në fushë “gjigantët” Juventus dhe Liverpul

Jo më pak se 74 skuadra nga 31 shtete, që nga skuadra e Madeiras, Maritimos në perëndim e deri te skuadra ruse e FC Sibir Novosibirsk në lindje, do të jenë në fushë sot në Ligën Europa, me shpresën për të siguruar një vend në fazën e grupeve. Deri tani, vetëm mbajtësi i trofeut, Atletiko Madridi, e ka siguruar një vend në fazën e grupeve, që nis më 16 shtator.

Suksesi i së shkuarës nuk do të vlejë aspak për disa nga emrat e mëdhenj të futbollit europian, që do të luajnë kundër skuadrave më të dobëta dhe me më pak emër, por që luajnë për të bërë befasinë dhe për të zënë një vend në histori. Gjashtë klube që kanë fituar Ligën e Kampionëve do të luajnë në këtë fazë, duke e çuar numrin në tetë, pasi Liverpuli dhe Juventusi avancuan nga raundi i tretë.

Nga ky numër skudrash ish-kampione, PSV-ja, kampione e Europës në vitin 1988, luan kundër debutuesve të FC Sibir Novosibirsk, kurse Karabakh FK do të mbajë lart flamurin e Azerbajxhanit kundër gjermanëve të famshëm të Borusia Dortmund. Ndërkohë që Karabakh është pranë ëndrrës së një skuadre azere për të luajtur në fazën e grupeve të një kompeticioni të madh europian, skuadra kazake e Aktobes do të luajë kundër AZ Alkmarit me të njëjtat ambicie, ashtu si edhe kampionët e Uellsit, Nju Seints, që luajnë kundër CSKA Sofia.

TNS dhe Aktobe janë dy nga 15 skuadrat që vijnë nga Liga e Kampionëve, ku u eliminuan në raundin e tretë. Vëmendja kryesore do të jetë te Mançester Siti, që me skuadrën plot yje do të udhëtojë drejt Rumanisë për të luajtur kundër Timisoaras. Portieri i Sitit, Shei Given, ka pranuar se do të jetë një ndeshje e vështirë. “Ne kemi një skuadër të fortë, kështu që e imagjinoj se jemi favoritë, por duhet ta vërtetojmë këtë në fushë”, ka thënë ai për UEFA.com.

“Mund të jetë e vështirë për trajnerin që të gëzojë secilin prej nesh duke e futur në fushë, por ne kemi lojtarë mjaft të mirë, madje ndër më të mirët në botë, kështu që presim të jetë një kompeticion emocionues. Liga Europa do të thotë një kompeticion me shumë ndeshje dhe skuadra jonë ka shumë lojtarë që janë të nevojshëm për ndeshje të tilla, kështu që kemi shanse të mëdha për të ecur shumë përpara.” Siti nuk është e vetmja skuadër që ka pretendime.

Pasi e çoi vjet Fulhemin deri në finale të kësaj kupe, Roi Hodgson do të shpresojë të bëjë të njëjtën gjë me Liverpulin këtë sezon. Liverpuli luan kundër Trabzonspor, ndërsa Luixhi del Neri dhe Juventusi i tij do të luajnë kundër Shturm Grac. Një tjetër ndeshje interesante është ajo midis Rapid Vjenë dhe Aston Vilës, një çift që janë ndeshur edhe vjet. Vila nuk ka këtë sezon trajnerin Martin O’Nill, por mbrojtësi Riçard Djun këmbëngul se skuadra e tyre është e aftë të marrë hak për humbjen e vjetshme, “për t’i vënë gjërat në vend”, siç është shprehur Riçardson.



http://www.sportishqiptar.com.al/liga-e-europes-dritare-per-historine/