Home Lajme Sport Merkato e yjeve, sa shumë intriga në Mançester

Merkato e yjeve, sa shumë intriga në Mançester

284
0

Përgatiti: ADMIR GREMI

 

Pekini thërret Londrën. Për një shaka të rrallë të fatit, në harkun e 24 orëve gjatë kësaj fundjave do të luhen Superkupat e Italisë dhe Anglisë.

Në Pekin, është derbi Milan-Inter, ndërsa në “Uembli” të Londrës, zhvillohet derbi i Mançesterit, mes Junajtid dhe Sitit. Mes 4 skuadrave, është në lojë një merkato aktive: përfshihen Shnejder, Tevez, Baloteli dhe një hipotezë e largët, Eto.

Mes kartonave dhe pagave, një biznes që shkon në rreth 200 milionë euro. Të shtunën dhe të dielën luhet, ndërsa të hënën nisin tratativat.

 

 

Dëgjoni Skolsin: Shnejder është pasardhësi im”

 

Junajtid gjueti ndaj holandezit të Interit. Edhe legjenda e Fergusonit synon Uezlin

 

Loja e interesave e organizuar nga Mançester Junajtid në lidhje me tratativat për Shnejder është e përsosur. Trajneri (i shquari Aleks Ferguson, baron për meritat sportive) thotë: “Shnejder është një lojtar i madh, por ne nuk jemi duke e konsideruar atë”. Administratori i deleguar, Dejvid Xhill, siguron: “Për të kompletuar merkaton tonë duhet një goditje e madhe, do të flas me Fergusonin”.

Tashmë, vjen edhe zëri i fundit në këtë komedi, pikërisht i Pol Skols, emblema e vjetër i tërhequr në maj, që prej korrikut në stafin teknik të Junajtid: “Shnejder është një talent. Ka luajtur shumë mirë në sezonet e fundit me Interin dhe Holandën. Nuk mendoja se do të paraqitej kaq mirë, pas largimit nga Madridi, por ka treguar se është një kampion. Është pasardhësi im më i mirë i mundshëm”.

 

Prapaskena – Mrekulli. Po kthehemi në fillim: çfarë do të ndodhë me Shnejder? Deri këtu i është dhënë rëndësi fjalëve të holandezit (“Ndeshja e Superkupës në Pekin mund të jetë e fundit me fanellën e Interit”), por janë theksuar edhe ato të Gasperinit (“Shnejder po stërvitet me ne dhe do të luajë me ne në Pekin”).

Megjithatë në Mançester e dinë mirë se ekziston një “problem” Shnejder. Është zbuluar gadishmëria e Interit për ta shitur lojtarin për arsye të bilancit dhe është po aq i qartë gjithashtu edhe shqetësimi i holandezit, i detyruar nga moduli “gasperian” të tërhiqet më mbrapa në mesfushë: nga trekuartist në qendër të mesfushës.

Junajtid kërkon një lojtar me këto karakteristika. Idea e parë ishte Nasri, por më pas ndërhyri Siti. Kështu që Junajtid hodhi sytë te Shnejder.

 

Paga – Një problem tjetër është edhe paga e Shnejderit. Është shumë e lartë për parametrat e Junajtid: kalon edhe pagën e Runit. Fergusoni i ka kërkuar holandezit të reduktojë kërkesat, ndërsa Shnejder nuk është i këtij mendimi. Parà si gjithmonë.

 

 

 

Tevez nuk rikthehet, pothuajse pranë lamtumirës. Por kushton shumë

 

Siti, argjentinasi ende me pushime në shtëpi. Megjithatë Karlitos kërkon Interin…

 

Nga fjalët te veprat: Karlitos Tevez nuk është kthyer në Mançester. Argjentinasi duhej të ishte prezent mëngjesin e djeshëm në “Carrington”, për stërvitjen e parë pas pushimeve, të zgjatura deri të mërkurën prej pjesëmarrjes në Kupën e Amerikës, por Karlitos, është njoftuar dje nga zyra e shtypit, nuk i ka hipur avionit.

Ka qëndruar në shtëpi, në Argjentinë. Pas deklaratave të 4 korrikut, në të cilat Tevez thoshte “nuk mund ta duroj dot largësinë nga familja ime, e rikthyer në Argjentinë, sepse nuk ndihej mirë në Angli”, një muaj më vonë konsumohet ndoshta largimi deçiziv.

