Nis sot plotësimi i Formularit A2 Online

Maturantët shqiptare  nga sot do të fillojnë të plotësojnë Formularin A2 dhe afati i lënë në dispozicion është nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 18:00 të darkës. Përjashtim për datat e plotësimit bën vetëm Tirana, ku janë lënë në dispozicion 4 data.

Për herë të parë përzgjedhja e 10 degëve për të cilat do të garohet për hyrjen në universitetet publike,  do të bëhet online. Ndërkaq është mundësuar llogaritja dixhitale e pikëve që një maturant ka grumbulluar nga dhënia e dy provimeve të detyrueshme dhe provimit me zgjedhje. Sipas MASH, kjo është parë si një ndihmesë, pasi çdo aplikant që plotëson formularin për pranimin në shkollën e lartë në një nga degët e preferuara mund të shohë si referencë pikët e maturantit të fundit të pranuar një vit më parë për secilën degë. Përpara se të kryhet procedura e aplikimit online të plotësimit të formularit, maturanti duhet të ketë bërë pagesën prej 2000 lekësh për aplikimin me Formularin A2 në zyrat e Postës Shqiptare apo në një nga bankat e nivelit të dytë. Për kryerjen e pagesës maturanti duhet të ketë shkarkuar dhe printuar faturën, e cila gjithashtu do të jetë online në faqen zyrtare të AKP. Në udhëzimin e MASH është përcaktuar mënyra si do të shkarkohet kjo faturë. Duke qenë se plotësimi online i Formularit A2 po aplikohet për herë të parë këtë vit, për çdo problem që mund të shfaqet në sistem Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka lënë të hapur edhe variantin e aplikimit në letër. Formulari A2, i publikuar pak kohë më parë nga MASH, për këtë vit përfshin 303 programe studimi të ciklit të parë me kohë të plotë, në vitin akademik 2012-2013. Çdo universitet në vend ka të renditura edhe programet përkatëse të studimit, duke i mundësuar kështu maturantit një orientim më të mirë.

Comments are closed.