Ndeshjet e kampionatit, të gjitha online. Federata dixhitalizon kampionatin

Sistem online për të dhënat e ndeshjeve të të gjitha kampionateve në Shqipëri. Federata Shqiptare e Futbollit do t’u mundësojë të gjithë anëtarëve të saj, por edhe sportdashësve që të kenë akses live në të dhënat zyrtare të ndeshjeve. Lajmi është publikuar dje në faqen zyrtare të institucionit të futbollit. “Në Federatën Shqiptare të Futbollit ka përfunduar faza e dytë e prezantimit për Projektin e FIFA-s, Sistem-Menaxhim online i ndeshjeve te futbollit. Shoqëria kroate “Analyticom” e cila është shpallur fituese nga FIFA ka bërë më parë prezantimin e këtij programi dhe dje, në FSHF e ka detajuar atë përballë punonjësve të Federatës, të cilët do të jenë përgjegjësit kryesorë për zbatimin, modifikimin dhe kontrollin e këtij programi”, thuhej në njoftimin e FSHF-së. Në bazë të këtij Projekti të gjitha regjistrimet, federimet e lojtareve do të jenë online në themel të një database që do t’i bashkangjitet të gjithe sistemit kompjuterik te FSHF-se. Protokollet, Raporti i Delegatit dhe Vëzhguesit për ndeshjet e kampionateve të ndryshme do të jenë, të gjitha, po ashtu, online. Nëpermjet uebsitit të Federatës Shqiptare të Futbollit mund të lexohen lehtësisht skedat e ndeshjeve për të marrë në mënyrë të menjëhershme çdo informacion të kërkuar.

Me realizimin e këtij projekti gjithçka në futbollin tonë kalon në një sistem bashkëkohor online dhe me standartet më të larta në përdorimin e sotëm.

Të merkurën në ambjentet e Federatës shqiptare të Futbollit do të zhvillohet seminari konkret me përfaqësuesit e Ligës Superiore dhe të Kategorisë së Parë.

Comments are closed.