Trajneri i Sitit analizon humbjen në Sandërlend dhe lejon Robinjon e Santa Kruzin që të largohen
Trajneri i Mançester Sitit, Roberto Mançini, ia ka vënë fajin paaftësisë së skuadrës së tij për të shënuar në humbjen 1-0 kundër Sandërlendit. Emanuel Adebajor, Jaja Ture dhe mbi të gjitha Karlos Tevez ishin fajtorë për rastet e humbura para se Darren Bent të shënonte me penallti për Sandërlendin në fund të ndeshjes. “Futbolli është i çuditshëm. Ne luajtëm shumë mirë në pjesën e parë, por kur nuk shënon, qëllon t’i humbësh ndeshje të tilla”, tha Mançini.
“Ne patëm raste me Karlosin, por edhe raste të tjera, tre ose katër.” Trajneri italian i Sitit ishte shumë i frustruar gjatë kësaj ndeshjeje në “Stadium of Light”, sidomos në pjesën e dytë, përballë një skuadre modeste. Para se Bent të shënonte në kohën shtesë, miqtë kishin disa raste në pjesën e parë, kur çuditërisht Karlos Tevez humbi një rast me portën bosh. “Jam i zhgënjyer sepse doja ta fitoja këtë ndeshje”, ka shtuar Mançini.
“Ne luajtëm mirë në pjesën e parë, por në të dytën u mbrojtëm shumë dhe ata na vunë në vështirësi. Çdo ndeshje është e vështirë dhe ne duhet të luajmë deri në sekondën e fundit.”
Mançini ka pohuar pas asaj humbjeje se sulmuesit e pakënaqur, Robinjo dhe Rokue Santa Kruz mund të largohen para se të mbyllet merkatoja, e cila ul siparin sonte. Mançini shpreson të mbajë portierin Shei Given, i cili kërkohet nga trajneri i Fulhemit, Mark Hjuxhs.
Por braziliani Robinjo, i huazuar te Santos në Brazil sezonin që shkoi, është përfolur se mund të kalojë te Barcelona ose ndonjë klub turk, kurse Santa Kruz kërkohet nga Fulhemi. Mançini ka pohuar: “Do të doja që Shei të qëndronte, por kam folur me Rokuen dhe ai ka dy-tre oferta. E njëjta gjë vlen edhe për Robinjon. Ne kemi oferta për ta, por nuk e di nëse do të materializohen apo ata do të qëndrojnë në klub.”
http://www.sportishqiptar.com.al/mancini-pastron-sulmin-kritikon-skuadren/