Drejtuesi Marota pranon: Por nuk duam ta paguajmë shuma të mëdha
Përgatiti: Josif Gjoshe
“Dëshirojmë ta reduktojmë organikën e grupit pasi është e shumtë në numër. Në fakt, na janë kërkuar disa lojtarë, por deri më sot s’ka pasur asgjë konkrete”. Këto kanë qenë fjalët e administatorit të Juventusit, Bepe Marota, i cili ka pranuar se pas një serie të gjatë blerjesh, tashmë objektivi i bardhezinjve është që të shesin lojtarët, të cilët nuk bëjnë më pjesë në planet e Antonio Kontes. Bonuçi duket se nuk qëndron mes këtyre emrave: “Na e ka kërkuar Zeniti i Spaletit, gjithsesi ne duam të mbështetemi tek aftësitë e tij, është një i ri premtues”.
Sa i përket merkatos në hyrje, Juventusi vazhdon të ketë nevojë për një mbrojtës dhe një mesfushor krahu: “Është kthyer në modë të flitet për “Mister X”, gjithsesi ne tashmë i kemi ndërmend emrat ku do të fokusohemi,” ka thënë Marota, i cili ka shpjeguar se Juvja nuk është e gatshme të shpenzojë shifra marramendëse:
“Merkatoja është në lëvizje të madhe dhe është më e veçantë në krahasim me atë të disa viteve më parë. Ne duam t’i arrijmë objektivat tanë, por duke respektuar etikën: nuk kemi ndërmend të paguajmë shuma marramendëse për lojtarët që do blejmë”.
Ndërkohë administatori është treguar i rezervuar karshi emrave konkretë: “Kemi idetë tona, gjithsesi duhet të tregohemi të kujdesshëm kur bëhet fjalë për emra. Përpara se të shpallim diçka duhet të jemi të sigurtë. Nuk mund ta shesësh lëkurën e ariut kur ende s’e ke vrarë. Synimi ynë është që në fund të kësaj merkatoje të kemi një skuadër të kompletuar. Trajneri ka kërkuar një skuadër kompetitive dhe homogjene, do mundohemi t’i dhurojmë potencialin më të mundshëm teknik”.
Xhenoa
Kharzha zihet me tifozët, Frei është entuziast
Nëse ekziston një lojtar, i cili po pret me padurim për të filluar aventurën e tij me Xhenoan, një tjetër duket se ka bërë valixhet gati, pasi është nën shënjestrën e tifozëve.
Franko-marokeni, Housin Karzha, i cili është fyer rëndë nga tifozët kuqeblu. Lojtari është tërbuar në momentin, që tifozët filluan të fyejnë fenë e tij, madje ai është mbajtur me forcë nga dy shoqërues. Grindja duket se e ka thyer tërësisht marrëdhëniet e tij me tifozët kuqeblu, çka do të thotë se lojtari do të largohet.
Nga ana tjetër është Sebastian Frei, shumë entuziast dhe mezi pret të fillojë kampionatin me Xhenoan: “Dua të tregoj se vazhdoj të jem një ndër portierët më të mirë të këtij kampionati, madje më i miri. Ajo që më bindi të vija ishte entuziasmi i presidentit Preciozi dhe kurioziteti për të luajtur këtu. Kujtoj gjithmonë vitet e Championsit me Fiorentinën dhe të njëjtat emocione dua t’i provoj edhe këtu”.
Holandezi
Elia rikthehet në fokusin e bardhezinjve
Bepe Marota dhe Fabio Paratiçi kanë kohë që po kërkojnë një lojtar krahu për të përforcuar krahun e majtë të sulmit të Antonio Kontes. Listën e tyre duket se e kryeson një holandez.
Bëhet fjalë për 24-vjeçarin e Hamburgut, Eljero Elia. Gjatë kohës që luante tek Den Hagu, ishte shoku i tij i skuadrës, Romeo Kastelen, i cili i mësoi karakteristikat e vërteta të një lojtari krahu.
“Eljero është vetëm 24 vjeç, gjithsesi është një lojtar i fortë. Ka një talent të pabesueshëm, ka nevojë për diçka tjetër. Për mua është i fortë edhe Arjen Roben”. Për ta sjellë në Torino, bardhezinjtë duhet të paguajnë 8 milionë euro, ndërkohë “Zonja e vjetër”, nuk po ua ndan sytë as alternativave të tjera.
Pistat që të çojnë tek holandezi i Barçës, Afelai dhe portugezi i Mançesterit, Nani, vazhdojnë të mbeten të komplikuara. Në lojë qëndron vetëm Huan Manuel Vargas.
Napoli
De Laurentis presion Lavecit: Mjaft më me fjalë!
Marrëdhënia mes Napolit dhe Ezekiel Lavecit nuk po kalon një moment të qetë. Edhe fjalët e Aurelio de Laurentis nuk premtojnë një sezon të qetë. “Është e nevojshme që Laveci të kuptojë se nëse do të qëndrojë tek Napoli atëherë nuk duhet të sillet si argjentinas, por si napolitan, duhet t’i marrë përsipër përgjegjësitë e tij, duhet të stërvitet mirë dhe të mos kërkojë për t’u larguar,” ka thënë presidenti”.
Ndërkohë Valter Maxarri është shprehur i entuziasmuar edhe pse Serisë A i mbeten edhe tri javë për të filluar. “Jam i kënaqur me këtë Napoli, – ka thënë ai duke iu referuar merkatos,- është e drejtë të mbështetesh te një grup, i cili po bën gjëra të jashtëzakonshme. Jam i dashuruar me lojtarët e mi. Kemi një përbërje të mjaftueshme në ekip si dhe shumë kualitete. Pas pak ditësh do na kthehen edhe amerikano-jugorët”.