Kompania monitoruese Royal Pingdom ka mbledhur të dhëna lidhur me statistikat e internetit për vitin 2012 dhe na ka përcjellë një raport tepër interesant, që ia vlen të lexohet.
Edhe pse këto shifra mund t’i kemi parë në të kaluarën, për shembull, kemi dëgjuar që Facebook-u ka mbi 1 miliard përdorues që prej tetorit te vitit 2012 apo Twitter ka mbi 200 milionë përdorues që prej dhjetorit të vitit që sapo lamë pas – rishikimi i tyre në një raport të përmbledhur na tregon edhe njëherë se sa të vegjël jemi para oqeanit të pafundmë të internetit.
1.2 trilionë kërkime në Google janë bërë gjatë vitit 2012
Ndër pikat më kryesore në listë janë për shembull 2.2 miliardë përdoruesit e e-mailit në të gjithë botën (425 milionë përdorin Gmail, duke e bërë atë shërbimin më të përdorshëm në botë), 634 milionë uebfaqe ekzistojnë në ueb (rreth 51 milionë shtohen çdo vit) si dhe 246 milionë regjistrime emra domainesh në vitin 2012.
Gjithsej janë 100 milionë domaine .com (ju kujtohet i pari, që është regjistruar në vitin 1985?), 2.4 miliardë përdorues interneti në të gjithë botën dhe 1.2 trilionë kërkime në Google janë bërë gjatë vitit 2012.
Në frontin e rrjeteve sociale, në vitin 2012 kishte 2.7 miliardë pëlqime në ditë në Facebook, 175 milionë cicërima në Twitter çdo ditë, ndërsa butoni +1 i Google ishte klikuar 5 miliardë herë çdo ditë.
Në fund të vitit 2012, në botë ishin në përdorim 1.3 miliardë smartfonë, 4 miliardë video shiheshin çdo muaj në YouTube dhe 7 petabytes foto shtoheshin në Facebook çdo muaj.
Në Royal Pingdom mund të shihni pjesën tjetër të statistikave. (PCWorld Albanian)