Home Kuriozitete Lufta ne Afganistan, sa i ka kushtuar ne te vertet Amerikes…

Lufta ne Afganistan, sa i ka kushtuar ne te vertet Amerikes…

629
0

Vizita surprizë e Presidentit Obama në Afganistan ishte e treta për të në vendin e shkatërruar nga lufta përgjatë tre viteve si President.

Vizita shënonte një vjetorin e vdekjes së Osama bin Ladenit dhe shërbeu si një mundësi që Obama të takonte trupat amerikane dhe Presidentin afgan, Hamid Karzai.

Me pjesën dërrmuese të trupave ushtarake që pritet të tërhiqen nga Afganistani në vitin 2014, Obama dhe Karzai nënshkruan një marrëveshje për partneritet strategjik e cila përcakton angazhimin e ardhshëm të Amerikës në vend pas një dekade luftimesh.

Ja një vështrim mbi çmimin, si në jetë njerëzish ashtu edhe në dollarë, që amerikanët dhe afganët kanë paguar përgjatë 12 viteve të luftës.

3 860 ditë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në luftë në Afganistan prej 3 860 ditësh. Trupat mbërritën me 7 tetor 2001, më pak se një muaj pas sulmeve të 11 Shtatorit.

1 834 amerikanë të vrarë

Përgjatë 11 viteve që amerikanët kanë luftuar në Afganistan, janë vrarë 1 834 trupa ushtarake. Viti më vdekjeprurës deri më tani ka qenë 2010-a, përgjatë të cilit u vranë 492 trupa.

Gjatë katër muajve të parë të vitit 2012, në Afganistan humbën jetën 87 anëtarë të ushtrisë amerikane. Ndërsa që prej vrasjes së Osama bin Ladenit, në shtetin e shkatërruar nga lufta janë vrarë 367 amerikanë.

15 786 amerikanë të plagosur

Që prej fillimit të luftës në vitin 2001, rreth 16 000 trupa amerikanë janë plagosur në aksion.

Që prej vrasjes së Osama bin Ladenit një vit më parë deri në fund të Marsit 2012, në Afganistan janë plagosur 4 341 anëtarë të ushtrisë amerikanë.

88 000 trupa

Në Afganistan aktualisht janë stacionuar 88 000 trupa amerikane. Ky numër ushtarësh ka mbetur pas tërheqjeve të vitit të fundit, teksa numri më i lartë i trupave në vend ishte rreth 100 000, në mars të vitit 2011. Deri në fund të shtatorit të këtij viti, numri i trupave pritet të tkurret në 68 000 teksa nga fundi i vitit 2014, pjesa dërmuese e trupave pritet të largohen nga vendi.

Në Afganistan aktualisht janë dislokuar po ashtu rreth 40 000 trupa shtesë nga aleatët e Amerikës, të tillë si Britania.

11 864 civilë të vrarë

Sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, afërsisht 12 000 qytetarë afganë janë vrarë mes vitit 2007 – kur OKB-ja filloi të raportonte statistika të tilla – dhe 2011-ës.

443 miliardë dollarë

Sipas Zyrës për Hulumtime të Kongresit, lufta e Afganistanit u ka kushtuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës 443 miliardë dollarë nga viti 2001 në 2011-ën.

Sipas “Pew Trusts report”, luftërat në Irak dhe Afganistan kanë kontribuar në rritjen e borxhit të SHBA-ve më shumë se çdo politikë tjetër që prej 2001-shit, me përjashtim të shkurtimit të taksave të bërë nga ana e Bushit dhe rritjes së interesit nga ndryshimet legjislative.

/Shqipëroi për “Start” Elsa Agia/www.peqini.com