Kriza u ka “dhuruar” amerikanëve një jetesë tjetër. Bëhet fjalë për një studim të titulluar “Jeta dhe e ardhmja e ridimensionuar: një panoramë mbi Amerikën në kohën e Recensionit të Madh” dhe që është realizuar nga “Rutgers State University”, për të cilin “Business Insider” ka publikuar një artikull të gjerë. Për fat të keq, lajmet nuk janë aspak të mira.
Pas statistikave të Prodhimit të Brendshëm Bruto, shifrat e jetës reale nuk e kanë shenjën plus. Kjo kur Kongresi ka dhënë miratimin për emetimin e 8 trilionë dollarëve letra me vlerë që nga viti 2007 e deri më sot. Në një kohë kur borxhi publik ka prekur shifrën e 16,48 trilionë dollarëve, së cilës i shtohet shifra 2,1 trilionë dollarë të hedhura nga Rezerva Federale në formën e kartëmonedhave të reja me pretendimin “aspak ortodoks” për të stimuluar ekonominë.
Edhe pas marrjes së mandatit të dytë qeverisës nga Barack Obama, situata nuk është përmirësuar ndjeshëm. “Pesë vitet e kaluara në recesion kanë ‘minuar’ fort besimin tek ekonomia nga ana e amerikanëve, por edhe të ardhmen e gjeneratave të ardhshme”, shkruajnë autorët e këtij studimi. Përmasat i japin shifrat.
Rreth 23% e të intervistuarve kanë humbur punën gjatë katër viteve të fundit. Rreth 10% e të intervistuarve iu është dashur më shumë se dy vjet kohë për të gjetur një punë të re. Rreth 22% nuk e ka gjetur një vend pune, ndërsa 34% nuk po e kërkojnë më.
Mes këtyre të fundit figurojnë 22% e të pushuarve nga puna që i përkasin moshës nga 18 deri në 24 vjeç dhe 62% janë mbi moshën 55 vjeç.
Vendet e reja të punës të krijuara nuk arritën të zvogëlonin ndjeshëm hendekun që kanë krijuar pushimet.
Edhe ata që kanë një punë dhe që përbëjnë 58% të intervistuarve përbëjnë një grup që është më në minorancë se pak vite më parë (60% në vitin 2010). Ata që janë prekur më shumë janë punëtorët me të ardhura më të ulëta. Vetëm 38% e atyre që fitojnë më pak se 30,000 dollarë në vit ka një punë përkundrejt 71% e atyre që fiton më shumë se 60,000 dollarë. Deri këtu ishin lajmet e mira.
Ka edhe të këqija. Vetëm 54% e atyre që kanë humbur një punë kanë pasur fatin të gjejnë një tjetër, por problemi është se fitojnë më pak se më parë. Këtu nuk kemi të bëjmë me efekte që sjell inflacioni. Një e treta e të intervistuarave ka treguar se është detyruar të jetojë me një pagë rreth 30% më të ulët se e mëparshmja.
Realiteti i ri paraqet një panoramë ku ka më pak punë dhe me shkurtim pagash ndikon ndjeshëm optimizmin. “Njerëzit nuk shohin asnjë shenjë të rimëkëmbjes së ekonomisë madje as në të ardhmen”, bën të ditur studimi. Madje, rreth 32% e të pyeturve parashikon se gjërat do të përkeqësohen në të ardhmen. Kjo shifër është rritur në krahasim me vitin 2010, kur këtë e deklaronte 27% e kampionit. Vetëm 12% e të intervistuarave mendon se në të ardhmen ekonomia do të shëndoshet, 25% beson se kjo mund të ndodhë pas 10 vjetësh, ndërsa 29% se gjallërimi nuk do të vijë kurrë.
Përfundimi: Rreth 60% e personave të intervistuar besojnë se tashmë kanë hyrë në një normalitet të ri, në një realitet më të vështirë, në të cilin duhet të pranojnë edhe të paguhen më pak nga sa vlen puna e tyre. Maje edhe kur arrijnë të gjejnë një punë, nuk kanë sigurinë e dikurshme.
E gjithë kjo përkthehet në rënie të vazhdueshme të besimit të konsumatorit.
“Ndikimi i Recesionit të Madh është kaq i gjerë dhe gërryes sa do të prekë jetën e individëve, familjeve dhe shumë vendeve, për shumë vjet” thuhet në studim. Me pak fjalë, e ardhmja nuk është më vetëm një “shëtitje”.