Gazmend Maxhuni mban rekordin e Kosovës në 100 metra vrapim. Maxhuni në Mitrovicë, gjashtë vite më parë kishte vrapuar këtë distancë për 11.06 sekonda. Ai është rekordmen i Kosovës në disiplinën më të shpejtë, por vetë ai mund të mos jetë edhe atleti më i shpejtë në Kosovë.
Rekordin e tij mund ta kenë thyer disa herë studentët e Fakultetit të Shkencave Sportive gjatë provimit pranues. Madje, se ka pasur më të shpejtë se Maxhuni, është i sigurt prodekani i këtij fakulteti, Musa Selimi.
“Në bazë të raporteve dhe rezultateve të studentëve që marrin pjesë në provimet pranuese për t’u regjistruar në fakultetin tonë, kam hasur edhe në vrapime përfundi 11 sekondave në 100 metra vrapim. Po ashtu në 1000 metra jam shumë i sigurt që kam hasur në studentë që kanë përfunduar këtë distancë përfundi tre minutave. Ka studentë që janë marrë me futboll, volejboll e sporte të tjera”, ka thënë Selimi.
Atleti i klubit Rogana, Astrit Kryeziu, në vitin e fundit ka thyer plotë gjashtë rekorde të Kosovës në atletikë. Ai aktualisht është pronar i rekordeve të Kosovës në 200 metra, 400 metra, 600 metra, 800 metra, 1000 metra, 1500 metra vrapim. Në 200 metra rekordi i tij është 22.87 sekonda, që e arriti këtë vit në Mitrovicë. Por, kjo kohë është mjaft e “ngadalshme” krahasuar me atletët e nivelit botëror. Madje rekordi i tij është edhe më i ngadalshëm se koha më e mirë për 200 metra vrapim për femra këtë vit, të cilën e mban amerikania Allyson Felix (22.12 sekonda). Ndërkohë, në konkurrencën e meshkujve rekordin e botës (200 m) e mban xhamajkasi Usain Bolt me kohë 19.19 sekonda.
Stërvitja nëpër shtigje të improvizuara të fshatit
Trajneri i klubit më të suksesshëm të atletikës në Kosovë, Rogana, Zijadin Kryeziu, tregon se marrja me atletikë është mjaft e vështirë në Kosovë.
“Është shumë vështirësi e madhe për organizimin e garave në atletikë, pasi nuk posedojmë mjete të mjaftueshme, si financiare ashtu edhe në aspektin e infrastrukturës. Nuk kemi infrastrukturë të mirë për t’u stërvitur. Na duhet të improvizojmë ndonjë rreth për t’i bërë stërvitjet. Kushtet po na mungojnë, por ne nuk po ndalemi duke mbajtur gara e kampionate. Kemi garues të mirë të cilët mund të përballen me shumë garues të rajonit. Po t’i kishin kushtet ashtu siç i duhen një atleti për të stërvitur, atëherë nuk do të thyenim vetëm rekordet tona apo të Shqipërisë, por kemi atletë që mund të maten edhe me atletë të nivelit evropian. Atletët kosovarë duhet të kenë një qasje krejt ndryshe. Ata duhet të paguhen, të stimulohen, t’u mundësohet një infrastrukturë më e mirë. Ata duhet të përqendrohen vetëm në ushtrime. Duhet të stërviten nga tri orë në ditë intensivisht për të arritur në nivelin evropian. Duhet që edhe institucionet dhe komunat të rregullojnë shtigje të atletikës”, ka thënë Kryeziu.
Stadiumi i vetëm që ka shteg të atletikës për të garuar është ai “Adem Jashari” në Mitrovicë. Ky është vendi i vetëm ku mund të mbahen garat e atletikës në Kosovë.
Dallime edhe më të mëdha në përformancat e atletëve kosovarë me ata botërorë janë në disiplinat e tjera të atletikës, si hedhje e gjyles, të shtizës, diskut, kërcime në trehapësh e kërcime për së gjati.
Hasan Ganiaj me 13.86 metra mban rekordin e Kosovës në kërcim me tre hapa, por ky rekord është shumë i ulët në krahasim me normat ndërkombëtare. Rekordin e botës në trehapësh e mban britaniku Jonathan Edwards (18.29 metra). Ndërkohë rekordin në hedhje të gjyles e mban Arsim Miroci me 13.20 metra, por ky rekord është afro dhjetë metra më i vogël se ai i botës që e mban amerikani Randy Barnes (23.12 metra). Sejdi Blakaj mban rekordin e Kosovës në hedhje të diskut. Blakaj tash 54-vjeçar, hedhjen më të mirë të diskut në Kosovë e bëri gjashtë vite më parë në Mitrovicë (41.51 metra). Por, kjo hedhje është dukshëm më e vogël se rekordi i botës që mban gjermani Juergen Schult (74.08 metra), për gati 33 metra.
Vështirësitë e mëdha
Hiç më mirë nuk qëndrojnë punët as në konkurrencën e femrave. Burneta Rama mban rekordin e Kosovës në 100 metra (12.73 sekonda). Por, me këtë rekord ajo është shumë larg standardeve ndërkombëtare. Rekordi i botës në 100 metra ka firmën e amerikanes Florence Griffith Joyner (10.49 sekonda). Rama mban rekordet edhe në kërcim për së gjati (5.15 metra) dhe kërcim trehapësh (10.61 metra).
