Home Aktualitet Moti i keq, Dritëro Agolli: Politikanët, tufa ujqish në dëborë

Moti i keq, Dritëro Agolli: Politikanët, tufa ujqish në dëborë

336
0

TIRANE – Dritëroi rri mendueshëm, i ulur në ballë të dhomës ndërsa sytë i ka ngulitur në ekranin e televizorit. Bardhësia e dëborës duket se ia vret sytë e qelqtë tejpërtej syzeve. I ndjek pamjet filmike disi i ‘tronditur’, ndërsa kamerat lëvizin fshat me fshat. Sheh dhe hesht, sheh dhe ul kokën pastaj sheh dhe psherëtin. Bora ka paralizuar vendin, ka izoluar banorët por situata e rëndë ka prekur thellë edhe vetë shkrimtarin. Shkrimtarin nuk e ka mërzitur vetëm dëbora, por edhe menaxhimi i situatës e debatet mbi të. Duket i revoltuar nga shkëmbimet ndërsjella të akuzave mes politikanëve në këto ditë fatkeqësie. Me të drejtë ai pyet: Kush mund ta nxjerrë Shqipërinë tonë nga kjo situatë e rëndë? Këta njerëz që grinden? Pothuaj një javë më parë, kur dëbora ende s’e pat gjunjëzuar verilindjen e juglindjen e Shqipërisë, ne kishim folur më Dritëroin për një intervistë. Paraprakisht patëm rënë dakord që biseda t’i kushtohej një libri të ri mbi letërsinë e tij që mban titullin “Njerëzit e krisur të Dritëro Agollit” me autor Shaban Sinanin. Siç patëm folur në orët e paradites së djeshme u gjendëm në shtëpinë e tij për bisedën mbi poezitë e dramat. Pas përshëndetjeve të rastit, Agolli u mendua një copë herë ashtu pa folur me shikimin e mbërthyer nga televizori. Libri studimor mbi të është mbi tavolinën prej druri, ndanë tavullës së duhanit, ndërsa cigaret ndizen e fiken njëra pas tjetrës. Ne heshtim dhe presim bashkë me shkrimtarin dhe ashtu si ai, sytë ia ngjeshim fort ekranit. Një moment ai na sheh në sy dhe thotë duke cituar Dostojevskin: “Kur në Barcelonë bie tërmet, shkrimtari nuk mund të flasë për lulet”. U bë e qartë që intervista për letërsinë do të mbetet për një kohë më të vonë. E vendosëm që biseda jonë këtë herë do të jetë për pasojat e dëborës. Për këtë të fundit, Migjeni pat shkruar një skicë me titullin “Bukuria që vret” teksa punonte si mësues në Pukë, në të njëjtin qytet ku tani dëbora ka mbuluar gjithçka. Sot, Agolli analizon situatën dhe kritikon politikën dhe jo vetëm për mosmenaxhim të mirë. Duke mos përmendur emra ai kërkon bashkim e bashkëpunim për të ndihmuar njerëzit që janë në të ftohtë pa ushqim, pa drita e pa ujë.
Prej disa ditësh Shqipëria është nën dëborë. Krahas ndihmave për të izoluarit politika shqiptare po lëshon akuza të ndërsjella mbi situatën. Si e keni parë gjendjen në tërësi?
Unë si qytetar i këtij vendi, por edhe gjithë qytetarët e tjerë jemi tepër të trishtuar nga kjo gjendje e jashtëzakonshme. Është mbuluar me dëborë gjysma e Shqipërisë, ose ma merr mendja që vetëm një çereku i vendit është pa dëborë. Në këtë gjendje që jemi duhet të bashkohemi dhe ta përballojmë këtë fatkeqësi duke ndihmuar secili jo vetëm me gjëra materiale, por ndihma duhet të jetë e gjithanshme. Ajo duhet të jetë jo vetëm materiale, por edhe me një fjalë të ngrohtë, me një bashkim të madh të të gjithë njerëzve pa dallim partiak, pa dallime pikëpamjesh, pa dallime feje e pa asnjë lloj dallimi domethënë. Madje, do të thosha që edhe kryetarët e partive që janë në vendin tonë, edhe kryeministri, edhe presidenti, edhe priftërinjtë, edhe hoxhallarët, ata që falen e ata që nuk falen, duhet ta kenë mendjen tek kjo situatë e rëndë në të cilën ndodhet vendi. Duhet ta kenë mendjen aty që njerëzit të shpëtojnë nga kjo fatkeqësi sepse nuk është e lehtë që të rrish nën dëborë, pa ushqim, pa drita, pa ujë, pa ushqime për bagëtinë (sepse njerëzit jetojnë bashkë me lopët, dhentë, dhitë e bagëtitë, i kanë ndihmës se me to ushqehen). Duhet menduar jo vetëm për njerëzit por edhe për kafshët e për zogjtë.
