Në mars 1997, kryetarja e komisionit të ligjeve Jozefina Topalli, pranon si të ligjshëm bashkimin mes ministrisë së brendshme dhe ish-SHIK-ut të të ndjerit Gazidede. Një nga shumë veprimet që i hapën rrugën anarkisë dhe tragjedisë në vend: u zgjodh të përdorej forca në vend të zgjidhjes së urtë politike. Të enjten, një tjetër seancë në Kuvend, demonstroi se sidomos maxhoranca, është shumë larg të pranuarit të nevojës për zgjidhje politike. Kësaj rradhe, zonja Topalli drejtonte seancën si kryetare e Kuvendit. MAPO boton procesverbalin e seancës së 2 marsit 1997, një ditë më pas, zoti Sali Berisha u rizgjodh President i Republikës
Ka ndodhur fiks 14 vjet më parë. Ka ndodhur në datën 2 mars 1997 në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Deputetët e Partisë Demokratike, me shumicë votash, me votën e dalë nga zgjedhjet tërësisht të manipuluara të 26 majit 1996, miratojnë një ligj “Për bashkimin e SHIK-ut me Ministrinë e Brendshme”. Ishte një ligj i “çuditshëm”, me vetëm dy nene, nga të cilët njëri tregonte hyrjen e menjëhershme të tij në fuqi dhe tjetri, që shkruante: “Shërbimi Informativ Kombëtar bashkohet me Ministrinë e Brendshme”. Në të njëjtën ditë, i ndjeri Bashkim Gazidede, ish-shef i SHIK-ut, emërohet si gjeneral dhe komandant i gjendjes së jashtëzakonshme. Një ditë më pas, Sali Berisha, rizgjidhet President i Republikës në një nga seancat më të trishtuara të Kuvendit të Shqipërisë. Breshëri të pafundme automatikësh përshëndetën rizgjedhjen e tij në krye të shtetit, por kjo festë ishte prologu i një historie dramatike të filluar më herët dhe që do të vazhdonte edhe më pas.
Ishin manipuluar zgjedhjet e 26 majit 1996, ishte rrahur dhe masakruar publikisht opozita që demonstroi dy ditë pas zgjedhjeve në sheshin Skënderbej, ishin fituar një palë zgjedhje lokale në tetor të të njëjtit vit dhe kishte filluar procesi i rrëzimit të piramidave financiare, bosët qesharakë të të cilave, kishin financuar dy fushatat elektorale të PD-së.
Janari dhe shkurti i 14 vjetëve më parë shënoi intesifikimin e protestave të qytetarëve të zemëruar për humbjen e kursimeve të tyre, kryesisht në jug të vendit. Ata fajësonin direkt ish-presidentin Berisha si njeriun që kishte lejuar dhe shfrytëzuar politikisht ngritjen e tyre duke e paraqitur aktivitetin e tyre kriminal si shenjë të mrekullisë ekonomike shqiptare. Në vend të zgjidhjes politike, në ato muaj të tensionuar dimri, zoti Berisha zgjodhi përdorimin e forcës për shtypjen e demonstrimeve, por dështoi. Opozita e vendit, e dërmuar nga humbja e zgjedhjeve të 26 majit, me një pakicë deputetësh në një Kuvend të cilin nuk e njihte, mundi të vihet në drejtim të demonstrimeve me anë të Forumit për Demokraci. Dorëheqja e kryeministrit antikomunist të kohës, Aleksandër Meksi, ishte një akt politik, i cili nuk u pasua, me dorëheqjen e të gjithë krerëve të institucioneve, siç ishte menduar. Ndër ta, ishte parashikuar edhe largimi i vetë zotit Berisha nga politika, që konsiderohej shkaktari kryesor i krizës. Kjo gjë nuk ndodhi. Hilja e zotit Berisha, ishte akti vendimtar që e mbajti atë në politikë, ndërkohë që ishte përgatitur me detaje deri edhe largimi i tij nga vendi.
Tre ditë mbas rizgjedhjes së Presidentit, vendi u vu nën gjendjen e jashtëzakonshme dhe tre ditë të tjera më pas, ish-presidenti u detyrua të kërkojë një zgjidhje politike. Që do të thoshte, krijimi i një qeverie të Pajtimit Kombëtar me kryeministër socialist, me poste të ndara simetrikisht mes PD-së dhe PS-së dhe me mbështetje të deklaruar nga shumica dërmuese e djathtë në Kuvend. Detyra e kësaj qeverie ishte të rivendoste rregullin dhe rendin kushtetues dhe të përgatiste zgjedhjet e parakohshme që ishin parashikuar në qershor të të njëjtit vit. Por kjo zgjidhje politike, shumë e lëvduar dhe kritikuar që atëherë dhe më pas, kishte ardhur shumë vonë. Djajtë kishin dalë nga shishja dhe politika që rendte pas tyre, kishte bërë gafën e rradhës. Tashmë ajo, me konfliktualitetin e saj ekstrem, nuk kishte mundur t´u paraprinte ngjarjeve, nuk kishte bërë asgjë për t´i parandaluar ato, por thjesht i ndiqte nga pas. Tragjedia e marsit të zi, bilanci tragjik i viktimave që nisi t´i ngjante një bilanci lufte, me shpërthimin e depove të armëve nga jugu në veri, është një nga anët më të errëta të politikës shqiptare në pluralizëm. Ajo tragjedi e shënjon me gisht klasën politike të kohës si një krijesë të paaftë, të inkriminuar dhe tërësisht të mposhtur nga instikti për pushtet.
