Home Aktualitet Marshimi per Camerine ne Qafe-Bote 2012 (FOTO)

Marshimi per Camerine ne Qafe-Bote 2012 (FOTO)

327
0

Marshim madhështor në Qafë Botë, përkujtohen viktimat e gjenocidit grek

Në marshim, mijëra persona nga të gjitha trevat shqiptare

Mijëra persona nga të gjitha trevat shqiptare, kanë udhëtuar drejt Kllogjerit e Qafë Botës për të marrë pjesë në marshimin e madh përkujtimor në nderim të viktimave të gjenocidit grek mbi popullsinë çame. Stacioni i parë kanë qenë varrezat masive të Kllogjerit, ku është përuruar një memorial, që shënon nisjen e punimeve për Varrezat Monumentale, në nderim të më shumë se 3000 shqiptarëve të Çamërisë që humbën jetën e nuk u lejuan të kishin as një gur mbi varr. Marshimi i paqes me moton “Unë e dua Çamërinë” udhëhiqej nga drejtues të Partisë për Drejtësi, Integritet dhe Unitet dhe shoqatave çame, si dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti.

Pas vendosjes së gurit të themelit, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi ka deklaruar se: “ky është guri i themelimit të çështjes Çame”.  Këto varreza, ka shtuar Idrizi, janë detyrimi moral për pararaardhësit, prandaj ai i quajti këto varreza si:“pikë kthese për çështjen çame”. “Çështja çame do të futet në kanalet diplomatike dhe kthimi pranë vatrave tona nuk do të jetë i largët”, tha ai më tej.  Marshimi i sotëm përmbylli aktivitetet e organizuara në kuadër të javës çame.

67 vjet më parë, në tokën e tyre, Çamëri, u vranë rreth 3000 vetë, kryesisht gra, pleq e fëmijë, ndërsa rreth 2960 të tjerë vdiqën në kufirin e Çamërisë me Shqipërinë, në Kllogjer. Mbi çamët u ekzekutua një plan i përgatitur, për t’i asgjësuar tërësisht si komunitet nga dheu i të parëve, vetëm sepse ata i përkisnin një komuniteti etnik, fetar dhe social, të ndryshëm nga grekët.