Për të justifikuar vonesën, është shpjeguar se Tevez duhej të prezantohej sot vetëm “nëse do të ishte e nevojshme”, sepse duhej të kompletonte periudhën e pushimeve, por Aguero, një tjetër i ardhur nga Kupa e Amerikës, po stërvitet në Mançester prej 1 jave. Sinjali është i qartë: Karlitos Tevez nuk dëshiron të rikthehet në Mançester.

 

Skenarët – Tevez beson në vlerësimin dhe premtimet e sheikut Mansur, pronar i klubit, i cili ka një debolesë për argjentinasin: “E konsideroj Tevezin si një nga lojtarët më të mirë në botë. Nuk do të doja ta humbisja, por nëse do të më kërkonte të largohej, nuk do ta pengoja”. Tevez nuk do të jetë “i burgosuri” i sheikëve, por mund të jetë i kartonit të tij (i vlerësuar 45 milionë euro nga Siti) dhe nga paga e tij: fiton 10 milionë në sezon. Vetëm Reali i Madridit dhe Çelsi mund të shpenzojnë këto shifra, por ai kërkon Interin. Duhet gjetur formula për ta bërë praktike tratativën. Mund të jetë konsiderimi i një huazimi, por argjentinasi dhe agjenti i tij, Kia Jorabkian, duan shitjen përfundimtare.

 

Aguero mungoi – Të mërkurën Siti pati një stërvitje të hapur. Nuk është parë Aguero, prej dhimbjes në stomak. Tifozët kanë duartrokitur Balotelin, ndërsa italiani ka firmosur autografe, përpara se t’i dhuronte fanellën e tij një vajze, e cila e ka puthur më pas.

 

Runi kërkon “hakmarrje” ndaj Sitit në Superkupë

 

Sulmuesi anglez i “djajve të kuq” pret me padurim përballjen me rivalët e qytetit, ndaj të cilëve humbën në Kupën FA

 

Uejn Runi mezi po e pret takimin e Superkupës së Anglisë mes Mançester Junajtid dhe Mançester Sitit, që do të luhet të dielën. Anglezi kërkon “hakmarrje”, duke ditur se ekipi i tij u mposht 1-0 nga Siti në gjysmëfinalen e Kupës FA, në “Uembli”, sezonin e kaluar.

“Të luash ndaj Sitit për Superkupën, është mënyra më e mirë për të nisur sezonin”, tha ai. “Nuk e kisha menduar këtë ndeshje më parë, derisa dëgjova në televizor natën e kaluar dikë që foli për sfidën, ndoshta më potenciale të luajtur ndonjëherë për “Community Shield”.

“Është mënyra më e mirë për ta nisur sezonin e ri, duke ditur se në fund të një pune të lodhshme, do të kemi përballë një derbi të Mançesterit. Nuk mund të gjesh motivim më të mirë për të nisur një kampionat, me një ndeshje kaq kumbuese”. Runi ka ende besim se do të mbrojnë titullin e Premier Ligës sezonin e ardhshëm, pavarësisht përforcimit të rivalëve të qytetit me emra të mëdhenj si Serxho Aguero.

Ai shtoi: “Emrat janë evidentë, por nuk mund të përqendrohemi te ato. Duhet të fokusohemi te puna jonë. Por duhet thënë se Siti, Çelsi, Arsenal, Liverpul dhe ndoshta Spërsat do ta nisin sezonin me objektiv për ta fituar atë. Ajo që mund të bëjmë ne, është të përmirësohemi dhe të ruajmë vazhdimësinë”.

Sulmuesi mendon se pritshmëria për kampionët e Anglisë do të varet me kalimin e kohës, teksa ndjen se pavarësisht pengesave të sezonit të kaluar, objektivi i tyre është të fitojnë gjithçka që munden.

Ai tha: “Kur luan për një klub si Junajtid, dihen shumë mirë se cilat janë objektivat. Duam të fitojmë kampionatin, Championsin dhe të dyja Kupat. Është e thjeshtë. Sigurisht, ndonjëherë mund të dështosh në ndonjërën prej tyre, por te Junajtid duhet të përpiqesh gjithmonë për këtë gjë”.

 

Sporti Shqiptar Online