Home Aktualitet Nderim maksimal per oficerin Sabit Caka, “Dëshmor i Atdheut”

Nderim maksimal per oficerin Sabit Caka, “Dëshmor i Atdheut”

356
0

GjatëVetëm një muaj para krimit, inspektori i Policisë së Peqinit kishte martuar vajzën e madhe.Babai i katër fëmijëve dhe familja e tij kishin gëzuar për këtë ditë të madhe. Pa e ditur se pak ditë më vonë dasma do të kthehej në mort. Ditën e djeshme, në banesën e Sabit Cakës hynin e dilnin gra të veshura me të zeza, duke derdhur lot për humbjen e papritur të 51-vjeçarit, i cili prej plot 17 vjetësh mbante veshur uniformën e policisë. Ai la jetime tri vajza dhe djalin e vetëm, 17 vjeç. Bashkë me nënën, të njohur e kolegë të Sabit Cakës, ata përcollën për në banesën e fundit njeriun e dashur, që iku papritur nga kjo botë, qëlluar pabesisht në krye të detyrës. Për inspektorin e ekzekutuar në tentativë për të ndaluar një ngjarje kriminale, nderimi ka qenë maksimal. Ai është shpallur “Dëshmor i

  Inspektori i vrarë, Sabit Caka

Atdheut” dhe është prehur në varrezat e dëshmorëve të qytetit të Elbasanit. Vetë banorët e lagjes ku jetonte 51-vjeçari, në hyrje të qytetit të Peqinit, e quajnë atë hero. Vajza e madhe e tij ishte martuar rreth një muajmë parë dhe Sabiti, pas lejes që kishte marrë, i ishte kthyer sërish punës, ashtu, me devotshmëri dhe me ndershmëri. Idrizi, vëllai i tij më i madh, është i shokuar për tragjedinë që ka ndodhur në familjen e tij. Lotët e tij dhe malli që duket se e ka pushtuar, edhe pse vetëm një ditë pas vdekjes së vëllait, duken qartazi në sy. Bashkë me familjarët e tjerë ai ka pritur e përcjellë miq të vëllait të tij, madje mes tyre edhe personalitete të larta të shtetit, si Kryeministri Sali Berisha, ministra e deputetë, ndërsa në banesën e tij ka kryer ngushëllimet edhe drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Hysni Burgaj, e qindra kolegë të inspektorit të vrarë. Idriz Caka e ka të vështirë të gjejë fjalët për dhimbjen, megjithatë, ai ka arritur të falënderojë miqtë dhe kolegët e vëllait të tij, si dhe Policinë e Shtetit për nderimin e vëllait të tij si “Dëshmor i Atdheut”. Homazhet për nder të inspektorit Caka u kryen në qendrën e kulturës “Ferdinad Deda” në qytetin e Peqinit, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri i vendit. “Oficeri Sabit Caka ka rënë në krye të detyrës me një trimëri dhe vetëmohim të paparë. Uroj që familja të gjejë forcën që të përballojë këtë dhimbje të pakompensueshme dhe shpirti i dëshmorit, i të rënit tonë në betejë me armikun e egër të çdo qytetari të këtij vendi, që është krimi i organizuar, të gjejë paqen e merituar”, u shpreh Kryeministri. Gjatë homazh-eve në qendër të qytetit të Peqinit ishin pjesëmarrës mijëra persona. Ata mbushën të gjithë sheshin, duke ndarë dhimbjen me familjarët e inspektorit të policisë. Për ta kjo ishte humbje jo vetëm e familjes, por dhe e vetë komunitetit, pasi Sabit Caka humbi jetën e tij në krye të detyrës për të mbrojtur pronën publike. Ai u qëllua me breshëri plumbash, pasi me kolegët e tij të patrullës së shërbimit shkuan në fshatin Gryksh për të parandaluar grabitjen e transformatorit të zonës, me anë të të cilit furnizoheshin me ujë të pijshëm banorët e zonës. Ngjarja ndodhi mesnatën e së enjtes, duke përfunduar me një viktimë nga radhët e uniformave blu dhe më pas vetëvrasjen e vetë autorit të krimit.