Bashkim për të përballuar fatkeqësinë?
Nuk duhet të zihemi me njëri-tjetrin, të paktën në këtë kohë të rrezikshme. Nuk duhet të këmbejmë fjalë dhe ligjërime të pahijshme që ta thellojnë edhe më shumë këtë dëshpërim, që të ngjallin një pesimizëm. Kush do ta nxjerrë këtë Shqipërinë tonë nga kjo situatë? Këta njerëz që grinden? Nuk iu mjaftoi koha pa dëborë që u zunë e u therën, por edhe tani në këtë kohë, si tufa ujqërish zihen me njëri-tjetrin nëpër dëborë, për të kafshuar diçka apo për vota, për disa copa letrash? Duket si një garë, kush të dalë më i zoti për t’ia mbushur mendjen njerëzve që unë jam i zoti dhe mua më votoni.
Ju ka prekur situata shumë me sa duket…
Është një dramë absurde që si vete njeriu në mendje. Edhe një shkrimtari nuk i vete në mendje që të mendojë e të hedhë në letër një dramë të tillë, aq imagjinare është. Kjo që po ndodh tani, në këto tri a katër ditët e fundit me të vërtetë që as njeriut të letrave nuk i shkon në mendje. Edhe unë jam shqiptar, por ne shqiptarët kemi një dobësi të tillë që i fillojmë gjërat nga fundi. Duhet ta prishim këtë rregull, të nisim nga fillimi.
Si erdhëm deri këtu? Mund të ishte shmangur kjo fatkeqësi?
U pa me kohë që ky dimër do të ishte disi kështu, paramendohej! Njerëzit, megjithëse të varfër, duhet të kishin menduar për këtë ditë. Duhet të kishin menduar ata vetë, por edhe drejtuesit tanë ashtu siç duhet të kishin menduar përse jo edhe shoqatat joqeveritare. Ato duhet të kishin menduar të mblidhnin disa rezerva në disa pika të rëndësishme që quhen të pakalueshme që të përdoreshin për ditët kur bie dëborë. Rezervat të jenë atje ku ke mundësi ti shpërndash. Fjala vjen, duhet të ishin disa rezerva në fshatin Gjerbes pranë Tomorrit, kështu fshatrat përreth mund të shkonin edhe t’i merrnin. Para se të binte kjo dëborë e madhe, dëgjova njërin që fliste në televizor e thoshte se kishin stoqe për ditë të vështira, e ku janë sot? Një tjetër thoshte se kemi para të mjaftueshme. E keqja është se kur ka fatkeqësi të kësaj natyre, nuk ha dot para. A i merr dot eurot, dollarët apo një 50 mijëlekëshe e t’i hash? Paraja nuk vlen fare po nuk pate bukë, sepse paraja përdoret për të blerë bukë. Po ku do ta blesh kur bllokohen rrugët? Le të na bëhet mësim kjo dhe në çdo vjeshtë të mendohet për të mbledhur rezerva në disa pika kyçe ku bie dëborë e madhe dhe ka izolim. Rezerva duhet të ketë në Tropojë, në Pukë, në Dibër, në Malësinë e Madhe, në Vermosh, Shalë e Shosh, Mokër e Opar. Të ketë rezerva andej dhe ligje të forta që të ruhen për dimrin.
A nuk mendoni se të izoluarit janë ndihmuar me gjithë vështirësitë e qarkullimit?
