Home Lajme Sport Odise Roshi tek Juventus…???

Odise Roshi tek Juventus…???

261
0

Kërkimi i futbollistëve të rinj nga njëri vend i Evropës në tjetrin, duket se është misioni kryesor i Xhani De Biazit në këto momente. Në një intervistë për “TuttoJuve.com”, trajneri i kombëtares shqiptare ka treguar për aventurën e tij në krye të kuqezinjve, ndërsa nuk ka munguar edhe një kritikë për ata që kanë zgjedhur të veshin fanelat e kombëtareve të tjera. “Jam duke bërë një punë të madhe, më duhet të udhëtoj shumë për të ndjekur futbollistët, – ka thënë De Biazi. – Herën e fundit përshembull isha në Ukrainë. Për këtë arsye nuk kam një bazë në Tiranë, sepse kaloj më shumë kohë në Zvicër, në Itali apo në ndonjë vend tjetër”, shton ai. De Biazi pranon se Shqipëria ka ndryshuar shumë në futboll në 10 vitet e fundit, por sipas tij, do të ishte më mirë nëse disa prej lojtarëve që kanë zgjedhur të luajnë për kombëtaret e tjera, do të preferonin atdheun e tyre. “Shumë futbollistë kanë zgjedhur nënshtetësinë zviceriane apo finlandeze, – ka thënë trajneri i Shqipërisë. – Përshembull, vëllezërit Hetemaj që luajnë këtu në Itali. Është e qartë se nëse dikush do të ketë mundësi të bëjë zgjedhje, do të zgjedhë vendin që e shikon më oportun”, deklaroi ai.
Roshi
Në qendër të intervistës së Xhani De Biazi ka qenë edhe Juventusi, ecuria në kampionat si edhe sfida e së dielës kundër Napolit. Por, ai është pyetur nga “TuttoJuve. com”, nëse ndonjë prej futbollistëve shqiptarë është në gjendje të luajë në kampionatin italian, ndoshta te Juventusi. Sipas trajnerit të Shqipërisë, për skuadrën bardhezi ka vetëm një futbollist, por shumë të tjerë, mund të jenë të aftë të luajnë në skuadra të tjera. “Gjithçka varet nga tipi i skuadrës, – shprehet De Biazi. – Nuk mendoj se për Juven ka ndonjë të përshtatshëm. Ndoshta, Odise Roshi, që është një mesfushor i ditëlindjes 1991 dhe që luan me Këlnin”, ka thënë më tej ai.
EKIPI U17
Ndërkohë, në adresën e tij në rrjetin social facebook, tekniku kuqezi i ka thurur elozhe edhe kombëtares U17 dhe trajnerit të saj Xhemal Mustedanagiç, që e mbylli raundin elitë të kampionatit europian me një fitore 2-1 ndaj Irlandës. “Përgëzoj kombëtaren U17 të Shqipërisë për ndeshjen kundër Irlandës, – shkruan De Biazi. – Djemtë janë të mrekullueshëm. Komplimente edhe për Xhemal Mustedanagiç”, komenton më tej ai.