Sabit Caka, 17 vite me uniformën blu

Për 17 vite me radhë Sabit Caka punoi pa u lodhur, duke u dalluar për gatishmëri, korrektësi, cilësi profesionale dhe i vlerësuar vazhdimisht nga eprorët dhe komunitetin. Mungesa e tij do të vihet re jo vetëm nga familja por edhe të afërm, komuniteti dhe efektivat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut. Mësohet se inspektori Sabit Caka, kishte filluar punë në strukturat e policisë më datë 16.09.1994. Gjatë karrierës policore të tij, ka kryer detyra te ndryshme si trup shërbimi, teknik armatimi, kujdestar magazinier, përgjegjës informacioni, ndihmës specialist SPZ dhe së fundmi kryente detyrën oficer i patrullës së përgjithshme, trup shërbimi në seksionin për rendin dhe sigurinë publike, në Komisariatin e policisë Peqin. Ai është vlerësuar gjatë kësaj kohe për disiplinë, përkushtim dhe gatishmëri në kryerjen e detyrave, duke u vlerësuar për iniciativën për të vepruar dhe aftësinë për zgjidhjen e problemeve.

Kreu i policisë

“Inspektor Sabit Caka dhuroi jetën për të garantuar respektimin e ligjit, për të mbrojtur sigurinë e bashkëqytetarëve të tij kundër çdo lloj forme krimi, pasi ëndërronte udhën e lirisë, drejtësisë dhe të një Shqipërie europiane”, kështu u shpreh dje drejtori i policisë së Elbasanit, Jashar Vreka, gjatë ceremonisë mortore.

“Sabiti, dhjetëra operacione në 17 vjet punë”

Gjin Vatnikaj, shefi i Rendit dhe Sigurisë Publike, mik dhe koleg i policit të vrarë, u shpreh se kishte shumë vite që e njihte Sabitin. “Ishte njeri paqësor. Ka marrë pjesë në shumë operacione për vjedhje apo ngjarje të tjera. Edhe në sherre gjithnjë ka shuar konfliktet e personave. 17 vjet punë në Policinë e Shtetit e bënë Sabitin një njeri të dashur për të gjithë. Gjithnjë në krye të detyrës, ai ishte njeri me kulturë e madje dhe me personat me precedentë. Natën e ngjarjes ai e kishte marrë detyrën në mesditë, dhe as nuk mund ta mendoja se Komisariatit të Policisë së Peqinit do t’i largohej një njeri i dashur, me zemër dhe me virtyte të larta në punë”, u shpreh i përlotur shefi i rendit dhe sigurisë publike, Vatnikaj.

Hajduti u vetëvra pasi qëlloi policin

Makina e autorit të krimit, Leonardo Tabaku

Hajduti që vrau inspektorin e policisë së Peqinit ka vrarë veten.U deshën disa orë që Policia e Elbasanit të japë variantin zyrtar mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur mesnatën e së enjtes në fshatin Gryksh të komunës Shezë, në Peqin. Për policinë nuk ka asnjë pistë tjetër veç asaj që pasi ekzekutoi punonjësin e policisë, 51-vjeçarin Sabit Caka, autori Leonardo Tabaku qëlloi veten me të njëjtën pushkë. Hetimet e kryera deri mesditën e djeshme kanë bërë që të zbardhet një pjesë e krimit të ndodhur për shkak të detyrës të policit, ndonëse mbetet mister momenti i vetëvrasjes së autorit 40-vjeçar, i cili u gjet i pajetë. Sipas Policisë, drejt efektivit të policisë së Peqinit janë derdhur 5 plumba, ndërsa autori ka marrë një plumb në fyt, i cili i shkaktoi vdekjen. Prania në vendin e ngjarjes e 40-vjeçarit Tabaku për policinë është e zbardhur tashmë: ai ndodhej aty me makinën “Fiat” me targa të huaja për të grabitur transformatorin që shërbente për të sjellë në fshat ujin e pijshëm. Gjithçka është zhvilluar pas një telefonate në Komisariatin e Policisë së Peqinit, ku një shtetas, banor i fshatit, ka lajmëruar se po tentohej të vidhej transformatori.

