Raportuesja në Parlamentin Europian për liberalizimin e vizave dhe deputetja Tanja Fajon, njoftoi se gjatë kësaj jave nuk do të vendoset për kthimin e vizave për shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Komiteti në fjalë pritej që të enjten të votonte për vendosjen e mekanizmit mbrojtës për hapësirën evropiane pa viza, që praktikisht nënkupton se nëse miratohet në Parlament, atëherë do të hynte në fuqi masa e përkohshme për shfuqizim të regjimit pa viza për shtetet e Ballkanit Perëndimor. “S’ka asgjë të re.
Në komitet dhe Parlamentin Europian këtë javë nuk do të ketë as debat e as votim për mekanizmin për pezullimin. Negociatat për miratimin e këtij mekanizmi vazhdojnë”,- deklaroi Fajon. Gjashtë vende anëtare të BE-së, në tetor të vitit të kaluar kërkuan që në rast të keqpërdorimit, për vendet e Ballkanit Perëndimor të kthehet regjimi i vizave për qarkullim në vendet e zonës së Shengenit. Përfaqësuesit e Këshillit Evropian, Komisionit dhe Parlamentit Evropian, në dhjetorin e kaluar nuk arritën të merren vesh për mekanizmin për pezullim të liberalizimit të vizave.
Pas Gjermanisë, edhe Belgjika, Luksemburgu, Suedia dhe Holanda kanë kërkuar që për qytetarët e Maqedonisë dhe Serbisë të rikthehet regjimi i vizave, për shkak të rritjes ekstreme të numrit të azilkërkuesve nga këto dy vende.