Home Lajme Sport Mourinjo: Do të imitoj Fergusonin

Mourinjo: Do të imitoj Fergusonin

288
0

Trajneri i Real Madridit: Të drejtosh këtë ekip është si të kesh shkelur në Hënë

Hoze Mourinjo është shprehur se “të drejtosh Real Madridin është si të kesh shkelur në Hënë” dhe se ai tani dëshiron që të jetë te ky klub po aq gjatë sa Aleks Ferguson te Mançester Junajtid. Portugezi Mourinjo u largua nga Çelsi në vitin 2007 dhe iu bashkua klubit të Serisë A, Interit, ndërsa këtë vit iu bashkua Realit. Ai feston vitin e dhjetë si trajner dhe mund t’i gëzohet një Lige Kampionësh me Porton dhe një tjetre me Interin.

“Këta 10 vjet kanë kaluar shumë shpejt”, ka thënë Mourinjo dje në një konferencë për shtyp para ndeshjes së Realit kundër Espanjolit sot. “Unë kam të njëjtin pasion si 10 vjet më parë dhe mendoj se edhe për 10 vjet të tjerë pasioni do të jetë i njëjtë”, ka thënë 47-vjeçari. “Mendoj se do të jem si Fergusoni. Do të jem 70 vjeç dhe do të kem akoma pasionin për të drejtuar skuadra’

Fergusoni, që mbush 70 vjeç në dhjetor 2011, është trajneri më i suksesshëm në futbollin anglez dhe e ka ndihmuar Mançester Junajtid të fitojë më shumë se 30 trofe, përfshirë Ligën e Kampionëve në vitin 1999 dhe 2008, që kur e mori atë skuadër prej Ron Atkinsonit në vitin 1986. Mourinjo shpreson të bëhet trajneri i parë që do të fitojë Ligën e Kampionëve me tre klube të ndryshme dhe ka thënë se të drejtosh Real Madridin ishte “si të kapje Hënën”.

“Reali është klubi më i rëndësishëm në botë. Do të thotë të kesh kapur majën e karrierës, por unë ende nuk kam fituar asgjë. Le të shohim si do të mbarojë kjo histori, të cilën më duhet ta ndërtoj.” Që kur e mori drejtimin e skuadrës nga Manuel Pelegrini, Mourinjo ka theksuar vazhdimisht se ka nevojë të ndërtojë skuadrën me gjithë shpenzimet e mëdha të Realit, që ka në gjirin e vet lojtarë si Kristiano Ronaldo, lojtari më i shtrenjtë në botë.

“Një gjë është ta kesh të ndërtuar skuadrën e tjetër gjë është ta ndërtosh vetë. Ne duhet të vazhdojmë të grumbullojmë pikë, të krijojmë një skuadër dhe të kemi stabilitet.”



http://www.sportishqiptar.com.al/mourinjo-do-te-imitoj-fergusonin/