Të gjitha tentativat për të dënuar penalisht, por edhe politikisht autorët e kësaj tragjedie kanë dështuar. Dështoi hetimi penal, dështoi dhe një hetim parlamentar për këtë ngjarje. Fatkeqësisht, edhe mbas fitores së socialistëve në qershor 1997, defektet serioze të qeverisjes dhe lufta tejet e ashpër politike në vend, nuk dhanë mundësi jo vetëm për shërimin e plagëve të hapura, por krijuan dhe plagë të reja. Një vit më pas, në një tentativë të pastër për grusht shteti në 14 shtator 1998, Shqipëria ishte më e ndarë se kurrë dhe më e rrezikuar se kurrë nga anarkia. Vetëm ndërhyrja ndërkombëtare – në mars 97´ edhe me mision ushtarak paqeruajtës – mundi të mbajë çfarë mundej nga ai thërrmim i pashoq i shtetit, dy herë në më pak se dy vjet.
Eshtë e vështirë të ngrihen paralele të qarta mes situatës së sotme në vend dhe asaj të 14 vjetëve më parë. Në këto 14 vend, Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, ka krijuar mirë apo keq institucionet e saj të pavarura kushtetuese, ka rritur standartin e jetesës, por sërish ka një klasë politike nën standartin minimal evropian. Dhe ky është elementi më ogurzi për të ardhmen. Eshtë e njëjta gjuhë urrejtje, e njëjta miopi për të parë përtej interesit të çastit politik dhe mbi të gjitha, i njëjti instikt për pushtet dhe e njëjta urrejtje për zgjidhje politike.
Në 21 janar 2011, një demontratë e opozitës, me elementë sporadikë të dhunshëm brenda saj, u shoqërua me vrasjen gjakftohtë të katër qytetarëve të pafajshëm. Demonstrimi i forcës së armëve të shtetit mbi demonstratë, qoftë kjo edhe e dhunshme, nuk paralajmëron asgjë të mirë sa kohë nuk do të dalë e qartë përgjegjësia penale dhe mbi të gjitha, përgjegjësia politike.
Në jetën e një shoqërie, si në mjekësi, politikë apo dhe në luftë duhet parashikuar më e keqja dhe duhet të shmanget më e keqja duke u përgatitur për më të keqen.
Zgjedhjet e 28 qershorit 2009, të helmuara nga dyshimi për deformim të rezultatit, refuzimi i maxhorancës për të hetuar mbi to dhe për të garantuar transparencë, janë pika e fillimit. Helmi i korrupsionit të gjithëpërhapur qeveritar dhe mungesa e ndëshkimit të tij penal dhe politik, janë rrënja tjetër që mund të rikthejë sërish marsin e zi mes shqiptarëve. Jo në atë formë, por me të njëjtën përmbajtje. Çka do të ishte një hap tërësisht prapa dhe tërësisht negativ jo vetëm për Republikën e Shqipërisë, por për të gjithë faktorin shqiptar në rajon. Kjo duket se do të jetë pika që do të ndajë, në qeveri apo në opozitë shqiptarët e mirë nga shqiptarët e këqinj. Në kuptimin direkt të kësaj fjale. Dhe kjo vlen edhe për ata shqiptarë që e ngrejnë si ndërtim la leje çatinë prej horrash të patriotizmit dhe në të vërtetë, i shërbejnë gjithçkaje, përveç Shqipërisë. Sot, për hir të një ironie të fatit, një nga çelësat e zgjidhjes së krizës e ka në dorë i njëjti individ që nuk e përdori si duhet dhe kur duhet në vitin 1997. Dhe ky është Sali Berisha. Çelësi tjetër është në dorë të opozitës dhe për më shumë, është në duart e qytetarëve të zemëruar me këtë qeverisje. Në mes është vetëm shpresa se të gjithë bashkë, të gjithë aktorët me zë në historinë moderne shqiptare, do të kërkojnë të mos përsërisin kokëfortësinë për ta mbajtur mbyllur derën e zgjidhjes politike.
Si ka ndodhur keq dhe cili është skenari i zi dihet, se çfarë do të ndodhë është vetëm pronë e parashikimeve. MAPO ka zgjedhur të botojë procesverbalin e një seance në Kuvendin e Shqipërisë, në 2 mars 1997, kur miratohet ligji që bashkon ministrinë e brendshme me SHIK-un, për të kujtuar së paku, se çfarë nuk duhet bërë. Seanca e të enjtes në Kuvend për kufizimin e imunitetit të deputetëve, gjuha e përdorur aty, edhe pse tërësisht e ndryshme, është një gur më shumë në themelin e të keqes që nuk po i ndahet këtij vendi. Për një tjetër “koincidencë” politike, dy njerëz janë të pranishëm në të dy këto seanca. Në të parën Berisha si frymëzues i saj dhe Topalli si kryetare e komisionit të ligjeve dhe në të dytën, Berisha si drejtues real i saj dhe Topalli si kryetare e Kuvendit.
MAPO boton procesverbalin e kësaj seance, kurse çfarë po ndodh sot, është ende e freskët. Mbi të gjitha, është e paharrueshme mënyra sesi u kërkua të stiset një grusht shteti, një “puç” ku “pronari” i qeverisjes përfshiu të gjithë institucionet e shtetit. Që nga Presidenti i Republikës e deri tek Prokurori i Përgjithshëm. Të kujtosh është dhunti, të harrosh është mëkat. Dhe harresa është një nga mëkatet fillestare të kësaj qeverisjeje mëkatare që flet edhe në vitin 2011 njëlloj si në vitin 1997.