Transformatori që u tentua të grabitej nga Tabaku

Drejt vendit është nisur patrulla e policisë, e përbërë nga gjashtë efektivë, mes tyre edhe viktima Caka. Mësohet se mes terrenit të vështirë, në një rrugë të amortizuar që të çonte drejt shtyllës ku ishte vendosur transformatori dhe në kushtet e errësirës së plotë, patrulla e policisë është afruar shumë pranë mjetit të autorit, banor i fshatit Gryksh. Në momentin kur makina e policisë, me sirenë dhe me drita, është ndalur, Leonardo Tabaku ka dalë me shpejtësi dhe me armë zjarri ka qëlluar me breshëri drejt patrullës. Mësohet se kanë qenë pesë plumba të zbrazura drejt patrullës, dy prej të cilëve kanë rënë në trupin e Sabit Cakës, në kokë e gjoks, duke e lënë atë të vdekur në vend. Sipas Policisë, menjëherë 40-vjeçari Tabaku ka dalë me shpejtësi pas mjetit të tij dhe ka qëlluar veten me një plumb në fyt, duke mbetur dhe ai i vdekur. Ndërsa policia dhe grupi i ekspertizës ende nuk kanë përfunduar hetimet, mbi vetëvrasjen e 40-vjeçarit janë hedhur dy hipoteza: ajo e vetëvrasjes, fill mbasi qëlloi mbi patrullën e policisë, ndërsa tjetra, ajo e vrasjes aksidentale të autorit gjatë tentativës për t’u larguar nga vendi i ngjarjes me vrap. Kolegët e policit të vrarë kanë tentuar t’i shpëtojnë jetën kolegut të tyre, por ka qenë e pamundur. Menjëherë këta të fundit kanë raportuar me radio në komisariat për ngjarjen e ndodhur, e më pas kanë nisur drejt morgut të Elbasanit kolegun e tyre të vdekur në vend. Në ndihmë të ekspertëve hetimorë kanë shkuar edhe ekspertë të Krimeve të Rënda të kryeqytetit, të cilët deri në orët e para të mëngjesit kanë hetuar një pjesë të ngjarjes, ndërsa mësohet se ende nuk kanë përfunduar hetimet. Mesditën e djeshme, nëndrejtori i Policisë së Elbasanit, Rezar Velmishi, deklaroi se autori Leonardo Tabaku ishte person me precedentë penalë për vepra të ndryshme penale, si vjedhje dhe plagosje.
Sipas Velmishit, banori që ka lajmëruar policinë ka pohuar se disa persona tentonin të vidhnin transformatorin e fshatit. “Në drejtim të policisë u hap menjëherë zjarr, prej nga gjeti vdekjen e menjëhershme punonjësi i policisë, Sabit Caka, babai i katër fëmijëve”. Nëndrejtori i Policisë deklaron se, ndonëse telefonata ka qenë për disa persona, Leonardo Tabaku rezulton të ketë qenë i vetëm dhe se ka qëlluar pa pritur që patrulla e policisë t’i bëjë thirrje për të zbritur nga mjeti ku ai ndodhej. Nga ana e policisë përjashtohen motive të tjera të pranisë së Tabakut në vendin e ngjarjes.

Transformatori, i dyti brenda 10 ditësh

Transformatori, i cili u bë shkaktar për vdekjen e dyfishtë në fshatin Gryksh të Peqinit, ishte vendosur rreth 10 ditë më parë. I vjetri ishte vjedhur nga persona ende të paidentifikuar dhe pas zëvendësimit, banorët kanë qenë më të vëmendshëm, të frikësuar se mund të pësonte dhe i riu të njëjtin fat. Për këtë arsye, njëri prej tyre ka telefonuar në komisariatin e policisë sapo ka pikasur dritat e një makine që po i drejtohej shtyllës ku ishte vendosur transformatori i ri.

Vrasja e dyfishtë, bllokohet një armë

Ekspertët e hetimit kanë bllokuar në vendin ku ndodhi vrasja e punonjësit të policisë dhe të vetë autorit, Leonardo Tabaku, vetëm një armë. Ajo është pushkë e modelit 56, bashkë me disa gëzhoja dhe fishekë. Veç saj u bllokua dhe mjeti në pronësi të Tabakut, “Fiat Uno”, me targë AD 043 KD. Ndërkohë që nga ana e Policisë nuk bëhet e ditur nëse janë gjetur brenda mjetit pajisje që autori do t’i përdorte për grabitjen e transformatorit. Panorama