Po janë ndihmuar falë heroizmit të pilotëve tanë që i shpien me helikopter sepse është vështirë e mund të ketë edhe të papritura. Por, më mirë duhet t’iu çosh një thes me miell edhe gjëra që mund të gatuhen për shumicën se sa dy a tri pako makarona. Një pako makarona ikën për një vakt, sepse ato janë familje të mëdha, çfarë do hanë më vonë? Duhet miell gruri dhe misri, duhen lakra e fasule që njerëzit të hanë. Duhen menduar dhe llojet e ushqimeve. Madje edhe vetë dyqanet e fshatrave duhet të furnizohen herët me shumë ushqime që t’i kenë për dimër. Duhet të mendojnë të gjithë më herët. Iu duhet thënë fshatarëve që të bëjnë shkallë të larta që të ngjiten e të pastrojnë çatitë nga dëbora në mënyrë që të mos shemben. Janë çmësuar nga kohët e vështira. Shteti, tregtarët e mëdhenj, shoqatat e individët që kanë mundësi le t’i ndihmojnë të varfërit me rezerva, sepse e di se disa prej tyre jetojnë me ndihmë ekonomike dhe nuk kanë mundësi të grumbullojnë sasi të mëdha ushqimesh sepse s’kanë para t’i blejnë me shumicë. Këtu s’ka as vend ku të dërgohen ndihmat për të varfrit qoftë edhe rroba, ndërsa në botë janë kishat. Le ta bëjnë kishat e xhamitë tona një organizim të tillë.
Në gjendjen ku jemi aktualisht, çfarë mund të bëjmë për të lehtësuar sadopak situatën e rëndë të banorëve të bllokuar në zona të thella?
Në këtë gjendje duhet një solidaritet i madh, që të grumbullohen shumë njerëz që të zhbllokojnë rrugët, të ndihmojnë njerëzit, të marrin familjet që iu janë prishur shtëpitë e s’kanë ku të jetojnë. Ne gjatë luftës së Kosovës kemi mbajtur në Shqipëri në shtëpitë tona rreth 1 milion shqiptarë të Kosovës. Edhe në shtëpinë time gjatë luftës kam mbajtur 15 veta. Le t’i mbajmë edhe ata që s’kanë ku të jetojnë për shkak të dëborës. Qytetet që janë afër zonave të bllokuara nga dëbora le të hapin dyert për banorët e fshatrave derisa gjendja të përmirësohet. “Në rrezik e në nevojë, shoku-shokun ta ndihmojë…” Duhet ta kemi parasysh këtë shprehje të vjetër. Ne e kemi pasur traditë që ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Mua më kujtohet që kur isha i vogël në shtëpinë time në Devoll vinin njerëz që kërkonin miell, grurë apo bukë në mes të dimrit e nuk i përcillnim duarbosh. Me teneqera iu jepte im atë atyre që kërkonin miell. E kishim në traditë këtë.
E kemi humbur këtë traditë të hershme po thoni ju?
Ndihmën ndaj shokëve e gjejmë edhe në “Ciklin e kreshnikëve”, në rastin e ditëve të acarta. “Fort po shndrit njaj diell, e pak po nxeh! Ç’po e merr fryma rrapin e Jutbinës ! Borë e madhe paska ra: Randojnë ahet për me u thye” është vargu i lahutës. Edhe atëherë njerëzit ndihmoheshin e merreshin vesh, nuk ziheshin. Ata luftonin e ziheshin me balozët, ndërsa sot në shekullin e 21-të jemi bërë balozë për njeri-tjetrin. Jemi miq por balozë.
Tani duhet solidaritet dhe jo një solidaritet i thjeshtë sepse populli ka solidaritet e nuk i vë re këto. Por, janë drejtuesit ata që i ngacmojnë dhe i bëjnë njerëzit të përçarë mes tyre. Përça e sundo… Vetë këta analistët e opinionistët që flasin në ekranet televizive, e që i shohim përditë duhet që t’i prekin mirë problematikat. I prekin përciptazi jo që të japin një ide për zgjidhje. Pyetja që shtrohet është shumë e thjeshtë: Si ta presim dimrin? Duhet te këtë në këto fjalime dhembshuri, njeriut duhet t’i vijë për të qarë me këtë që ka ndodhur. Po duhet t’i vijë për të qarë nga shpirti, nuk flas për lot qepësh. Mos nxirrni lot qepësh, atë e bëjnë më mirë aktorët. Dhimbja duhet të dalë nga shpirti, jo nga zori. Le të mos bëhemi artistë nga lotët.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)