Milan, vjen Robinjo largohet Borrielo

Klubi kuqezi ka arritur marrëveshjen me brazilianin që pritet të zyrtarizohet sot. Italiani drejt Juventusit

Milani duket se është zgjuar befasisht dhe pas superblerjes Ibrahimoviç është një hap larg marrjes së një tjetër futbollisti të nivelit të lartë, sulmuesit të Mançester Sitit, Robinjo. Sipas lajmeve të fundit transferimi i lojtarit të “Seleçaos” te kuqezinjtë është i sigurt. Marrëveshja midis futbollistit dhe drejtuesve kuqezi është arritur që në javën e kaluar, ndërsa Galiani ishte në Barcelonë për të siguruar Ibrahimoviçin.

Zyrtarizimi i blerjes së fundit të kuqezinjve pritet të vijë ditën e sotme, që është edhe dita e fundit e merkatos. Robinjo do të përfitojë 5 milionë euro në sezon për katër vitet e ardhshme dhe do të kalojë tek Milani borxh me të drejtën për ta blerë në fundin e sezonit për një shifër të përafërt me 18 milionë euro. Shifër kjo që klubi kuqezi do ta paguajë me paratë që do të marrë nga transferimi i sulmuesit kuqezi Marko Borrielo te Juventusi.

Drejtori sportiv i bardhezinjve dhe administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galiani, kanë arritur dje marrëveshjen për kalimin borxh të lojtarit në Torino me të drejtën për ta blerë në fundin e sezonit. Mungon vetëm “po”-ja e lojtarit kuqezi, por që duket se nuk do të ketë asnjë kundërshtim duke parë se, me kalimin e Ibrahimoviçit tek Milani, nuk do të ketë shumë hapsira për të në formacionin titullar të trajnerit Masimiliano Alegri. “Sigurisht që për një skuadër që deri pak ditë më parë dukej se kishte nevojë për dy sulmues, të ketë në dispozicion tri alternativa për çdo pozicion nuk do të ishte keq”, ka thënë Berluskoni.



http://www.sportishqiptar.com.al/milan-vjen-robinjo-largohet-borrielo/

Comments are closed.