Kryetari i Federatës së Atletikës të Kosovës, Halil Sylejmani, pranon se në aspektin infrastrukturor është shumë e vështirë të organizohen garat e atletikës.
“Nuk jemi ndalur që pas pavarësimit. Ne kemi marrë ndihma nga të gjithë, por sa duhet nuk ka pasur asnjëherë. Federata e Atletikës së Kosovës është lënë gjithmonë anash nga institucionet e Kosovës. Por, ne kemi pasur njerëz entuziastë që nuk janë ndalur në asnjë çast. Ne krenohemi që organizojmë gjysmëmaratonën me sukses. Jam i kënaqur me arritjet e atletëve kosovarë. Deri diku në kualitet po u afrohemi shteteve të rajonit, por nuk duhet harruar sa larg nesh janë ata në infrastrukturë. Për atletët e Kosovës nuk ka kurrfarë kushte. Shtegu i vetëm është ai i Mitrovicës ku edhe shumica e garave mbahen. Nuk kemi kushte të mjaftueshme për atletët tanë”, ka thënë Sylejmani.
Gara më e njohur e atletikës që zhvillohet në Kosovë është gjysmëmaratona ndërkombëtare e Prishtinës. Sivjet është mbajtur për të 11-n herë, por ndryshe nga vitet e kaluara kur kishte shumë atletë nga vendet e huaja, sivjet kryesisht pati atletë kosovarë dhe shtetas të huaj, që punojnë në organizatat e huaja të pranishme në Kosovë.
Disa nga rekordet e meshkujve të Kosovës e të botës:
RK – Gazmend Maxhuni, 100m 11.06 sekonda
RB – Usain Bolt (Xhamajkë) 9.58 sekonda
RK – Astrit Kryeziu, 200m 22.87 sekonda
RB – Usain Bolt (Xhamajkë) 19.19 sekonda
RK – Astrit Kryeziu, 400m 48.67 sekonda
RB – Michael Johnson (SHBA) 43.18 sekonda
RK – Astrit Kryeziu, 800m 1:53.85 minuta
RB – David Rudisha (Keni) 1:41.01 minuta
RK – Astrit Kryeziu, 1.500m 3:57.54 minuta
RB – Hicham El Guerrouj (Marok) 3:26.00 minuta
RK – Meriton Hasanaj, 3.000m 8:41.68 minuta
RB – Daniel Komen (Keni) 7:20.67 minuta
RK – Rrahim Mani, 5.000m 15:19.80 minuta
RB – Kenenisa Bekele (Etiopi) 12:37.35 minuta
RK – Lulzim Kallaba, 10.000m 32:41.30 minuta
RB – Kenenisa Bekele (Etiopi) 26:17.53 minuta
RK – Bujar Tërshani, kërcim së gjati 6.89 metra
RB – Mike Powell (SHBA) 8.95 metra
RK – Hasan Ganiaj, kërcim trehapësh 13.86 metra
RB – Jonathan Edwards (Britani e M.) 18.29 metra
RK – Sejdi Blakaj, hedhje e diskut 41.51 metra
RB – Juergen Schult (Gjermani) 74.08 metra
RK – Arsim Miroci, hedhje e gjyles 13.20 metra
RB – Randy Barnes (SHBA) 23.12 metra
RK – Edzevit Mahmutoviq, hedhje e shtizës 52.85 metra
RB – Jan Zhelzny (Çeki) 98.48 metra
Disa nga rekordet e femrave:
RK – Burneta Rama, 100m 12.73 sekonda
RB – Florence G. Joyner (SHBA) 10.49 sekonda
RK – Arta Hasani, 200m 26.82 sekonda
RB – Florence G. Joyner (SHBA) 21.34 sekonda
RK – Arta Hasani, 400m 59.70 sekonda
RB – Marita Koch (Gjermani) 47.60 sekonda
RK – Gresa Bakraqi, 800m 2:15.58 minuta
RB – Jamila Kratochvilova (ish-Çek.) 1:53.28 minuta
RK – Gresa Bakraqi, 1.500m 4:35.22 minuta
RB – Qu Yunxia (Kinë) 3:50.46 minuta
RK – Diana Qehaja, 3.000m 10:41.48 minuta
RB – Wang Junxia (Kinë) 8:06.11 minuta
RK – Myrvete Përvetica, 5.000m 19:23.15 minuta
RB – Tirunesh Dibaba (Etiopi) 14:11.15 minuta
RK – Burneta Rama, kërcim së gjati 5.15 metra
RB – Galina Chistyakova (ish-BRSS) 7.52 metra
RK – Burneta Rama, kërcim trehapësh 10.61 metra
RB – Inessa Kravets (Ukrainë) 15.50 metra
RK – Ardita Uka, hedhje e gjyles 11.02 metra
RB – Natalya Lisovskaya (ish-BRSS) 22.63 metra
RK – Ardita Uka, hedhje e shtizës 38.30 metra
RB – Barbora Spotakova (Çeki) 72.28 metra
RK – Rina Blakaj, hedhje e diskut 38.52 metra
RB – Gabriele Reinsch (Gjermani) 76.80 metra