“Kisha oferta nga kategoria e parë, por më bindën ambiciet dhe korrektësia e presidentit Pepkola dhe e trajnerit Haxhia”
Nga ERJON SALIU
Moses Aleçenu është bërë një personazh për gjithë qytetin e Sarandës dhe fansat e zjarrtë të Butrintit. Kjo edhe falë formës së mirë që nigeriani ka treguar sezonin e fundit, në fund të të cilit sarandiotët u ngjitën në të parën.
I rikthyer tashmë dhe shumë pranë firmës me sarandiotët, ai tregon arsyet pse ka zgjedhur Butrintin. Sipas 21-vjeçarit, Saranda është bërë si “shtëpia” e dytë për të, pas Nigerisë. Shkon shumë mirë me lojtarët dhe kërkon që të ngjitet në superligë me Butrintin.
Në një prononcim për “Sportin shqiptar”, mbrojtësi nigerian, që ka luajtur edhe me Turbinën, Bilisht Sportin dhe Albpetrolin, shprehet: “U ktheva në Sarandë, sepse më bindën projektet e presidentit Pepkola dhe korrektesa e drejtuesve të Butrintit. Në krye të skuadrës është një trajner shumë i mirë dhe me ekspriencë, Petrit Haxhia. Ai ka drejtuar skuadra të njohura të superligës dhe pa dyshim që do të jetë “arkitekti” ynë për sezonin e ardhshëm.
Isha një vit më parë këtu dhe shkoja shumë mirë me të gjithë. Në asnjë moment nuk e kam ndier veten të huaj. Në qytetin e Sarandës jam ndier si i shtëpisë. Më donin të gjithë, duke filluar që nga drejtuesit, lojtarët dhe tifozët. Kështu, edhe pse kisha oferta nga disa ekipe të kategorisë së parë, zgjodha Sarandën.
Me Butrintin dua që të ngjitemi në kategorinë superiore. Është një klub me drejtues seriozë dhe me objektiva të qarta. Do të jap maksimumin dhe falënderoj presidencën që besoi tek unë. Dua që Butrinti ta realizojë objektivat që ka këtë edicion. E njoh kategorinë e parë, kështu që eksperienca do të më ndihmojë t’i shërbej Butrintit.”