Home Aktualitet Papa jep doreheqjen

Papa jep doreheqjen

796
0

papa jep doreheqjenPapa i Romes, Benedikti i 16-të do të lërë detyren më 28 shkurt. Njoftimin e ka dhënë vetë ai, në latinisht..

Papa ka shpjeguar se prej disa kohësh kishte nisur të ndjente peshën e detyrës dhe pasi e kishte menduar gjerë e gjatë kishte marrë vendimin për të mirën e Kishës. “Fuqia dhe mosha e avancuar, nuk janë aq të volitshme për të ushtruar detyrën në mënyrën më të mirë të mundshme”, është shprehur Papa Benedikti.

Lajmi është konfirmuar edhe nga Vatikani, i cili siguron se vendi bosh do të qëndrojë i tillë për një kohë tepër të shkurtër.

Joseph Ratzinger ka lindur në 16 prill të vitit 1927 dhe u zgjodh Papë nga konklava e zhvilluar në 19 prill të vitit 2005, fill pas vdekjes së Gjon Palit II.

“Një rrufe në qiell të hapur”, kështu u shpreh kardinali Angelo Sodano pas marrjes së lajmit. Rreth një orë pas dhënies së lajmit, drejtori i sallës së shtypit të Selisë së Shenjtë, Federico Lombardi pranon se është i cuditur nga vendimi, por shton se fuqia e Papës muajt e fundit ka rënë dhe këtë e kanë vënë re edhe bashkëpunëtorët e tij.

Vëllai i Papës, Georg Ratzinger ka thënë për mediat gjermane se mjeku i Benediktit të 16-të i ka këshilluar Atit të Shenjtë që të mos bëjë udhëtime të gjata.

Lajmi i largimit të Papës, ka bërë në pak minuta xhiron e botës. Ka qenë agjencia e lajmeve ANSA që e dha e para lajmin, e ndjekur më pas nëpër botë nga Reuters, CNN, Al Arabiya, France Presse dhe britaniket Telegraph e BBC.