Home Aktualitet Lushnje, 86-vjeçari gjendet i vdekur në xhami

Lushnje, 86-vjeçari gjendet i vdekur në xhami

542
0

lushnje-xhamia-ku-ndodhi-vetevrasjaI moshuari gjendet i vdekur brenda Xhamisë së Dushkut në Lushnjë. Policia dyshon për vetëvrasje. Banorët: Sherr me myftiun.

Gjendet i therur me thikë në fyt në xhaminë e fshatit besimtari 86-vjeçar. Ngjarja ndodhi në fshatin Dushk të Lushnjës, kur i moshuari Shemsi Muça u gjet i vdekur në ambientet e brendshme të xhamisë nga banorë të zonës. Ata kanë hyrë në xhami për të kryer ritet fetare, por gjetën diku në një cep të mbuluar me gjak 86-vjeçarin Muça. Më kot janë munduar ta ndihmojnë dhe janë tronditur kur konstatuan prerjen në fyt. Banorët sinjalizuan menjëherë policinë, duke e raportuar rastin si vrasje brenda xhamisë. Por pas hetimeve të kryera, Policia e Fierit bëri të ditur se pista kryesore në të cilën janë duke hetuar është ajo e vetëvrasjes së të moshuarit. Trupi i 86-vjeçarit, baba i katër fëmijëve, është çuar në morgun e Spitalit të Lushnjës për të kryer ekzaminimet mjekoligjore. Paraprakisht dyshohet se viktima ka kryer vetëvrasje dhe për vetë mënyrën se si është krijuar plaga në fyt. “Viktima e ka mbajtur thikën me dorën e djathtë, ndërsa plaga i ka nisur nga e majta në të djathtë. Duket plagë e bërë mundimshëm, e dhënë kjo që çon në dyshime për vetëvrasje”, bëri të ditur Policia. Sipas burimeve në vendngjarje, ekzaminimet në trupin e viktimës nuk flasin për shenja dhune apo përleshje të tij. Nga ana tjetër, blutë kanë marrë në pyetje edhe familjarët e tij. Këta të fundit, sipas Policisë, kanë pohuar që i moshuari dhe as vetë familja nuk kanë probleme apo konflikte me persona të tjerë. Ata janë shprehur se i moshuari çdo ditë dilte nga shtëpia dhe herë pas here shkonte edhe në xhami për shkak të besimit që kishte. Sipas dëshmisë së tyre, dje i moshuari ka dalë nga shtëpia më herët se zakonisht. Ata e kanë përshkruar gjendjen e tij psikologjike jo të rëndë. Dje ai kishte qenë i heshtur, por të afërmit e tij i deklaruan grupin e hetimit se nuk kishin vënë re ndonjë shenjë që ata të shqetësoheshin dhe të mos e linin vetëm. “Sot në Dushk të Lushnjës është gjetur i vdekur një shtetas rreth moshës 86 vjeç. Paraprakisht nga të dhënat në vendin e ngjarjes dyshohet për vetëvrasje. Megjithatë, ne po punojmë për të zbardhur ngjarjen dhe rrethanat”, thuhej në deklaratën e Policisë së Fierit. Ndërkohë Policia deklaroi se megjithëse dyshohet për vetëvrasje, nuk përjashtohen edhe të tjera pista të mundshme për t’u përfshirë në hetim. Një fakt i tillë është përforcuar kur në orët e mbrëmjes janë marrë në pyetje disa bashkëfshatarë të viktimës. Ata kanë pohuar se i vetmi problem që kishte të bënte me xhaminë kishte qenë në vitin 2006. Në atë kohë, ata bashkë edhe me viktimën kishin pasur një sherr me myftiun për mënyrën si menaxhoheshin të ardhurat. Blutë nuk përjashtuan mundësinë që të merret në pyetje edhe myftiu. Një tjetër e dhënë dyshuese ka qenë edhe dëshmia e një tjetër banori, i cili ka pohuar se kishte parë një djalë duke vrapuar jashtë ambienteve të xhamisë. Policia bëri të ditur mbrëmë se pista kryesore është ajo e vetëvrasjes, por nuk përjashtojnë edhe pista të tjera.

Feja e ndalon vetëvrasjen
Besimtarët myslimanë në vendngjarje nuk kanë ditur ta shpjegojnë dot veprimin e bashkëfshatarit të tyre të moshuar. Sipas tyre, ai ishte besimtar dhe shkonte shumë shpesh në xhami. Por ata deklaruan se feja myslimane e dënon vetëvrasjen. Për këtë shkak ata nuk kishin një përgjigje se pse 86-vjeçari ka vendosur t’i japë fund jetës pikërisht në objektin fetar, aty ku në vijimësi ai i ishte lutur Zotit.